Home KRYESORE Konferenca Mynihut dhe Tirana e ironive

Konferenca Mynihut dhe Tirana e ironive

Nga Azem Parllaku

Që nga themelimi i saj më 1963 nën emrin “Internationale Wehrkunde-Begegnung”, Konferenca e Sigurisë në Mynih ka qenë një forum i pavarur që i kushtohet promovimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut.

Në këtë Konferencë, Shqipërinë e përfaqësoi Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Këtë fundjavë në Mynih të Gjermanisë liderët botërorë diskutuan rreth çështjeve kryesore të zhvillimeve aktuale në fushën e sigurisë globale, për të cilat dhe shpalosën mendime dhe pikëpamje të ndryshme.

Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se; “Gjatë punimeve te kësaj konference, ministrja Kodheli bisedoi me homologun e saj austriak Hans Peter Doskozil, komisionerin e BE-së për Migrimin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, të cilët i njohu me masat që vendi ynë ka marrë në rast përballjeje direkte me fluksin e refugjatëve”.

Përgjatë zhvillimit të Konferencës ishte Kancelarja gjermane Angela Merkel, ajo që u shpreh se Europa e ka për detyrë të pranojë emigrantë. Merkel foli si një lider i denjë i Bashkimit Europian, ndërkohë që në qytetet kryesore të Europës kanë mbërritur miliona emigrantë, të cilët kanë shpëtuar kokën nga vatrat e luftës në Lindjen e Mesme.

Kur e mendon se, fluksi i refugjatëve nga Shqipëria ka alarmuar Gjermaninë, deklarata e Kodhelit, se Shqipëria ka marrë masa për përballjet direkte me fluksin e refugjatëve, nuk është veçse një ironi. Kodheli flet për refugjatët, teksa vendi i saj Shqipëria është renditur e katërta, pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut sa i përket numrit të azilkërkuesve të regjistruar si refugjatë në vendet e Bashkimit Europian.

E ndërkohë që, këtë fundjavë të gjithë pjesëmarrësit në Konferencë kishin drejtuar vëmendjen tek pozicionimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe qeveria e re, ishte Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence iu ka thënë liderëve të Europës se; “Shtetet e Bashkuara tani dhe gjithmonë do të jenë aleati juaj më i madh”, duke u fokusuar tek përkushtimi i Uashingtonit ndaj lidhjeve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump. Pence tha se, “Lidhja e qëndrueshme në mes të SHBA-së dhe Europës është ndërtuar jo vetëm mbi fuqinë e armëve, por edhe mbi bazën e përbashkëta dhe parimet që ne i duam shumë: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit”

Në të njëjtën kohë, Pence e ka përsëritur thirrjen e Trumpit për aleatët europianë që të kryejnë obligimin e tyre rreth shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake, duke kujtuar se vetëm pesë vende anëtare të NATO-s e kanë arritur cakun e shfrytëzimit të 2 % të PBB-së për ushtrinë.

E ulur diku në fund të sallës në këtë Konferencë, kreu i delegacionit shqiptar Kodheli e ka ulur kokën kur, më mirë se kushdo e di që, në Shqipërinë e saj buxheti i Mbrojtjes për vitin 2017 është afërsisht 2.8 herë më i ulët se niveli 2% PBB-së, një synim kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhim i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Wellsit, në 2014, dhe të Varshavës, në Korrik 2016. Vlerësuar kështu, ky buxhet nuk reflekton shqetësimin e ngritur në mënyrë konstante nga aleatët strategjikë (SHBA) si dhe nuk adreson qëndrimet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili parimin e “ndarjes së barrës” dhe specifikisht këtë shifër (2%) i ka artikuluar si standarde detyruese për vendet anëtare të NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ndërsa në Konferencë kryefjalë ishte siguria, mund të thuhet se edhe Shqipëria për vetë objektivat strategjike që ka është tejet e interesuar që të njohë dhe t’i paraprijë çdo lloj zhvillimi që ka të bëjë me sigurinë. Fenomene në dukje të largëta siç janë, terrorizmi, emigracioni, euroskepticizmi, ndikimi i politikave të faktorëve globalë dhe rajonalë, ndikojnë drejtpërdrejtë, apo dhe tërthorazi mbi vendin tonë. Duke njohur realitetin për politikbërësit shqiptarë është e rëndësishme ndryshimi i perceptimit, e për rrjedhojë i aksionit duke kaluar nga përballimi i skenarëve dhe krizave afatshkurtra, në përpilimin e strategjive afatgjata, ku të përfshiheshin të gjithë elementët strukturorë dhe instrumentalë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë për shqiptarët kudo ata janë.

Por çfarë në fakt ofron Tirana në Mynih?

Në ditën përmbyllëse të Konferencës, shqiptarët nëpërmjet protestës kërkojnë qeverisje më të mirë dhe garantimin e zgjedhjeve të radhës si të lira e të besueshme.

Në Tiranën e ditëve të fundit komandot e Kodhelit në Afganistan janë shndërruar në hajdutë të parave në vatan.

Zyra europiane e statistikave “Eurostat” përmes studimeve të saj e rendit Shqipërinë në vend nderi për nga numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.

Shqipëria, e cila nga Raporti i Bashkimit Europian publikuar si një udhërrëfyes për Europolin dhe policitë e tjera të Unionit, ku vlerësohen se aktivitetet e paligjshme, renditet si e para në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane.

Shqipëria emri i të cilës u përdor gjatë fushatës së BREXIT për të bindur britanikët se, qëndrimi në BE do të bënte që një ditë të përballen me vende të korruptuara ku mbizotëron krimi, si Shqipëria, e do të zhyteshin thellë në probleme.

Shqipëria, e cila në raportin më të fundit të kompanisë prestigjioze “Standard and Poor’s” të gushtit 2016, ka shënuar një trend rritës në nivelin e papunësisë krahasuar me vitet e mëparshme dhe vendet e rajonit.

Shqipëria, ku sistemi i arsimit dhe ai shëndetësor, paraqiten në një gjendje shumë të dobët për një vend që aspiron të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të integrohet në Bashkimin Europian. Ndërkaq, raportet dhe të dhënat e publikuara nga një sërë organizatash e institucionesh shpalosin një panoramë të trishtë të këtyre sektorëve.

Shqipëria, vendi ku zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira më 18 qershor, është kryefjalë e debateve të instutcioneve europiane, sa herë ajo merret në referencë.

Shqipëria, për të cilën Organizata “Reporterë pa Kufinj” vlerëson se liria e medias në mbetet në stanjacion. Në indeksin e vitit 2016, Shqipëria ruan të njëjtin pozicion me vitin e kaluar vendi i 82 nga 180 shtete të analizuara.

Shqipëria, demokratike që e gjen veten në udhëkryq. Ajo vlerësohet shumë më ulët se shumica e ish-vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave për treguesit e demokracisë, dhe ende nuk ka krijuar një sistem mirëfunksionues demokratik.

Shqipëria, që renditet mes vendeve më të varfra në rajon dhe mundësi të kufizuara ekonomike.

Shqipëria, ku korrupsioni, paligjshmëria e përhershme dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë.

Share: