Home KRYESORE Rama e Meta, të dënuar të duhen

Rama e Meta, të dënuar të duhen

RAMA META

Nga Lorenc Vangjeli

Si rregull, gjithë ata që këshillojnë luftë në vend të paqes, janë të parët që largohen kur lufta i zë vendin paqes. Profesioni i luftëtarit para betejës është fare i thjeshtë dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj diplome. Njëlloj si profesioni i të mençurit pas përfundimit të kuvendit. Për të mbërritur tek paqja duhet inteligjencë e katër palë sy, për të gjetur luftën si zgjidhje mjafton edhe vetëm forca qorre. Paqja është zgjidhje e vështirë, kurse lufta – përveç asaj që bëhet për të rivendosur paqen – është zgjidhja më e lehtë.

Tani në Tiranë është momenti i luftënxitësve.

Ka disa kategori që e lusin, kërkojnë, nxisin dhe punojnë për një divorc politik mes Ramës dhe Metës. E para natyrisht është opozita që shansin e vetëm të rikthimit në pushtet e sheh tek rrëzimi nga pushteti i njërës prej dy pjesëve të së majtës. Janë të papërfaqësuarit deri më tani në skemat qeverisëse të të dyve dhe që shpresojnë se një rindarje e re e letrave do t’u sillte dhe atyre një letër pushteti në dorë; janë kritikët e njërit dhe të tjetrit dhe nuk mungojnë të hyjnë në llogari as natyrat tërësisht të ndryshme të dy protagonistëve, Rama e Meta. Llogariten profilet e tyre kontrastuese, e shkuara e tendosur dhe tensioni që projekton paqartësi tek e ardhmja e tyre. Bashkë apo edhe veç e veç. Janë dhe të ndershmit dhe idealistët, një racë në zhdukje në Tiranë, që qortojnë të sotmen e koalicionit duke u nisur nga pritshmëritë e të djeshmes dhe që e projektojnë me pesimizëm të nesërmen e tij. Sa kohë që marrëdhëniet mes të majtës improvizohen dhe nuk kodifikohen. Dhe bëhen të cënueshme nga humori përpara vullnetit.

Të gjithë aktorët dhe faktorët që duan dhe nuk duan rikonfirmimin e një aleance të re të së majtës në zgjedhjet e qershorit po ndjekin me shumë kuriozitet raportin forcave në dinamikë të vazhdueshme mes PS-së dhe LSI-së. Sidomos raportin e pushtetit real dhe funksional mes dy drejtuesve të këtyre partive, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Gjithë çfarë ka ndodhur në këto tre vjet e gjysëm bashkëqeverisjeje është rrjedhojë pikërisht e këtyre raporteve. Gjithë çfarë do të ndodhë nesër është sërish pjesë dhe rrjedhojë e këtyre marëdhënieve. E përkthyer më thjeshtë do të thotë, çfarë roli e funksioni do të ketë nesër njëri apo tjetri në qeverisjen e vendit dhe më tej akoma, në çfarë shinash do të ecë qeverisja e majtë, e cila siç pranojnë të dy, edhe Rama, edhe Meta, ka ende potenciale të pashfrytëzuara.

Optimistët dhe skeptikët e të nesërmes mes Ramës dhe Metës duhet të kenë parasysh disa elementë. Që nisin me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës dhe formulën që do të zbardhë identikitin e kryetarit të shtetit. Dhe me parashikimin e shifrave që mund të marrë njëri apo tjetri në zgjedhje. Ndarja nis pikërisht këtu, sipas skeptikëve. Por pikërisht këtu gjenden të gjitha arsyet e tjera për optimistët që duan vazhdimin edhe më tej të bashkimit dhe bashkëpunimit.

Kush vë bast për bashkimin në ide, bashkëqeverisje dhe në një riformatim të marrëveshjes së prillit 2013, brenda të majtës, pothuaj nuk afron asnjë dilemë për rezultatin e qershorit 2017.

Në të kundërt, basti për divorc, do ta bënte të paqartë, të brishtë e të cënueshme lehtësisht qeverisjen e pas 2017-ës, por do të sillte edhe një spirale krize vështirë të imagjinueshme. Duke nisur që me pushtetin lokal. Tirana, Durrësi, Korça, Vlora e gjetkë, bashki me këshilla bashkiakë të kompozuar në shumicë mes dy partive të majta, do të kishin probleme serioze me funksionimin e tyre real. Deri më tani askush nuk ka folur për këtë element “fuzioni” mes PS-së dhe LSI-së. Aaskush nuk ka folur për diferencën mes Ramës si kryetar i Partisë Socialiste dhe Ilir Metës si socialist. Kush i ka fryrë borive të luftës, si rregull nuk ka dashur të kuptojë se kostoja politike për partitë dhe kostoja për vendin, si kosto lufte, është shumë herë më e madhe sesa fatura që duhet paguar për të instaluar paqen. Ajo kosto është shumë më e madhe sesa përpjekja për të krijuar bindjen që rregullat edhe pse vonojnë, prodhojnë më shumë epërsi afatgjatë sesa hilet e vogla. Për të gjithë.

Të martën, në fillim Meta me zërin e tij dhe më pas edhe Rama me një lajm indirekt, përmendën të dy, të dyja mundësitë për të nesërmen.

Meta tha se partia e tij dilte në opozitë nëse partneri i tij i deri sotëm në qeverisje bënte 71 vota.

Rama tha se partia e tij edhe pa LSI-në arrin të marrë 71 vota.

Por të dy dinë se 71 vota janë të mjaftueshme për të marrë pushtetin, por jo për të qeverisur. Ato janë një llogari që del për të hyrë në zyrën e kryeministrit, por janë dhe një arsye e parë për të dalë prej asaj zyre në gripin më të parë politik. Për këtë arsye, ndryshe nga skeptikët që kërkojnë ndarjen e të majtës, sekretin e të nesërmes në marrëdhënien e ndërlikuar mes Ramës dhe Metës e dinë vetëm ata të dy. Ata dinë se ku, kur dhe si i kanë shkelur këmbën njëri-tjetrit për për t’i shkelur më pas syrin tjetrit.

Edhe kur gjithë të tjerët shohin se duhet të kenë të gjitha arsyet për të urryer njëri-tjetrin, ata dinë diçka që të tjerët nuk e shohin dot: janë të dënuar të duhen! Ndarja mes tyre, të paktën njërin e ndëshkon me kalim në opozitë, por pa e bërë opozitën të kalojë ylberin. Si rregull, ata që bashkohen në pushtet, janë të parët që largohen kur vjen rradha për të dalë në opozitë. Njëlloj si ata që këshillojnë luftë në vend të paqes dhe largohen sapo lufta i zë vendin paqes. Njëlloj si ata simpatikët ezmerë që kur dëgjojnë krisma fshihen nën fustanet e grave për të dëgjuar krisma të një lloji tjetër.

Share: