Home KRYESORE Bllokimi i vizave nga Ambasada Amerikane, reagon shoqata e gjyqtarëve

Bllokimi i vizave nga Ambasada Amerikane, reagon shoqata e gjyqtarëve

Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar pas anulimit të vizave për disa gjyqtarë. Në një deklaratë të bërë publike për median, Shoqata e Gjyqtarëve shprehet se nuk mund të rri në heshtje dhe të vazhdojë të mbajë mbi supe sulme të padrejta dhe akuza të fryra nga aktorë publikë dhe segmente të caktuara duke i konsideruar funksionarët e drejtësisë si zyrtarë që nuk e duan reformën.

Sipas gjyqtarëve, opinioni publik çdo ditë e më shumë po ushqehet me komente denigruese dhe po i serviret një tablo e deformuar në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke synuar delegjitimimin e këtij sistemi në sytë e tij.

Për sa i përket rasteve të anulimit të vizave, Shoqata e gjyqtarëve shprehet se rastet duhet të shqyrtohen individualisht. Ndërkaq, shoqata shprehet pro reformës por në anën tjetër deklaron se nuk do të lejojë të nëpërkëmbet dinjiteti i funksionarëve të drejtësisë.

Deklarata e plotë e Shoqatës së Gjyqtarëve:

Të nderuar qytetarë, media, politikanë dhe ambasadorë të vendeve mike! Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me instrumentalizimin që po i bëhet ngjarjes së anulimit të vizave disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Së pari, na lejoni t’iu theksojmë se si zyrtarë të lartë të një vendi demokratik nuk mund t’ia lejojmë vetes komentimin mbi një vendim sovran të një vendi mik. Megjithatë, nuk mund të rrimë në heshtje dhe të vazhdojmë të mbajmë mbi supe sulmet e padrejta dhe akuzat e fryra që aktorë publikë dhe segmente të caktuara janë duke i bërë organeve të drejtësisë prej disa kohësh, duke i konsideruar funksionarët e sistemit të drejtësisë si zyrtarë që nuk e duan reformën në drejtësisë.

Ju bëjmë me dije se ne kemi dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e kuadrit ligjor të reformës në drejtësi, duke u bërë kështu pjesë e grupeve të punës, për të rritur cilësinë e projektligjeve dhe sugjerimet tona i kemi përcjellë në mënyrë institucionale pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sugjerime të cilat janë pranuar si të drejta edhe nga Komisioni i Venecias.

Gjithashtu, me keqardhje konstatojmë se me avancimin e etapave të reformës në sistemin e drejtësisë, një reformë e mirëpritur nga ana jonë, presioni ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë po rritet gjithnjë e më tepër.

Kemi theksuar se, që në fillim të kësaj reforme, organet e drejtësisë në vend, padrejtësish janë etiketuar si “pjesa e sëmurë” e organizmit shtetëror dhe e keqja që duhet luftuar. Kjo frymë anti-institucionale ka ardhur në rritje, deri në pikën sa tashmë reforma po konceptohet si një reformë kundër sistemit të drejtësisë dhe jo reformë për sistemin e drejtësisë.

Ndjehemi të zhgënjyer nga fakti që opinioni publik çdo ditë e më shumë po ushqehet me komente denigruese dhe po i serviret një tablo e deformuar në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke synuar delegjitimimin e këtij sistemi në sytë e tij. Kjo jo vetëm nuk i shërben kryerjes me sukses të kësaj reforme të madhe, por minon themelet e suksesit të saj.

Kemi frikë se retorika që po përdoret ndaj sistemit dhe sidomos ajo e lidhur me ngjarjen e fundit ka gjasa që si shumë herë të tjera të amplifikohet dhe të shërbejë si mjet presioni ndaj organeve të reja kushtetuese, duke mos i lejuar që të kryejnë misionin për të cilin janë krijuar, konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Anulimi i vizave për disa nga kolegët tanë është një çështje që duhet të trajtohet individualisht për secilin rast dhe nuk mund të shërbejë as si etalon matjeje për punën në institucionet e drejtësisë dhe as kriter për vendimmarrjen e organeve që do të realizojnë procesin e vettingut. Ne nuk kemi të drejtë të hamendësojmë mbi shkaqet, por i garantojmë vendet mike dhe kontribuuese në reformën në drejtësi, sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se institucionet e drejtësisë nuk kanë qenë, nuk janë dhe as nuk do të jenë pengesë në kryerjen e kësaj reforme, por as nuk do të lejojnë që të nëpërkëmbet dinjiteti i funksionarëve të drejtësisë.

Share: