Ligji i dekriminalizimit ka shkaktuar përsëri furtunë në këshillat bashkiakë të vendit. Pas intensifikimit të përpjekjeve për zbatimin e këtij ligji të shumë debatuar në vend dhe pas heqjes së mandatit të dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, por dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, fokusi është kthyer përsëri tek këshilltarët bashkiakë në vend. Rezulton se shtatë anëtarë të tjerë, përveç atyre të larguar më herët, ushtrojnë funksionin e tyre në shkelje të ligjit dhe për këtë arsye do të humbasin mandatet e tyre. Ditën e martë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do t’u heqë mandatin shtatë këshilltarëve të tjerë bashkiakë, të cilët sipas verifikimeve të bëra nga struktura për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme kanë rezultuar të dënuar me vendime të formës së prerë. Në këto kushte, Prokuroria i ka kërkuar KQZ-së ndërprerjen e mandateve, vendim të cilin ky institucion do ta marrë në mbledhjen e ditës së martë. Sa u përket këshilltarëve që do të humbasin mandatet, ata janë nga qytete të ndryshme të vendit. Sa i përket këshilltarëve bashkiakë që do të humbasin mandatet e tyre ata janë: Tomorr Prrenjasi, këshilltar në bashkinë e Maliqit; Muharrem Shkjau, në Bashkinë e Shkodrës; Zija Mema, në Bashkinë e Rrogozhinës; Rrok Rroku në Bashkinë e Lezhës; Robert Dajani në Bashkinë e Malësisë së Madhe; Gani Hida, në Bashkinë e Elbasanit si dhe Bibe Kolaj në Bashkinë e Pukës. Sipas verifikimeve të bëra nga struktura për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar se të shtatë këta persona kanë rezultuar me vendime gjyqësore të formës së prerë, subjekt i ligjit për dekriminalizimin, çka do të thotë se atyre duhet t’u ndërpritet menjëherë mandati i këshilltarit bashkiak.
Shkeljet
Sipas relacioneve përkatëse të vëna në dispozicion, rezulton se të shtatë këshilltarët bashkiakë që do të humbasin mandatin kanë kryer në të shkuarën vepra penale dhe kanë vendime dënimi të formës së prerë, të cilat nuk i kanë deklaruar në momentin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin. Por le të ndalemi konkretisht te të shtatë këshilltarët bashkiakë dhe shkeljet e tyre. “Nga verifikimi i të dhënave në Formularin e vetëdeklarimit të Z. Bibe Kolaj, në cilësinë e anëtarit të këshillit të Bashkisë Pukë, si dhe nga shqyrtimi i vërtetimit të gjendjes gjyqësore, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, rezulton se Z. Bibe Kolaj: është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me 4 (katër) vjet burg, për kryerjen e veprave penale, “Vrasje të kryer në bashkëpunim në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, parashikuar nga neni 83- 25, i Kodit Penal, vendimi nr.55, datë 13.04.2004 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë. është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me gjobë 80 000 mijë lekë, për veprën penale “Kanosje”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Pena, vendimi nr.50, datë 20.07.2006 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë”, thuhet në relacionin e administratës së KQZ-së. E njëjta problematikë vërehet edhe në rastin e këshilltarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Robert Dajani. “Nga verifikimi i të dhënave në Formularin e vetëdeklarimit të Z. Robert Dajani, në cilësinë e anëtarit të këshillit të bashkisë Malësi e Madhe, rezulton se është dënuar (2) dy vjet e (6) gjashtë muaj burgim për veprën penale neni 283/2 “Prodhim dhe Shitjes së Narkotikëve””, thuhet në relacionin e KQZ-së.