Nga Kasem Seferi
“Teatri” i politikës shqiptare, në gjithë këto vite të tranzicionit, është karakterizuar nga mbizotërimi i frymës së mohimit, sharjet dhe, në përgjithësi, nga mohimi i punës së kundërshtarit politik në të gjithë drejtimet; këtë dukuri, e shikon në të gjithë deklaratat e lidërshipit.
Në Shqipëri, te partitë kryesore, është kultivuar servilizmi, fryma e lavdeve dhe hyjnizimi i kultit të individit në krye të partisë, fakte këto që dëshmojnë se psikologjia zotëruese e turmës influencohet ende nga iluzionet e liderit që kërkon marrjen e pushtetit.
Nuk ka dyshim se tek çdo mbështetës dhe kundërshtar i PD – së, PS – së, LSI – së, etj, rregullisht, ndërhyn qendrimi i liderit me anë të modelit të tij politik, gjë që ka treguar dhe tregon se, që prej fillimit dhe deri në fund, psikologjia individuale bëhet, gjithashtu, psikologji shoqërore e grupeve të caktuara politike.
Gjuha e ashpër (e ditëve më parë të Zotit Basha), për shembull, tregon se urren gjithçka që i përket liderit kundërshtar Rama, madje, kundër gjithçkaje tjetër që bëhet ndryshe nga Edi Rama.
Për këtë arsye, të dy këta kundërshtarë politikë ia kanë mveshur dhe ia mbveshin gjithçka të keqe njëri – tjetrit, ndërkohë që mbështetësit, për liderin e tyre të “zemrës“, hedhin lavde me nota të forta servilizmi, duke thirrur në korr emrin e tij, duke e shoqëruar atë me ovacione të herëpasherëshme.
Për më tepër “zhvishen lakuriq në sytë e botës“, ku përfshihen ambasadorë, akademikë deri edhe te italiani De Biazi, për të marrë mbështetje, edhe pse janë fort të qartë dhe të vetëdijshëm se këta të fundit me të mbaruar punën e tyre në Shqipëri, as që duan t‘ia dinë se çfarë vjen prapa, për të mos thënë shprehjen popullore:“Qameti u bëftë pas meje!“.
Secili lider deri më sot është “betuar dhe betohet” se do t’u shërbejë të gjithë shtetasve.
Por, që një lider t’i dojë të gjithë shtetasit njëlloj, pa asnjë dyshim në kushtet e tanishme të vendit, është, thjesht, një iluzion dhe, pikërisht, një mendim i tillë, ka hedhur dyshimin te analistët e vërtetë se, po konceptohet dhe po përdoret mjeti më i përkryer për t‘a gjetur iluzionin tek çdo qytetar ku iluzioni vepron.
Psikologë të njohur dhe të tjerë kanë thënë dhe thonë që, asnjëherë, nuk duhet harruar se veprimi i iluzionit është aq i fuqishëm, sa që ai arrin të minojë edhe vetë terrenin mbi të cilin ngrihet.
Tipari më i dukshëm i çdo debati të caktuar politik, kur dhe nuk shoqrëhet me veprime politike demokratike si protesta, greva urie, etj, është hedhja e një “ideje të re”, ku pasqyrohen përpjekjet për të krijuar imazhin e një ideje të re politike, gjë që dëshmon mungesën, ose vërtetësinë e identitetit politik të liderit.
Një qasje e tillë nxjerr në pah, ose individualizmin radikal të tij, vetëm e vetëm për të qenë kundërshtar politik i të ngjashmit të tij, duke i treguar opinionit se lideri i ri radikal vërteton edhe më fort rolin themelues që ka luajtur te ai i ngjashmi i tij mitologjik i politikës së këtyre dy dekadave, ose të kundërtën e tij.
Politologë me emër, kanë adresuar këshilla pozitive që liderët në demokraci duhet të adoptojnë modele moderne në të bërit politikë, konkretisht, modele që më pas në jetën politike shqiptare të bëhen gjëra të zakonshme me qëllim që të imitohen nga masa e përkrahësve.
Madje gazetarët, opinionistët, duhet të mos merren në mënyrë të fiksuar me modelet që janë imituar deri tani, ashtu sikundër ka ndodhur dhe po ndodh që, domosdoshmërisë për të pasur zgjedhje të drejta dhe të lira, nuk duhet t’i adresohen më modelit të vjetër, por modelimit të një lideri modern që kërkon të adoptohet në të bërit politikë.
Në qoftë se sot në skenën politike shqiptare nuk ka ende një pakicë politikanësh të kulturuar për të ngjizur parime të shëndosha të menaxhimit politik, asnjë parti politike, ose koalicion nuk do t’ia dalë me sukses që të fitojë përkrahjen e opinionit publik, si dhe ta kthejë atë drejt objektivit të vet politik dhe prosperitetit.
Kësisoj, përvoja e deritanishme ka treguar se, një kauzë e vlefshme politike, vepanërisht, si kjo e tanishmja bëhet, ose mund të jetë e përkohëshme.
Nuk ka mjete të tjera për ta çuar përpara zhvillimin e duhur të çështjeve madhore politike të tilla si standartet e zgjedhjeve dhe demokracinë se sa të arrish ta bindësh opinionin publik të adoptojë modelet e liderit dhe elitës moderne, por zhvillimi i duhur i çështjeve madhore politike nuk mund të arrihet me anë të qëndrimeve despotike, të cilët bindjen e opinionit e ngatërrojnë me nënshtrimin ose grindjen.
Gazetarë, analistë, opinionistë, veprimtarë të shoqërisë civile, që përziejnë ndjenjat e tyre personale me një kauzë të drejtë, që e pranojnë në parim, kur bie fjala për të vepruar, adresohen te modeli që ata urrejnë për sherre, ose kanë konflikte nga e kaluara e tyre, duke mos kontribuar drejtë me ndikimin e tyre në opinion pulik.
Kjo patologji e rrezikshme, në ndërthurrjen e politikës me ekonominë, korrupsioni dhe klientelizmi, shfaqen si vazhdimi i monopolit të krijuar në periudhën komuniste, si dhe fillimet e një kriminalizimi të ri të shtetit.
Padrejtësitë shoqërore dhe ndjenja e pasigurisë krijojnë së bashku një terren të favorshëm për demagogji autoritare populiste, si dhe ngjallin kërkesën për të konsoliduar njeriun e fortë, njeriun e dorës së hekurt në politikë dhe sfida më e madhe para elitës politike sot, është lufta kundër ndjenjës së pasigurisë, si një rrezik tepër i madh.
Kur politika ndikon te drejtësia, e cila e ka bërë njeriun e thjeshtë të mos ketë besim te ajo te e cila duhet të besojë se e mbron, është e vështirë të pranohet se politika sjell më shumë paqe dhe rend në shoqëri, sikurse lypset të jetë misioni i saj i vërtetë.
Zgjatja e pajustifikuar e periudhës së tranzicionit demonstron se në Shqipëri nuk janë plotësuar disa nga aspektet themelore të sistemit politik demokratik dhe një gjë e tillë bëhet e dukshme kur pushteti politik dhe ekonomik mbetet i perqendruar në duart e ekzekutivit, me një mbikqyrje të vogël nga degët e tjera të pushtetit, çka, pa vështirësi, mund të vërtetohet edhe nga plaformat dhe politikat, pothuajse të njëjta, të të gjitha qeverive në këto dy dekada.
Fushata e ndërsjellë e akuzave që partitë politike kryesore po i bëjnë njëra – tjetrës këto ditë të fundit, duke vënë gishtin mbi politikanë dhe zyrtarë konkretë, si dhe mbi persona të lidhur me aferat e tyre, tregon se arena politike vazhdon të karakterizohet nga marrëdhënie konfliktuale dhe agresive, për shkak të sjelljes së trashëguar nga e kaluara, të politikanit dhe zyrtarit dogmatik, autoritar dhe të paaftë për kompromis në të gjitha segmentet e politikës.
Të gjithë e kanë të qartë se demokratizimi që bëhet në kushtet e zbatimit të varfër të ligjit dhe rregullit sjell një demokraci pa kulturë liberale, e cila zgjeron ekonominë informale dhe keqëson cilësinë e qeverisjes dhe politikën makroekonomike e bën më pak të matur, veçanërisht, në kushtet e qeverive amatore të cilave u mungojnë burokratët, që janë të domosdoshëm për të kufizuar dëmet që mund t’i shkaktojnë vendit amatorët.
Në një demokraci ku mungon kultura liberale është e barabartë me demokratizim plus zbatimin e varfër të ligjit.
Protesta e organizuar nga PD dhe aleatët e saj ka nisur më 18 shkurt me një përkrahje masive, por protesta e vërtetë, do të përkrahet nga të gjithë qytetarët pa dallim, do të jetë konsensusi për të gjetur zgjidhje dhe kompromisi jo vetë për të përfaqësuar, por edhe për ta konkretizuar interesin publik.
Kasem Seferi – ekonomist