Home KRYESORE Një letër, që secili do donte t’i dërgonte gjyqtarit të çështjes së...

Një letër, që secili do donte t’i dërgonte gjyqtarit të çështjes së vet…

Nga Keti Bazhdari

Shoqata e gjyqtarëve qenka munduar të flasë përmes rreshtave në letrën saj ankesë ndaj qëndrimit të mbajtur, kryesisht nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, Z. Donald Lu ndaj reformës në drejtësi. Sipas kësaj letër, zbatimi i reformës me dorë të hekurt, krijon 2 shqetësime madhore, që të marra nga këndvështrimi i dikujt që jeton e punon në një vend demokratik, mund të lexohen si ofensivë e autoritetit të ligjit ndaj qytetarit. Një lloj prishje e ekuilibrave të brendshëm.

Si respekti ndaj institucioneve, emrit dhe aktivitetit që ata ushtrojnë cdo ditë, si respekti ndaj individit, kushdo qoftë ai gjykatës apo jo, janë të panegociueshëm në një shtet të së drejtës. Por këtu fillon pjesa kontroverse e logjikës së përdorur nga gjykatësit në letër dhe jo vetëm. Sepse ne s’jemi një shtet me demokraci të konsoliduar, që do të thotë shkelja e të drejtës në praktikë, ushtrohet natyrshëm nga njerëz me pushtet kundrejt atyre pa pushtet. Kjo ka bërë që në vend të demokracisë përfaqësuese, ku qytetari i thjeshtë zgjedh, qytetari të shkelet me këmbë dhe të mos ketë ku të ankohet.

Tani këta shkruesit e letrës nga njëra anë e pranojnë që ka nevojë për një reformë në drejtësi, ku vetë fjala reformë nënkupton ndërhyrje radikale dhe biles tregojnë që kanë qenë edhe vetë bashkëautor në hartimin e saj, por nga ana tjetër mundohen të bëjnë si naiv kur mbrojnë personazhe brenda sistemit të drejtësisë, që kërkojnë ta pengojnë atë. Si mund ta pengojnë? Besoj e kemi të gjithë të qartë që pengesë nuk do të thotë të mos e lësh një të drejtë apo sanksion të shkruhet në letër, sepse ne për ligje të mira kemi plot, problemi ka qenë gjithmonë zbatimi i tyre. Një gjyqtar apo prokurore e korruptuar s’mund të jetë kurrsesi më pjesë e shëndoshë e procesit të implementimit dhe zbatimit me sukses të reformës ne drejtësi.

Nje sistem drejtësie i degraduar si ai i Shqipërise, nuk është se lejonte shumë alternativa dhe asnjë sistem i korruptuar nuk është se lejon, në përgjithësi tenton të nxjerri jashtë cdo subjekt që nuk përshtatet. Me pak fjalë aty ku mbizotëron korrupsioni, bëhet thuajse e pamundur mbijetesa e një subjekti të pakorruptuar, i cili ose duhet të përshtatet ose eleminohet. Këtë, këta zotërinjte e letrës duhet ta kenë më të qartë se kushdo. Unë nuk dua të them se gjithë gjykatësit dhe prokurorët pa përjashtim janë të korruptuar, pasi unë vetë kam patur fatin të has një që s’është i/e tillë, por në shumicë dërrmuese janë.

Kjo vertetohet përmes sondazhit më të thjeshtë më qytetarët. Shumë pak janë ata, që s’kanë patur punë me gjykatat dhe shumë herë më pak ata, që kanë gjetur zgjidhje pa qenë të detyruar të bëhen pjesë e korrupsionit. Kjo jo se gjykatësit dhe prokurorët ishin njerëzit më të pandershëm të këtij vendi. Ata ishin thjesht më instiktivët, që u gjetën brenda një sistemi të korruptuar dhe kërkuan të përshtaten me cdo kusht për të mbijetuar. Të njëjtit njerëz, në një vend dhe sistem tjetër, s’do ishin fare pjesë e këtij diskutimi dhe këtë ambasadori amerikan nuk është se se di. Problemi është se kjo përshtatje s’zhbëhet më dhe në këtë pikë s’ka se si reformën ta bëjnë po këta njerëz. Hapja e krahut është veprimi më minimal dhe më i logjikshëm që mund të ndërmerret, pasi cdo rezistencë do jetë e kotë dhe vetëm sa do rrisë natyrën ofenduese të këtij debati.

Për të ulur keta tone të kota, të nderuar zotërinj të shoqatës së gjykatësve ndihmoni në zbatimin e reformës, duke shmangur si fillim ballafaqimin e panevojshëm me të, pasi do ketë më shumë dhimbje për ata që rezistojnë duke mohuar të shkuarën e afërt.

Zaret janë hedhur!

Të vetmit që mund të rezistojnë janë ata që për asnje sekond të jetës tyre se cuan as ndërmend ta përdorin autoritetin si gjykatës apo prokuror për të përfituar padrejtësisht në kurriz të qytetarëve. Po sa janë këta… edhe po’ të duan nuk e bëjnë dot gjithë këtë zhurmë.

Share: