Home KRYESORE Si u braktis Kosova në Mars ’99

Si u braktis Kosova në Mars ’99

Nga Azem Parllaku

Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO-ja, Millosheviqi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij.
Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Rudolf Scharping e kishte përdorur “Patkoi-n” si nocion për herë të parë në një fjalim më 6 shkurt 1999.
Kancelari Gerhard Schröder më 24 mars e arsyetoi pjesëmarrjen e forcave ajrore gjermane në luftën kundër Jugosllavisë me synimin e “pengimit të një katastrofe humanitare në Kosovë”.

Në fakt ndodhi e kundërta!

Mbasi me sulme ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri.

Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800’000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni.

Mijëra u vranë dhe u groposën në varre masive.
Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe ministri i mbrojtjes Scharping këtu shihnin dëshminë për ekzistencën e planit serb “Patkoi” për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë.
Por, ekzistenca e këtij plani nuk u dëshmua kurrë. Mirëpo, edhe nëse ai nuk ka ekzistuar, veprimi i armatës jugosllave dhe i njësive policore të Ministrisë së Brendshme ndoqi një skemë unike (me ose pa plan të detajuar).

Ndërsa vetëm në fundshtatorin e vitit 1998 në Kukës janë akomoduar të ardhurit e parë kryesisht në objektet cerdhe-kopshte të lagjeve nr.1 dhe 3, ndërkohë që, në shumë prej fshatrave të Tropojës dhe Hasit, fëmijët e ardhur nga zonat e luftës mësonin në të njejtat klasa me vendasit.
Duhet theksuar se, përgjatë këtij harku kohor përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si: Kryqi i Kuq, UNHCR, etj, kanë qenë mjaftë aktive dhe, të përgatitura paraprakisht në lidhje me situatat e pritshme.

Fokusi kryesor i goditjes nga ana e strukturave militare të Serbisë, ka qenë i përqëndruar në zonën kufitare përgjatë segmentit Has-Tropojë, i nxitur nga fakti se përmes kësaj vije kufitare bëhej furnizimi logjistik i formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po kështu dhe ndërrimi i grupeve të luftimit dhe transporti i të plagosurve.

Natyrshëm që, burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët kaluan dhe vijonin të kalonin përmes Pikave të Kalimit kufitar Qafë-Morinë të Tropojës, e Qafë-Prushi të Hasit, ishin më të rënduar psikologjikisht, mbasi rrugët e lëvizjes kalonin përgjatë zonave, ku luftohej pandërprerë.
Në fund të janarit dhe fillim të shkurtit 1999, në Kukës arritën reporterët e parë të mediave perëndimore, të cilët informuan duke kontaktuar të ardhurit e mëhershëm dhe ata që, vinin rishtas.

Që nga marsi i vitit 1998, në Kukës njëherësh dhe qendër e Prefekturës, funksiononte zyra për pritjen dhe akomodimin e të ikurve nga lufta në Kosovë.
Me 27 mars 1999, në Krumë ish-Presidenti Mejdani, ish-Kryeministri Majko, ish-ministrat Hajdaraga, Koci, e Demeti, kanë ndaluar në një takim me të dëbuarit si rezultat i luftimeve me armë në zona të tilla si Drenica, Peja e Gjakova, me përfaqësues lokalë të Hasit, përfaqësues të Kryqit të Kuq, të UNHCR-së, të OSBE-së, etj.

Në orët e vona të kësaj date nga zyra e ish-komandantit të njësisë ushtarake të Kukësit, është bërë me dije se: Drejt Pikës së Kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri të Morinë-Kukës, po mbrrijnë të ikurit e parë, kryesisht nga fshatrat përreth Prizrenit dhe rrethinave të Dragashit.
Në atë mbrëmje me shi, të ardhurit kanë gdhirë në sheshin përpara xhamisë së Kukësit, dhe sheshet përqark instuticioneve, teksa qyteti sot, “Nderi i Kombit”, ishte në gjumë.

Kontakti i parë njëherësh dhe përkujdesës për të ikurit, kanë qenë personeli ushtarak i përbërë nga forcat kufitare të rendit, dhe ato të repartit të gatshëm të Divizionit të Kukësit, i cili kryente detyrën ushtarake i dislokuar përgjatë shpateve përendimore të malit të Koretnikut deri në brigjet e lumit Drini i Bardhë.
Një njësi e artilerisë së rëndë e Divizionit ushtarak të Tiranës e dislokuar midis fshatrave Bardhoc dhe Morinë, ka vendosur në dispozicion automjetet e transportit të trupave, për zhvendosjen e të ikurve në drejtim të qytetit të Kukësit.

Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurve gjatë dy ditëve të para, përmes Televizionit të Kukësit, kanë njoftuar familjet me lidhje gjaku në këtë qytet dhe fshatrat e tij. Nëse i referohemi saktë atyre ditëve, po kështu dhe rrëfimeve të vetë shqiptarëve të Kosovës, del në pah se: Pjesa më e madhe e të ardhurve që, qëndruan në Kukës kishin lidhje fisnore me familjet e qytetit verior, ndërkohë që, shpresonin se një ditë do të ktheheshin sërish në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Ka disa detaje interesante për këtë kategori e cila qëndroi në Kukës.

Së pari; Ata nuk vinin nga zona në të cilat ishin zhvilluar, apo zhvilloheshin luftime. Zonat nga po vinin ishin fshatrat përreth Prizrenit, apo ato të zonës së Opojës dhe Dragashit. Në këto zona minimalisht ishin goditur nga NATO, postat kufitare serbe përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërkohë që, nuk kishte të dhëna për përqëndrim forcash dhe rezervash ushtarake në këto rajone.

Së dyti; Edhe megjithëse me ndihmën e organizatave ndërkombëtare në rrethinat e Kukësit u ngritën disa kampe për akomodim, të ikurit u regjistruan formalisht, ndërsa e kanë ndarë ndihmën e përfituar me familjet kuksiane, ku bujtën për 79 ditë.

Së treti; Sic dhe e pohojnë pjesa dërrmuese e të shpërngulurve, të cilët qëndruan në Kukës, ndonëse nuk u është kërkuar hapur, ata kanë paguar qeranë për apartamentet e lëshuara.
Së katërti; Kontigjente të rinjsh dhe disa kryefamiljarë nga kjo kategori, u paraqitën si vullnetarë në Qendrat Stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në Kukës, Kolsh, e Kalimash, ndërsa më vonë dezertuan në masë, e cuditërisht sot një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë fituar statusin e Veteranit Luftëtar, të lëshuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës.

Krejt ndryshe paraqitej situata me të ikurit të cilët refuzuan të qëndronin në Kukës. Ata vinin nga zona ku luftimet ishin të ashpra, shumë prej tyre e kishin kaluar dimrin jashtë, ndërsa vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin përkujdesur për sigurinë fizike të tyre. Shpresat për këtë kategori të shpërngulurish ishin më të pakta, mbasi shtëpitë e tyre ishin djegur, e burrat dhe djemtë më së shumti ishin nën armë. Ata synonin Durrësin, Vlorën, Shëngjinin, nga ku mendonin se nëpërmjet porteve të këtyre qyteteve bregdetare, do të largoheshin një ditë me shpresën se, do t’u bashkangjiteshin familjarëve të tyre në emigracion.

Situata e ndërlikuar që, paraqitej me të ikurit nga Kosova në drejtim të Maqedonisë, e shtoi fluksin e të ardhurve në Shqipëri, ndërsa në Kukës vetëm sa, bëhej rigrupimi në mënyrë të organizuar i kolonave të automjeteve ushtarake e civile, me të cilat bëhej transporti i të zhvendosurve nga lufta, për në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në 79 ditë të Pranverës së vitit 1999, Kukësi sot, “Nderi i Kombit”, nuk ishte aspak më shumë se një qendër-tranzit për mijëra shqiptarët e Kosovës, një pjesë prej tyre jo fort të shtërnguar për të braktisur shtëpitë dhe fshatrat e tyre, duke mbajtur parasysh se tashmë, Lufta ishte në dorën e NATO-s, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Share: