Home KRYESORE TRARI I EKUILIBRIT BOTËROR KËRKON SHUMË SUPE PËR TA MBAJTUR.

TRARI I EKUILIBRIT BOTËROR KËRKON SHUMË SUPE PËR TA MBAJTUR.

Nga Sulejman Abazi

Sot bota po ndryshon për arësye se asnjë fuqi e madhe nuk mund ta bëjë dot rolin e lidershipit botëror i vetëm. Kjo është kuptuar edhe në Amerikë nga kuintat e New Yorkut. Historia ka dëshmuar rënien e perandorive. Bota sot po bëhët edhe më e vogël.

Ndryshe nga koha e dy superfuqive që diktonin dhe ishin vënë përballë njera tjetrës, SHBA-të dhe ish Bashkimi Sovjetik, ky i fundit u dorëzua 20 vite më parë, por sot koha e solli që të dorëzohet edhe Amerika në rolin e saj. Në 20 vite SHBA-të luajtën rolin e superfuqisë së vetme, por sot në botë kanë dalë fuqi të reja si Kina, Rusia, India, Brazili, Indonëzia, Japonia, BE-ja.

Trari i ekuilibrit botëror sot, kërkon shumë supe që të mbahet, me një multipolarizim. Dhe kjo tashmë mbi politikat e reja të SHBA-ve do të fillojë të funksionojë. Këtë dëshmoi presidenti Donald Trump në fjalimin e tij të parë.

U mbajt një fjalim populist që nuk i shkon për shtat një miliarderi, por ai foli para popullit amerikan.

“Ne qytetarët e Amerikës tani do tu japim shpresë njerëzve tanë. Së bashku do ta caktojmë rrugën e Amerikës dhe botës përpara për shumë vite në vazhdim. Do kemi sfida e vështirësi, por do ta kryejmë punën….. 20 janari 2017 do të mbahet mend si dita kur populli është bërë sundues i këtij shteti sërish…. Në qendër të kësa lëvizje është një bindje që një shtet ekziston për t`iu shërbyer qytetarëve të vet. Ne jemi një shtet, një komb i vetëm…..

Për dekada të shumta ne i kemi pasuruar industritë e huaja duke harruar tonën. I kemi financuar ushtritë tjera kurse e jona është vjetruar….. I kemi mbrojtuar kufijtë tjerë dhe kemi harruar ti mbrojmë tonët. Një vizion i ri do ta udhëheq shtetin tonë nga sot. Do të jetë vetëm Amerika e para. Amerika do të fillojë të fitojë sërish, ashtu si asnjëherë më parë….. Do të ndjekim dy rregulla, amerikan i lartë dhe amerikan akoma më i lartë…. Kur Amerika është e bashkuar, ajo është absolutisht e pandalshme. Koha për premtime boshe ka kaluar. Tash është koha e veprimeve”.

Trump me sa shihet, do ta tejkalojë mentalitetin tradicional amerikan, sipas deduksionit të Williams Pit, ”Gjithmonë mbas të madhit është përherë një më i madh”. Fakti që presidenti u zgjodh duke mos pasur shumicën e votës popullore, tregon çudinë e mekanizmit të zgjedhjeve në SHBA-të. Por kjo ndodhi edhe këtë herë.

Si erdhi dhe si konkurroi ky njeri? Atë nuk e futi paraja në garën presidenciale, por nevoja e erës së ndryshimit kundër modelit të qeverisjes që solli pasoja për SHBA-të dhe në arenën globale. Partneriteti jo produktiv për shkak të konflikteve antagoniste dhe me karakter nacional brenda BE-së, përshkallëzimi i terrorizmit dhe zonave të nxehta të luftës në botë, kriza financiare, mosmbështetja e Anglisë në rastin e shkëputjes nga BE, tensionimi i situatës politiko ushtarake me Rusinë etj. etj. kërkojnë ndryshimin.

Trump u zgjodh si një njeri vendimarrës që do të sjellë shumë ndryshimë në politikën botërore. “Ne do të kërkojmë miqësi me shtetet tjera të botës, por interesi i shtetit tonë duhet të jetë i pari….. Do të bëjëm aleanca të reja dhe do të luftojmë kundër ekstremizmit islamik të cilin do ta zhdukim nga faqja e dheut…..”.

Le të marrim një shëmbull të historisë së afërt botërore. Kur ish Bashkimi Sovjetik në prag të përfundimit të “luftës së ftohtë” dhe rrëzimit të murit të Berlinit e prishi Traktatin e Varshavës, SHBA-të dhe Europa e duartrokitën këtë akt, duke e sjellë NATO-n pa kundërshtar të organizuar. Nëse sot do të shpërbëhet NATO, “si një strukturë e vjetëruar” sipas Trump, atëherë po i vjen radha që dhe Rusia dhe vendet e tjera në Lindje të duartrokasin këtë akt, i cili mund të ulë tensionet politike dhe ushtarake. E para Merkel jep alarmin “për nevojën e krijimit të një force të sigurisë europiane”.

Trump mbështet shkëputjen e Anglisë dhe synon të ketë përballë një BE jokonkurrente dhe të paaftë përballë Rusisë. Europa po lëkundet nga problemet dhe trondietjet e brendëshme dhe kjo tregon se brenda saj diçka po zjen. Nga dobësia europiane sot do të përfitojnë SHBA-të dhe Rusia.

Qëndrimi i liderëve kryesorë europianë dhe demostratat e mbajtura në shumë vende të botës kundër zgjedhjes së Trump si president i SHBA-ve, lë të kuptohet se politika botërore po tronditet nga bazamenti i saj tradicional. Me sa duket Sorosi, si një matrapaz parash, nuk e ka kuptuar se çfarë kërkon koha sot në arenën globale. Këto zgjedhje dhanë mesazhin se ka ardhur koha e rënies së dinastive tradicionale në Amerikë. Në këtë mënyrë “Detanta” do të funskionojë edhe për disa kohë. Do të vijnë në skenë politikat e marrëveshjeve të mirëkuptimit, pavarësisht konfliktit të interesave. Politika Trump kërkon bashkëpunim jashtë SHBA-ve larg pikës së vlimit.

Në këtë dilemë në përmasa të politikës planetare, brenda saj vepron një vijë e përcaktuar që lidhet me mbrojtjen e interesave, e cila nënkuptohet në mesahzhin e fjalimit të parë presidencial. Lë të vijë kush të dojë në krye të shtetit, gjestrategjia dhe gjeopolitike edhe nëqoftëse do të ndryshojnë, janë ato që do të diktojnë. Megjithatë dalldisja politike ka mbërthyer shumë vende të Europës, të cilët po kuptojnë se nuk do të jetë më si më parë në marrëdhëniet e tyre me SHBA-të.

Share: