Home KRYESORE Protesta e PD/ Mustafa Nano rrëfen: Telefonata ime me Lulzim Bashën

Protesta e PD/ Mustafa Nano rrëfen: Telefonata ime me Lulzim Bashën

Gazetari Mustafa Nano, në një koment të radhës në gazetën Mapo, shkruan se vendi ka nevojë dramatike për zgjedhje të lira, por ai shton se protesta është qesharake.

Nano rrëfen një telefonatë që ka pasur me kreun e PD, Lulzim Basha, duke e quajtur atë një telefonatë që nuk e priste.

“Përpara disa kohësh, pas një shkrimi timit kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, më bëri një telefonatë kreu i PD-së Lulzim Basha. Ishte një telefonatë që nuk e prisja. Kisha rreth 10 vjet pa ia dëgjuar zërin në telefon. Dhe nuk kanë qenë 10 vjet dosido. Përkundrazi, kanë qenë 10 vjet të mbushura me ngjarje të mëdha, të rënda, për të cilat një politikan ka plot arsye për të biseduar me një gazetar që për të gjitha këto ngjarje ka patur qëndrimet e veta. Telefonata e fundit para kësaj ka qenë, me sa mbaj mend unë, pas një shkrimi, ku rrëfeja një ngjarje me një polic pranë Muriqanit, i cili më ndaloi pa asnjë arsye teksa kthehesha natën nga Mali i Zi, më kërkoi dokumentet, u hodhi një sy atyre, m’i afroi kryet te fytyra për të verifikuar nëse ajo puqej me emrin që ai shihte në pasaportë, e më tha: Kur del fytyra jote në TV unë e ndryshoj kanalin. Kjo m’u duk një ngjarje e rëndë, dhe me t’u kthyer në Tiranë, të nesërmen u ula, e hodha në letër atë ndodhi dhe e publikova në gazetën “Shqip”. Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm atëmot. Nuk u kujtua të më bënte një telefonatë që të tregonte se ishte i shqetësuar që kishte ende policë të tillë bashibozukë. Biseda telefonike për të cilën po flas ndodhi pak më pas, dhe në atë rast ra fjala edhe për shkrimin tim mbi atë policin barkderr, që ngatërronte pa të keq shijet e simpatitë e veta për fytyrat me funksionin e vet zyrtar. Më la të kuptoja se nuk kishte se ç’të bënte, e se këto punë kështu janë”.

Më pas, Nano kthehet prapë te telefonata dhe sqaron: “Po kthehem te telefonata e fundit tani. “Është koha të reagojmë përballë kësaj bande; duhet të takohemi; duhet të bëhemi bashkë”, më tha. Dhe fliste nga pozitat e një njeriu të shqetësuar për fatet e vendit, e një njeriu që në kokë ka vetëm ideale e që nuk është gati të bëjë asnjë kompromis mbi kurrizin e këtyre idealeve. Ishte pak a shumë ky Bashë që njerëzit shohin në TV, madje edhe në këto ditët e protestës, që është një nga protestat më të gabuara e më budallaqe që është bërë ndonjëherë në Shqipërinë postkomuniste. I ngjan mentorit të vet në këtë pikë. Sa më shumë e trashin zullumin, aq më shumë shiten si idealistë. Gjë më bezdisëse nuk mund të ketë”.

Share: