Home KRYESORE Një gjyqtar federal kundër Trump, pezullon ligjin pēr emigrantët myslimanë

Një gjyqtar federal kundër Trump, pezullon ligjin pēr emigrantët myslimanë

Një gjyqtar federal ka dalë kundër urdhrit ekzekutiv të Donald Trump, që pezullon përkohësisht vizat për shtetasit e shtatë vendeve kryesisht myslimane.

Gjyqtari federal i Seattle, James Robart urdhëroi pezullimin e përkohshëm të deportimit dhe ndalimit të hyrjes të të gjithë të prekurve nga urdhri i Presidentit Trump në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara.

Ai doli gjithashtu me një vendim që rrëzon pretendimet e juristëve të administratës Trump, që thonë se shtetet e federatës nuk mund të ndërhyjnë në urdhrin ekzekutiv të Presidentit.

Robart shqyrtoi padinë e paraqitur nga shteti i Uashingtonit, të cilit më pas iu bashkua edhe Minesota. Prokurori i Përgjithshëm i Uashingtonit, Bob Ferguson e përshkroi urdhrin si të paligjshëm dhe antikushtetues, i cili diskriminon njerëzit në bazë të besimit të tyre fetar.

Padi të ngjashme janë duke u shqyrtuar nga gjykatat edhe në shtete të veçanta, si në Virxhinia, Nju Jork, Masaçusets dhe Miçigan.

Shtëpia e Bardhë e cilëson urdhërin si të ligjshëm dhe brenda Kushtetutës. “Urdhri i Presidentit synon mbrojten e vendit me autoritetin dhe përgjegjësinë që ka për të mbrojtur qytetarët amerikanë”, thuhet në deklaratën e administratës së Trump.

Nisma në fjalë e Donald Trump pezullon për 4 muaj programin e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve dhe vendos një bllokim të pakufizuar në kohë për të gjithë refugjatët sirianë dhe një pezullim prej 90 ditësh të vizave për shtetasit e Irakut, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.

Sipas të dhënave të autoriteteve, deri më tani janë bllokuar ose anuluar krejtësisht rreth 60 mijë viza nga shtetas të këtyre vendeve./lapsi.al

Share: