Nga Enriko Ceko
Mushka është kafshë njëthundrake, që ka një trup në ngjyrë të murrme ose të përhime dhe që nga veshët e bishti i ngjan të atit, pra gomarit, sepse zakonisht del nga kryqëzimi i pelës me gomarin dhe / ose shumë rrallë edhe nga kryqëzimi i gomaricës me kalin.
Mushka në të tëra vendet e botës dhe në të tëra kulturat shërben vetëm si kafshë pune dhe ngarkese dhe për asgjë tjetër, po për asgjë tjetër fare, fare, fare. Kjo sepse mushkat janë kafshë shumë të forta dhe të palodhura, por shumë budallaqe, që edhe këtë karakteristikë duket se e kanë trashëguar 100% nga gjaku gomaricor.
Për ata që janë shumë të bindur dhe shumë të zellshëm thonë: “Është si mushkë, është i bindur apo janë të bindur. Bën, apo bëjnë atë që i thonë. Nuk mendon , apo nuk mendojnë fare. Mjafton një fërshëllimë dhe o burra (në fakt o mushka) dhe … në shesh”.
Por, mushka ka edhe një veti shumë interesante, që lidhet me gjakun gomaricor, ajo, kur i teket, ngul këmbë dhe bëhet shumë kokëfortë, aq sa për t’ja ulur kryet i vënë barrë shumë të rënda mbi shpinë në mënyrë që të shtrohet dhe pastaj i dhëmbin tërë dimrin kërbishtet.
Por, në fakt, ajo që e bën vërtet tepër të veçantë mushkën nga kafshët e tjera është një karakteristikë që shoqëron jo rrallë kafshët hibride. Ajo nuk pjell. Dhe….nëse pjell … siç mendohet… atëhere do vijë fundi i botës dhe për këtë populli ynë thotë: “Nuk mbarset mushka të pjellë mëz”.
Po mesa duket, dikush mendon se ka ardhur koha që në Shqipëri të pjellë edhe mushka, ashtu siç Shqipëria është model për të tëra vendet e botës si vendi me ekonominë e dytë më të fortë në Evropë pas Gjermanisë, apo vendi me rritjen ekonomike trefish sa Evropa, etj… dhe në këtë rast populli ynë trim dhe liridashës, me dashuri dhe qetësi thotë: “ku po të çon mushka(?)”, që do të thotë “ç’bën ashtu, ku vete, nuk e kupton se sa gabim po vepron, nuk po e kupton se në ç’farë gjendje të keqe po e çon veten dhe të tjerët, nuk po e mëson se si po e katandis vehten dhe të tjerët përreth!?”
Në lidhje me sa më lart, në fakt, populli ynë ka edhe një shprehje tjetër: “Ashtu (kështu) i do mushka drutë!”, pra ashtu (kështu) duhet sjellë a duhet vepruar me dikë, sepse ashtu e meriton (sipas kokës edhe festja), që shkon me një thënie tjetër: “I gjeti keq mushka drutë”! Pra, gjeti atë që kërkonte, e pësoi siç e meritonte, mori përgjigjen a dënimin e merituar”.
Dhe një nga thëniet më lartësore shqiptare është: “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashanë e prenë!” e thënë me ironi pra, që s’është më ajo kohë, iku ajo kohë dhe … meqënëse “valët e detit nuk e lagin bregun dy herë njësoj” (që është ekzakt përgjigjia që dy politikanë të huaj i kanë kthyer si përgjigje të drejtpërdrejtë një mushku shqiptar, në thelb kuqalash, por maskuar me mballoma blu, para disa vitesh, por edhe kohët e fundit), ju që ku po ju çon mushka, më mirë harrojini mushkat dhe, … ju o popull, që po ju tërheqin si mushka sa herë që duan të destabilizojnë Shqipërinë, …
Më mirë silluni si qytetarë e kërkoni të drejtat tuaja legjitime dhe jo tekat e dikujt apo disave që kërkojnë qiqra në hell, sepse mushka nuk pjell sepse edhe nëse do të pillte do ishte gjëja me e keqe që mund të ndodhte për Shqipërinë dhe shqiptarët
(Për qiqrat në hell do diskutojmë një herë tjetër)