Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë marrë një tjetër valë vrulli pasi Athina akuzoi Ankaranë se ka dhuruar hapësirën ajrore greke mbi ishujt e diskutueshëm të Egjeut. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, tha se hapësira ajrore greke është shkelur 138 herë nga avionët turq vetëm ditën e mërkurë.
“Ne duam paqe dhe nuk kërkojmë luftë në Egje, por nuk do të ketë asnjë avion që nuk do të gjurmohet”, deklaroi Kammenos për televizionin “Antenna”.
Turqia e ka akuzuar Greqinë për veprime provokuese si dhe ka paralajmëruar se nuk do të ketë kthim mbrapa nëse tensionet eskalojnë.
Kjo vjen pas tensioneve territoriale në ishujt e Egjeut dhe dështimit të Athinës për t’ia dorëzuar Ankarasë ushtarët turq të cilët ikën në Greqi pas tentativës së puçit.
Dje, Greqia raportoi për inkursione të papritura të aeroplanëve luftarakë turq mbi Egjeun qendror dhe jugor, gjë të cilën ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos e quajti “sjellje prej kaubojsi”.
Por, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë për gazetën “Hurriyet” se Turqia po sillet arsyeshëm.
“Greqia po bën gjera provokuese prej një kohe të gjatë. Ne po sillemi arsyeshëm në mënyrë që të mos ketë tensione mes fqinjëve,” ka thënë ai.
Por, ai paralajmëroi se nëse situata eskalon, atëherë nuk do të ketë kthim mbrapa, edhe pse nuk e ka shpjeguar se çfarë do të thoshte me kthim mbrapa.
“Ne dimë si të japim përgjigje të nevojshme…. nëse situata eskalon, na faltë Zoti, nëse ndodh ndonjë incident i padëshirueshëm, atëherë nuk do të ketë kthim mbrapa,” ka shtuar ai.