Home KRYESORE Dy fjalë për kinematografinë e realizmit socialist nga një ekonomist

Dy fjalë për kinematografinë e realizmit socialist nga një ekonomist

Nga Kasem Seferi

E kam për nder që të tregoj se kariera ime si ekonomist nisi në Kinostudion “Shqipëria e Re“, madje me një temë diplome me përmbajtje (thënë në gjuhën ruse – gjuha që mësonim atëhere edhe pse ishim prishur me revizionistët) “Organizaciaja proizvodsvo kinofilmov – Organizimi i prodhimit të kinofilmave“.

Çuditërisht, mora notë dhjetë. Më pas do të udhëhiqja diplomimin e Zotit Robert Gjani dhe Petrit Beci, që patën fatin të jenë drejtorë të Kinsotudios “Shqipria e Re“.

Ndoqa me shumë vemendje Zotin Fevziu këtë natë të ditës së verës dhe ngela tejet i pakënaqur, ndoshta, jo për faj të Zotit Fevziu se sa për faj të informacionit të munguar që shumë personalitete të kontaktuar nga stafi i tij, sikundër ai tha kishin pretenduar intervistën dhe jo debatin.

I dashur Zoti Fevziu!

Me ata që kishe ftuar në studio, duke të paragjykuar për mirë, besoj se kineastët që nuk pranuan debatin paskan pasur të drejtë.

Arsyeja?!

Fare e thjeshtë, Ndër të ftuarit vetëm një prej tyre ishte një ish – punonjës i Kinostudios Shqipëria e Re: Zoti Reis Çiço, që pa dashur të bëj komente të tepërta e kam mik dhe njihemi që në vegjëli, por për fatin e tij në kohën që erdhi në Kinostudion “Shqipëria e Re“ ishte roje te mitralozët kundërajrorë, më pas teknik piroteknike, më pas … diti dhe pati talentin të bëhej gazetar me emër.

Por ai nuk pati fatin të jetë pjesë e të ashtuquajturit “Kolektiv Krijues“, një përzgjedhje individësh duke filluar nga regjizorët, operatorët, as – regjizorët, as – operatorët, piktorët e filmit, piktorët e kostumeve, piktorët ekzekutues, regjizorë montazhi, formulues muzike, etj, përfshirë drejtorë dhe nëndrejtorë filmi sikundër, ndër ta isha unë prej vitit 1973 – 1981.

Për të pasur një ide më të qartë përsa kujtoj duke përshkruar “Kolektivin Krijues“, dua të kujtoj se në sakllën ku mblidhej ky organizëm kishte dy dëshmi: njëra materiale dhe gojore (një tabelë ku shkruhej: “Kursim, Kursim Kudo Kursim!“, që me shumë humor i madhe Hysen Hakani e thonte me zë të lartë sa herë mblidheshim: “Misruk, Misruk, Oduk Misruk!“.

Kjo ishte ideologjia e PPSH, për arsye se në atë sallë, unë do të isha dëshmitar se si do të “kryqëzohej“ një regjizor i talentuar, Zoti Mithat Fagu për një një dokumentar që tregonte falsitetin e sistemit socialist, me skenar të të ndjerit Vangjush Gambeta.

E kështu me rallë, e me rrallë, do të shikoja për më shumë se tetë vjet radhazi, se si binte sopata e një komisioni që vinte nga Komiteti Qendror i PPSH (për të qenë i sinqertë unë nuk isha pjesë e këtij dramatizimi) por shikoja, si ekonomist se si shkurtoheshin qindra metra film (që kushtonin, O Zot, aq shumë lek, por më shumë mund e djersë që pjesëmarrësit në “Opinion“ as që mund ta marrin mend).

Natyrisht, shumë prej filmave artistikë shqiptarë duke filluar nga filmi i parë i regjizorit Hysen Hakani, deri te të fundit e viteve 80 – të, shumë prej tyre ishin devocion kushtuar realizmit socialist, frymëzuar dhe drejtuar nga ideologjia marksiste – leniniste (shqiptariste).

Personalisht, kariera ime nisi në vitin 1973. Pata fatin ta mbroja diplomën me temën që përmenda më lart me konkretizimin e filmit “Rrugë të Bardha“ të regjizorit me emër Viktor Gjika.

Shumë vite më vonë, kohë kur punoja si Këshilltar Ekonomik i Presidentit Bamir Topi, u ngarkova me detyrë ta përfaqësoja atë në përvjetorin e pestë të Arqipeshkvisë së Rrëshenit. Para se të largohesha, më ftoi një ish – koleg nga Dega e Tatimeve Rrëshen, i cili do të më rrënqethte me tregimin e tij që më poshtë vijon.

Deda i filmit “Rrugë të Bardha“, ishte një fillërojtës në rrethin e Mirditës, i cili atë mot të mbrapshtë me dëborë e stuhi u nis me detyrë të mbante gjallë linjat telefonike nga ku raportoheshin “sukseset“ e industrisë socialiste të nxjerrjeve minerare.

Pas shumë ditësh “Deda“ nuk u bë i gjallë dhe Komiteti i Partisë Rrëshen, konsultuar dhe me “bekimin“ e Degës së Punëve të Brendshme e shpallin tradhtar me hamendjen se ishte arratisur. Familja e tij u internuar në rrethin e Lushnjes.

Drama komuniste do të kthehej në komedi, kur shkriu bora e vitit të mëpasëm dhe “Deda“ do të gjendej i vdekur në një pyllishte të rrethit të Rrëshenit. U bë menjëherë kthimi i familjes së tij. U shpall hero.

Meqenëse kisha punuar nga afër me Zotin Viktor Gjika dhe Zotin Vath Koreshi, nuk guxova t’ua tregoj këtë histori (Viktori ishte shumë i sëmurë, Vathi, në një njëfarë mënyre po ashtu). Ishte këshilla e mikut tim Saimir Kumbaro ta mbaja për vete këtë histori deri më sot.

Por, kur pashë kush diskutonte për filmat shqiptarë, pavarësisht se në parim – formë dhe përmbajtje të kritikës dhe pretendimit bie në ujdi – besoj pa hezitim se duhet të bëjmë një dallim ndërmjet asaj që shihet sot dhe asaj që donte të ishte atëhere.

Zoti Milkani, besoj se ka pasur këtë qëllim me intervistën e tij në Gazetën Shqiptare me “Me culpa …“. Kujtoj gjithnjë pamjen e të madhit Dhimitër Anagnosti, kur pas shikimit të filmit “Lulëkuqet mbi mure“, nga komisioni i tmerrshëm i Komitetit Qendror të PPSH, filmit iu shtua, përpos, shkrimit të fëmijëve “Poshtë drejtori fashist“ edhe “Poshtë fashizmi“.

Çfarë duhet të bënte Anagnosti dhe kolegët e tij në një “simultanë“ të tillë?!

Tregonin, për arsye se nuk kam qenë dëshmitar okular se, njëherë, i madhe Hysem Hakani kishte ardhur me vonesë në mbledhjen e Kolektivit Krijues. Kishte futur kokën dhe ishte tërhequr menjëherë. Ndërkohë, drejtori i asaj kohe Vaskë Aristidhi, e kishte thërritur me emër që të futej. Kur i madhe Hakani u fut brenda, qafën e drejtoi nga ana e kundërt. I pyetur përse kishte ardhur me vonesë u justifikua se i kishte ngrirë qafa nga të ftohtit. Dhe, kur drejtori në fjalë i tha se kur kishte hyrë fillimisht qafën e kishte të anuar nga krahu tjetër, ai do t’i përgjigjej: “Qëparë ju shoku drejtor patë negativin, tani po shihni pozitivin.“.

NO COMMENT!

Nuk e di përse, por në këtë kurs arsyetimi, nuk dua të le pa përmendur një “historizë“ të mikut Ferdinand Radi kur kthehej nga Durrësi me një regjizor, aktor, dramaturg dhe skenarist të njohur Sheri Mita. Në kohën që autovetura u afrua te varrezat e Sharrës, Nanti i thotë shoferit të kthehej te varrezat se kishte kohë që nuk kishte shkuar te varri i babait.

Tek ishte mbi varr, pastroi barërat e këqia, por një ndër to ishte me rrënjë të thella dhe, pasi u mundua, e shkuli. Atëkohë, nga poshtë dheut doli një buburrec. Nanti iu drejtua të madhit Sheri Mita: “Si ka thënë Lermontovi? “Asgjë nuk humbet, çdo gjë transformohet“. Baba!

I dashur Blendi Fevziu, kaq kisha.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: