Home KRYESORE Zoti i dhëntë qeverisë që vjen “sy dhe veshë”për biznesin e vogël!

Zoti i dhëntë qeverisë që vjen “sy dhe veshë”për biznesin e vogël!

Nga Kasem Seferi

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, te neni 155 përkufizon: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare dhe vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj.

Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese. Ndërsa te neni 157, pika 3 përkufizon: “3. Organet vendore caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime siç përcaktohet me ligj.”

Hierarkia juridike e përkufizuar në nenin 155, të drejtën e lehtësimit, ose përjashtimit, ia jep Kuvendit të Shqipërisë dhe lehtësimi, ose përjashtimi i kategorisë së biznesit të vogël në lidhje me taksën vendore për biznesin e vogël, tatimin mbi pasurinë dhe detyrimet financiare (tarifat) vendore, caktohen me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në rastin e nenit 157, pika 3, organet vendore kanë të drejtën të caktojnë dhe të mbledhin taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj. Në kuptim të hierarkisë juridike, organet vendore janë të detyruara të zbatojnë atë çfarë është caktuar me ligj.

Fakt: Ligji “Për taksën vendore për biznesin e vogël”, deri në vitin 2007 u administrua nga administrata tatimore qendrore, e cila pasi mblidhte këstin e caktuar, e transferonte brenda 10 ditëshit të muajit pasardhës në buxhetin e bashkisë/komunës.

Deri në vitin 2005, taksa vendore për biznesin e vogël, kundrejt totalit të buxhetit të shtetit, kontribuonte me 6 për qind, ndërsa në vitin 2006, kur me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë u përgjysmua përqindja nga 3 në 1,5 për qind, kjo taksë kundrejt totalit kontribuoi me 4 për qind.

Mbledhja e taksës vendore për biznesin e vogël, me ligj, iu transferua qeverisjes vendore në vitin 2007 dhe iu rikthye këto dy vitet e fundit.

Të dhënat flasin vetë: nga 3 miliard lekë të mbledhura si taksë vendore për biznesin e vogël gjatë vitit 2008 nga administrata tatimore qendrore; nga zbatimi i 10 përqindshit deri në 31 Mars 2009, nga administrata tatimore qendrore u mblodhën 80 milion lekë më shumë, ose 2,6 për qind më shumë.

Në ligjin “Për taksën vendore për biznesin e vogël” parashikohet një tolerancë prej +/- 30 për qind, tolerancë e cila zbatohet edhe për tatimin mbi pasurinë, taksën e tabelës, pastrimit, etj si dhe detyrimet financiare (ose tarifat). Me amendament toleranca u bë +10/-30 për qind.

Në vitin 2005 veprimtarinë e tyre ekonomike në treg e ushtronin 46 mijë biznese (rreth 10 mijë ishin të regjistruar për TVSH, ndërsa diferenca ishte e regjistruar si biznes i vogël); deri në vitin 2011 ishin regjistruar afërsisht 102 000 biznese (që përfshinin edhe rrjetin e dyqaneve të kompanive të mëdha, në fakt, përfaqësonin 130 000 vende efektive ku ushtrohet veprimtari ekonomike).

Amendamenti i propozuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2011, për të rritur përqindjen mbi kuotën fikse, në thelbin e vet, nuk përfaqësonte një masë tipike antikrizë në kuptim të nxitësve fiskalë që do të shmangnin: rritjen e papunësisë; uljen e të ardhurave nga kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore; rritjen e shpenzimeve buxhetore për financimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, për ndihmë ekonomike; rënien e madhësisë së granteve që i transferohen organeve të qeverisjes vendore; rënien e kërkesës konsumatore për mallra të dorës së parë.

Për pasojë, do të shënohej rënia e qarkullimit ekonomik ë bizneseve të mëdha importuese dhe prodhuese me efekte direkte në të ardhurat e TVSH – së, tatimit mbi të ardhurat etj. Rritja e shkallës së ekonomisë informale (që do të ndikonte në rënien e të ardhurave tatimore).

Shtimi i frikës dhe hezitimit të konsumatorit, faktor ky që, gradualisht, në vitet 2012 – 2016 ende dhe këto ditë të vitit 2017 ka ndryshuar sjelljen konsumatore.

Për vitin 2008 të ardhurat e mbledhura në shkallë vendi nga zyrat tatimore vendore ishin afërsisht 90 për qind, ndërsa Bashkia e Tiranës, që përfshinte pothuajse gjysmën e kapacitetit të të ardhurave nga biznesi i vogël, mblodhi afërsisht 60 për qind (nga 3,7 miliard lekë të parashikuara në 2,7 miliard lekë) çka dëshmon përse u bë presion për të rritur përqindjen mbi kuotën fikse të Taksës Vendore për Biznesin e Vogël.

Biznesi i vogël është një nga punëdhënësit e konsiderueshëm direkt (nëpërmjet vetëpunësimit dhe punësimit të të tjerëve jashtë përbërjes familjare) dhe indirekt (duke ruajtur të njëjtin nivel të shitjeve të produkteve të bizneseve të mëdha prodhuese dhe importuese).

Qarkullimi ekonomik që kishte kishte filluar rënien. Sjellja konsumatore filloi të kufizohej në artikujt bazë ushqimore të cilët nisën të përgatiteshin në kuzhinat shtëpiake. Kësisoj, rritja e nivelit të taksës dhe tarifave vendore do të çonte, ose në falimentim, ose në shkurtimin e të punësuarve në sektorin e biznesit të vogël, ose kalimin e tyre në ekonominë informale.

Vendosja e pragut tatimor, kur hartohen dhe miratohen politikat tatimore, duhet të bëjë dallimin në tre nivele: mikro – veprimtaria, firmat e vogla dhe operimet e madhësisë së mesme

Përcaktimi i treguesve të përshtatshëm dhe vendosja e një përqindje të përshtatshme tatimore për biznesin e vogël, është një proçes sfidues, sepse kërkon analiza të gjëra të margjinave të fitimit, që zakonisht duhen diskutuar me komunitetin e biznesit, sidomos për disa biznese të vogla që, domosdoshmërisht, nuk fitojnë pak para.

Përqindjet duhet të jenë të tilla që t’i inkurajojnë firmat që ndodhen në brezin e pragut tatimor që ndan tatimpaguesit e regjistruar për TVSH nga ato të biznesit të vogël, me qëllim që biznesi i vogël t’i bashkohet sistemit të përgjithshëm, si dhe të ulta për t’i inkurajuar sipërmarrësit e biznesit të vogël të plotësojnë kërkesat e legjislacionit tatimor.

Prandaj proçesi kërkon analiza të gjëra të bazuara në anketime të margjinave të fitimit të firmave të vogla për të përcaktuar përqindjet tatimore të tatimit të marrë me mend.

Qëllimi qendror i reformimit të politikave të të tatuarit të biznesit të vogël është pjesëmarrja e mëtejshme e tij në ekonominë formale, si dhe krijimi dhe konsolidimi i kulturës së plotësimit të legjislacionit tatimor.

Sikundër është vënë re ende ka pengesa serioze për formalizimin e bizneseve të vogla; minimizimi i kostove të plotësimit të kërkesave të legjislacionit tatimor shkon përtej çështjeve të të tatuarit.

Hyrja e operatorëve të biznesit të vogël në ekonominë formale influencohet nga besimi i tyre te administrata tatimore, besim ky që formohet nga perceptimet e tyre, të cilat mund të ndryshohen nëpërmjet përmirësimit të ndihmës, shërbimeve të synuara dhe, sidomos, dialogut publik – privat për ta angazhuar sektorin privat prej fillimit në procesin e reformës.

Pamja e tanishme e varfër (në numër konsumatorësh), në njësitë e biznesit të vogël, pagesa e TVSH – për ujë, energji elektrike, telefoni (fikse ose të lëvizshme, ose 20 për qind e këtyre shpenzimeve domethënëse që nuk i zbriten biznesit të vogël si shpenzime biznesi), ulja e nivelit të punësimit dhe kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore është NO COMMENT.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: