Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar ftesën e kancelares gjermane Angela Merkel, për të marrë pjesë në samitin e G20 në që do të mbahet në korrik të këtij viti në Hamburg të Gjermanisë, por Kremlini zyrtar ka njoftuar se takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Trump, mund të ndodhë para samitit.
Në Kremlin kanë pranuar se është ende shumë herët të flitet për ndonjë marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara, lidhur me çështjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar para gazetarëve se biseda telefonike mes Putinit dhe Trumpit ka qenë e mirë, por se ekzistojnë gjasa të vogla lidhur me ndonjë marrëveshje mbi sanksionet.
“Fillimisht duhet të caktojmë datën dhe vendin e takimit të dy presidentëve”, ka deklaruar Peskov duke shtuar se në këtë drejtim është duke u punuar shumë, dhe se ekzistojnë gjasa të mëdha që takimi të zhvillohet para samitit të G20-së, që planifikohet të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg.
Megjithatë, siç thuhet, për përgatitjen e këtij takimi nevojiten muaj, dhe jo javë.
“Takimi nuk do të ndodh gjatë javëve të ardhme, shpresojmë që në rastin më të mirë takimi të mbahet gjatë muajve të ardhshëm”, ka deklaruar Peskov për BBC.
Sipas tij, Putin është pa dyshim i gatshëm për këtë takim.
Ai gjithashtu tha se Putin dhe Trump nuk kanë diskutuar për sanksionet gjatë bisedës telefonike të zhvilluar gjatë të shtunës, që edhe është e para mes dy liderëve që nga inaugurimi i Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara, raporton Reuters.
“Kemi parë gatishmëri për të zgjidhur problemet e vështira me dialog, për të cilat presidenti Putin ka bërë thirrje për një kohë të gjatë, por që për fat të keq, gjatë viteve të mëparshme nuk ka pasur ndonjë përgjigje”, ka shtuar Peskov.
Por nëse nuk ndodh ky takim para samitit të G20-së, presidenti amerikan dhe ai rus, gjithsesi do të takohen në korrik.