Home KRYESORE Taksixhiu, drogaxhiu dhe Policia e Shtetit që nuk është…

Taksixhiu, drogaxhiu dhe Policia e Shtetit që nuk është…

Nga Artur Zheji

Për Policinë kam patur simpati gjithmonë, ngase harbutëria e të fortëve shqiptarë, arroganca e ca biznesmenëve rrugaçë që kanë marrë jetë njerëzish rrugëve dhe e kanë mbyllur gjithmonë çështjen me një shuk parash, më ka acaruar gjithmonë.

Apo varefëria e dhimbshme dhe ekstreme e shumë policëve të shpërdoruar apo të vrarë nga banditizmi dhe të tradhëtuar nga Shteti, në këto 26 vite tranzicion ka qenë një poshtërim i paraqitjes së ligjit dhe shtetit, që më ka shtyrë gjithmonë të mendoja se Policia në këtë vend do të jetë gjithmonë një kokë turku apo një fasadë, përtej së cilës krimi, padrejtësia dhe harbutëria e bandave kriminale, do të bëjë përherë ligjin e xhunglës në Shqipëri.

Ndryshe nga shumë kolegë, e kam vlerësuar fillimisht me shumë simpati ardhjen në krye të Ministrisë së Brendshme të Saimir Tahirit. Ngase e njihja pak personalisht dhe kisha përshtypjen që është një djalë i ndjeshëm, besnik nga natyra dhe me sensin e të drejtës dhe të drejtësisë, në formimin e tij qytetar dhe njerzor. Madje edhe reformat e tija të para dhe ndeshja ballë për ballë me arrogancën e ca të fortëve, e ca deputetëve pordhacë, që krekoseshin me makinat e tyre kundër çdo rregulli rrugor dhe jo vetëm, përforconte simpatinë për Sajmen, që bariste dhe inspektonte edhe natën vonë rrugët e Tiranës. Duke u bërë për ca kohë tmerri i lokaleve abuzive të natës dhe dora e fortë e Ligjit nëpër qendra urbane.

Mirëpo dimensioni politik dhe kërkesat politike të Kryeshefit të vet, e çuan mjerisht dhe ditë pas dite, grafikun e reputacionit të tij në rënie të lirë. Që nga rasti i Durim Bamit, “vrasësi i ashtuquajtur me pagesë”, dëshiminë e të cilit e kishte marrë personalisht, sipas Bamit dhe nuk e kishte raportuar zyrtarisht, te rasti “Çako” i pajisjeve përgjuese, te “kanabizimi i Shqipërisë”, aeroportet e drogës në Ishëm dhe gjetkë, si edhe te qindra episode të tjera më të vogla që pasuan, dhe u përjetua kështu, shfryrja e dhimbshme e mitit se Policia e Shtetit, do të ishte në krah të popullit dhe kundër të fortëve, kundër banditëve dhe kundër arrogancës së tyre urbane.

Dhe jo më larg se dje përjetova fabulën: Taksixhiu, drogaxhiu dhe Policia e Shtetit që nuk është.

Rrëfim i jetuar.

Një gotë verë te Taivani me time shoqe, mbas 14 orë pune në kompjuter, mbrëmë kisha përshtypjen se e meritoja. Mirëpo nuk ishte e thënë që të kishte një happy end. Morëm një taksi për të shkuar në shtëpi, rreth orës 00.25, mbas mesnate. Taksisë i jepte një xhaxh për gjynah, që voziste një kerr t’vjetër. Mirëpo sapo kaluam semaforin e parë, duke u kthyer në të djathtë te Shallvaret, na ndaluan me sirena uluritëse një makinë policie dhe një djalosh polic me motor, duke e bllokuar taksinë, sikur të kishin kapur, hypur në të vetë Eskobarin e Ballkanit. Taksixhiu u tremb për vdekje, ime shoqe aty afër, madje deri diku edhe unë.

Kontrollova xhepat me shpejtësi se mos më kishin rrasur diku ndonjë qeskë me mall dhe fantazia bëri pjesën tjetër. Taksixhiu i tmerruar hapi krahun dhe te dritarja na u shfaq një fytyrë rrumbullake civili që bërtiti:

“Ke parkuar te semafori, por rrotat e para kanë prekur vijat e bardha! Dokumentat dhe do të ndëshkohesh me një masë administrative!”

Taksixhiu u drodh dhe i doli nga goja një : “Si urdhëron”, një “siurdhëron” nga ato që do ti kishte mbetur sigurisht nga ushtria. Dola nga taksia, por civili ndezi sirenat e makinës së policisë dhe iku me shpejtësi sa më pa. Me ne ndejti polici i patrullës që qëndiste letrat e gjobës dhe mbas këmbënguljes sime se kush ishte ai “burri”, më tha nëpër dhëmbë se ishte një “shef i madh” dhe asnjë fjalë më tepër. Kaluan 20 minuta të tjera dhe ora shkoi 00.45 kur dhe u pagua gjoba.

Taksixhiun plak pothujase e zunë të qarët: “Unë për 10.000 lekë rri gjithë natën zgjuar!” psherëtiu derëziu.

Ndrrova mendje. “Më ço nga zyrat i thashë, se do të marr makinën time!” dhe si e do tradita e zotërinjve, pothujase ja rimbursova gjobën e padrejtë që mori.

Brodha më pas nja 1 orë me makinë nëpër Tiranë për të vëzhguar se mos është ndonjë fushatë disiplinuese dhe pashë si edhe shoh shpesh, edhe mbrëmë, super makinat e shtrenjta, Range, Mercedes Benz të fundit 150.000 eurshe, Audi të zinj, që ecnin rrugë e pa rrugë, semafor e pa semafor, duke “xhiruar rrotat”, për shtatë palë qejfe.

Prita me dëshirë që të shikoja ndonjë patrullë policie që të kapte ndonjë nga këta maskarenjtë e fortë të arrogancës urbane, por nuk pata fat! Me sa duket e kishin mbyllur mbrëmë bilancin me fakir Taksixhiun dhe nuk ja kishin dot ngenë dhe “balls”, të ndalonin veturat 100,000 apo 150.000 eurshe të të fortëve dhe drogaxhinjve. Se unë super rrogë kam patur tërë jetën, por 100.000 euro për një makinë s’do të mundja dot kurrë të shpenzoja.

Ja kështu i dashur Sajme nëse më lexon. Bilanci i djeshëm që unë pashë ishte një taksixhi i përlotur dhe i gjobitur dhe harbimi i Range-ve apo i super Bencave të jetës së natës.
Nuk po flasim për të tjerat, si përshembull se çfarë mund të kishin të paligjshme brenda tyre këto supermakina të paprekshme, porse arrogance e tyre është thjesht e neveritëshme dhe frika apo Policia qorre ndaj tyre, një çorbë që nuk gëlltitet.

Shteti është krijuar për të mbrojtur të dobtit Sajme, thotë historia e doktrinave sociale. Dhe jo për tu ngrefosur ndaj të dobtëve, si tek “Të Mjerët” e Hygoit, kur Gavroshët futeshin në burg se vidhnin një bukë dhe aristokratët ushqenin patat dhe zogjtë me pandespanjë ose revani, si i themi në shqip./360grade.al

Share: