Home KRYESORE Tunelet e drogës apo, … tunelet e pushtetit?!

Tunelet e drogës apo, … tunelet e pushtetit?!

Nga Kasem Seferi

Lufta kundër drogës është e hershme, sikundër janë të hershme përpjekjet për ta ligjëruar prodhimin dhe përdorimin e saj.

Në një program të të famshmit “National Geografic Chanel“, shikon se si Colorado është vendi ku prodhohet dhe shitet droga në dyqane si dhe përpjekjet për të bindur parlamentin e shtetit përkatës të miratojë një ligj për këtë qëllim.

Nuk miratohet sepse ngrihen argumente në lidhje me pastrimin e parasë dhe investime të mundshme me para të pista.

Kjo tregon se lufta kundër kultivimit, përpunimit, trafikimit dhe shitjes së drogës nuk ka filluar dje por, është e lashtë. Dhe askush nuk mund të thotë se kjo luftë është fituar nga ndonjë shtet i veçantë, ose nga disa shtete të veçantë.

Lajmet për drogën në Shqipëri nuk kanë të sosur. Së fundi edhe tunele të gërmuara nën dhe për të depozituar drogën. Ironia buron pa dashje: “Na e kishte fajin Lazarati, ë?! Ja! Lazarati nuk është më. Por, drogë dhe të ngjashë me Lazaratin ka gjithandej në Shqipëri!

Nuk kanë të sosur, gjithashtu, “sukseset“ në luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht, ato në bashkëpunim me vendet fqinjë si Italia dhe Greqia. Nuk ngelet gjë tjetër vetëm se të thërrasim në korr: RROFTË POLICIA!

Më kujtohet një takim me shefin e marrëdhënieve publike të Tony Blair në Londër në vitin 2001 kur specializohesha në një kurs trajnimi të nivelit të lartë për marrëdhënie publike, që na tha se Zoti Blair e takonte atë çdo ditë (krahasuar me ministrin e financave, që më vonë dë të bëhej kryeministër e Mbretërisë së Bashkuar), vetëm e vetëm që ruhej leitmotivi i qeverisë: Stress the positive site – Thekso anën pozitive).

Dhe pas kësa thirrje, ne në Shqipëri kemi edhe një thirrje tjetër, por kjo mund të thuhet vetëm nën zë: MJERË POLICËT!

Ballkani, brenda këtij gadishulli, Shqipëria është një pikë tranziti për trafikantët e drogës (para e madhe pushtet i nëndheshëm që komandon, direkt ose indirekt, pushtetin e mbidheshëm).

Trafikantët e drogës, më shumë se sa pasuri të patundshme, blejnë biznese dhe lidhen me bankat; blejnë zgjedhjet, kandidatët dhe partitë politike që konkurrojnë në zgjedhje.

Për të mos u zgjatur me fjalë që janë thënë dhe stërthënë në media, në çdo kafene, restorante, disko etj, etj, ngelet gjithnjë një pyetje në mendjen e qytetarit shqiptar: Përse nuk ka ndonjë zyrtar publik të dënuar për përfshirje direkte ose indirekte në trafikun e drogës?!

Janë përmendur zyrtarë të zgjedhur vendorë, një ose disa zyrtarë të emëruar, dy ose më shumë oficerë policie të rangut të mesëm dhe kaq. Ndërkohë, nuk mund të besohet se trafiku i drogës në një vend tranzit si Shqipëria të bëhet i mundur qoftë edhe nga ndonjë që me eufori quhet Eskobari i Ballkanit.

Nëse do t’i nënshtrohemi logjikës së thjeshtë të papunësisë së trashëguar nga tranzicioni i vendeve ish – socialiste drejt ekonomisë së tregut, pasojave të krizës së fundit botërore financiare dhe ekonomike, ngritjes së rrjedhës së trafikut të drogës në gadishull, rezulton se mungon bashkëpunimi i duhur, ose më saktë një strategji në luftën kundër trafikut të drogës.

Natyrisht, nuk do lënë në harresë fakti i dyndjes së refugjatëve nga Afganistani, Siria dhe vende të tjera të Afrikës, që kanë tërhequr dhe angazhuar vemendjen dhe burimet e atyre institucioneve dhe forcave vepruese në terren, duke e lehtësuar disi veprimtarinë kultivuese dhe trafikuese të drogës brenda, nga jashtë dhe me drejtim vendet e Europës.

Në pamje të jashtme, duke marrë në konsideratë argumentin e mësipërm, krijohet ideja e gabuar se kemi të bëjmë me mosveprim të aktorëve shtetërorë, ku përfshihet policia, sistemi gjyqësor, zyrtarët e doganave, etj.

Në fakt, kemi një pamje të brendshme krejtësisht, tjetër që tregon shumë qartë se ka një ngritje të përfshirjes të niveleve më të lartë të mekanizmit shtetëror në trafikun e drogës, ose më saktë segmente që janë përbaltur me trafikantët ose që bllokojnë investigimet për një veprimtari të paligjshme.

Rasti Manjani, është vetëm kokërrz e “ajsbergut“ të kësaj përfshirje të mekanizmit shtetëror në trafikun e drogës.
Ka edhe më për të thënë, sidomos agjensitë e huaja dhe të specializuara në luftën kundër trafikut të drogës.

Përse nuk flasin mund të thotë një njeri i arsyeshëm dhe arsyes së ndershme të këtij njeriu mund t’i përgjigjet, në heshtje, interesi/interesat që lidhen me pushtetin në Shqipëri, në Ballkan e më gjërë.

Çdo shtëpi ka “hallet“ e veta. Por, çdo kryefamiljar mban dhe zgjidh hallet e tij dhe jo të botës. Me halle në shtëpinë tënde nuk e ndihmon dot botën kanë thënë të parët. Por, ne sot po harrojmë çdo gjë të mirë të trashëguar.

Ky, në fakt, është vendi ku kemi tunelet e drogës/pushtetit.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: