Home KRYESORE Neranxi: Veting ekonomisë!

Neranxi: Veting ekonomisë!

Nga Nikollaq Neranxi*

Revista “Monitor” jep alarmin: Para e madhe e cila nuk dihet nga vjen, po investohet në patundshmëri. Veting ekonomisë!

Jam shumë i lumtur që ideja ime e dhënë pak ditë më parë në gazetën “Albania Daily News” sipas së cilës vetingu duhet të shtrihet edhe në ekonomine dhe sipërmarrjen shqiptare, pasi ka shumë raste ku pastrohen paratë e gjyqtarëve dhe politikanëve, gjen përkrahje nga revista prestigjoze “Monitor”.

Në editorialin e saj “Veting edhe në ekonomi”, revista tregon se në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërisht atë të banesave, po ndodhin gjëra të pajustifikuara. Revista ka mundur të mbledhë të dhëna nga agjentë në treg se këta muajt e fundit, kërkesa për blerje banesash është rritur ndjeshëm.

Megjithëse çmimet e shitjes janë rritur më shumë sesa efekti i taksës së vendosur, fenomeni nuk është frenuar. Nga bankat nuk po vijnë raportime që të ketë rritje të dukshme të kërkesës për kredi për shtëpi. Ndërtuesit thonë se po dominojnë blerjet me para në dorë.

Ky fenomen nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë që burojnë nga ekonomia, për sa kohë rritja e saj nuk është më e madhe se 3% dhe vjen nga disa vite kur ishte shumë afër zeros. Madje INSTAT thotë se rritja reale e të ardhurave për qytetarët është zvogëluar.

Edhe taksat për ndërtimin janë rritur. Sipas revistës, ky fluks blerjesh përkon me kohën kur në vend ka nisur formalisht procesi i reformës që, përmes instrumentit të pasurive së pajustifikuara te njerëzit e drejtësisë, do tentojë t’i nxjerrë ata nga sistemi si të korruptuar apo dhe të kriminalizuar.

“Monitor” thotë se ky kërcim i pajustifikueshëm i çmimeve vjen nga burime të errëta të ekonomisë dhe se pikërisht për këtë fakt, puna e ndershme e shqiptarëve të thjeshtë ka shkuar dëm. Kjo rritje çmimesh jashtë ekonomisë së bardhë ka goditur pikërisht përpjekjet dhe punën e njerëzve që punojnë ndershmërisht.

Ka vetëm një rrugë zgjidhje: krimi dhe korrupsioni duhet të paguajnë për çdo qindarkë të pasurisë së pandershme. Nëse Reforma në Drejtësi, e cila zyrtarisht nisi si procedurë që nga e premtja e javës së kaluar, nuk merr në konsideratë këtë qëllim, është e prirur për të dështuar.

Duhet: Veting në Drejtësi, Veting në Politikë, Veting në Ekonomi. Nëse s’bëhet kjo, nuk e keni seriozisht!

*Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë

Share: