Home I pakategorizuar Ilia Shyti, një hap larg greminës

Ilia Shyti, një hap larg greminës

Një nga pionierët e artit tonë teatror profesionist dhe atij kinematografik në Shqipëri është,  pa dyshim, edhe “Artisti i merituar” Ilia Shyti. Edhe pse ishte nën vëzhgim të rreptë gjatë gjithë kohës, për mëse tre dekada, Ilia Shyti ka realizuar një numër të madh rolesh si në teatër, ashtu edhe në film. Madje në kinematografi Ilia Shyti ka realizuar më shumë role se kushdo tjetër. Përgjatë 30 vjetëve, Ilia ka 52 role në film, afërsisht një  në pesë filma ai ka një rol, qoftë edhe i vogël apo episodik. Kryesisht ka realizuar role karakteresh, role që kanë ardhur mirë te spektatori me gjithë ngrohtësinë dhe mjeshtërinë që sillte fjala dhe interpretimi i tij.  Por ky artist i shquar që asnjëherë nuk mori atë që meritonte, ka edhe kontribute të tjera si piktor, me mbi 300 e ca portrete e peizazhe, por edhe si mjeshtër i fjalës artistike, ku përveç radiodramatizimeve të shumta, ka realizuar mbi 1500 përralla për fëmijët në radio e në televizion.

Ilia u lind në Lushnjë më 29 korrik 1929 dhe u shua në Tiranë më 2004. Në Teatrin Popullor ai erdhi nga lëvizja amatore e qytetit të tij të lindjes. Në vitin 1951, falë talentit të tij, u bë një nga aktorët kryesorë, krahas mjeshtrave të tjerë të skenës. Deri në vitin 1964 gjithçka do të shkonte mirë. Role të shumë njëri pas tjetrit, në film e në teatër, madje nga tre katër role në vit, pjesa dërrmuese të të cilëve ishin role kryesorë. Në vitin 1964 ndodhi një ngjarje që i ndryshoi gjithë rrjedhën e tij dhe të familjes. Në gusht 1964 Ilia ndodhej në Kunë të Lezhës, duke xhiruar në filmin “Vitet e para” të Kristaq Dhamos. Ai kishte rolin e inxhinier Mborjes.  Befas, nga lart vjen urdhri që të ndërpriteshin xhirimet dhe grupi të kthehej në tiranë. Diçka kishte ndodhur. Një nga vëllezërit e Ilias, Zoi, piktor, punonte në Drejtorinë e Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si rezultat i kushteve të këqija të banimit dhe i pakënaqur nga regjimi, si pasojë e kthimit në atdhe dhe e mosvazhdimit të studimeve, vendos të arratiset, fillimisht në Greqi e më pas në SHBA.  Pas kësaj ngjarjeje tronditëse të gjithë pjesëtarët e familjes ishin në buzë të greminës.  Nënën e tij, plakë, së bashku me pjesën tjetër, e internojnë në fshatin Ardenicë, ku në një kasolle të braktisur nga lopët, ata jetuan për 27 vjet në internim.  I njëjti fat do e priste edhe Ilian, por, për fat të mirë, gjërat rrodhën ndryshe për të. Ai kishte qenë partizan, kishte interpretuar një mori rolesh dhe mbi të gjitha ishte shtëpi më vete me gruan e pesë fëmijët e tij. U desh ndërhyrja e fuqishme e regjisorit Kristaq Dhamo që ta rikthente atë në sheshin e xhirimit, përndryshe, në rast se do të zëvendësohej, këtu mbyllej një herë e mirë e gjithë karriera e tij. Por nuk përfundon me kalvari i tij. Në Teatrin Popullor nisi lufta e vërtetë për ta përjashtuar. Me nisjen e zonit të ri artistik ai nuk e gjeti emrin në listën e trupës së aktorëve. I shqetësuar flet me drejtorin, i cili i thotë se je transferuar në Berat, “për t’i dhënë një dorë artit të këtij qyteti”. Por, për fat të mirë, kolegët e tij tregohen më të fuqishëm e më solidarë se kurrë ndaj tij. Në një mbledhje të Teatrit që do të vendosej mbi fatin e tij, në të cilën merrte pjesë edhe Manush Myftiu, ngrihen në mbrojte të aktorit të shquar, njëri pas tjetrit, Ndrekë Luca, Naim Frashëri, Gjon Karma, Ndrekë Shkjezi, Sulejman Pitarka, Lazër Vlashi.  “Për mua ishin vëllezër e shkuar vëllezërve”, kujtonte pas demokracisë Ilia. I gjendur në këto rrethana, i deleguari u tërhoq. Ilia nuk u transferua dhe ai rifilloi punë në teatër, por jo normalisht.  Për afro dy vjet nuk i jepnin role, ose ndonjë rol të vogël, figurantësh, sa për të justifikuar qëndrimin e tij në teatër.  Në vitin 1967 ishte regjisori Piro Mani që i dha rolin e Franit në dramën “Cuca e maleve”, një rol i plotë që  e shpëtoi përfundimisht.  Kur trupa shkonte në turne në ish- Jugosllavi, Ilia nuk dilte, shkonte dublanti i tij.  Më pas, deri në vitin 1972 realizoi disa role të vegjël, për të ardhur përsëri me regjisorin Piro Mani në rolin e të zotit të dasmës nga drama “Gjenerali i ushtrisë vdekur”. Dalëngadalë po fillonte të rehabilitohej, por raportet e sigurimit dhe njerëzve që punonin për të vazhdonin ta kishin në krye të listës, së bashku me kolegët të tjerë që ishin gjithmonë të rrezikuar për t’u larguar nga teatri apo “armiq” potencialë edhe për ndonjë arrestim të bujshëm, sepse cilësoheshin me “njollë në biografi”, dhe një vëlla i arratisur në SHBA nuk ishte pak në vitet 70-të. Pas vitit 1973rifillin të vijnë edhe rolet në film, njëri pas tjetrit, madje në disa vitet nga tre katër role, të vegjël por që zinin vend shumë mirë mes aktorëve të tjerë. Xhanfise Keko, Viktor Gjika, Muharm Fejzo, Rikard Ljajra, Saimir Kumbaro etj  e kishin gjithmonë në listën e aktorëve të filmit të tyre të ardhshëm. Mezi iu dha titulli “Artist i merituar”, nga fundi i viteve 80-të. Gjithsesi, derisa ra regjimi Ilia Shyti jetoi me frikën dhe pasigurinë për të nesërmen, për të dhe familjen e tij. Ishte tragjedia e artistit në diktaturë, ishte drama e brendshme të cilën ai e jetoi dhe interpretoi realisht, me aktorë dhe skenë reale, në teatrin absurd të diktaturës komuniste.“360grade.al”

Share: