Nga Artur Zheji
Deri sa ndodhi ajo që ndodh, në luftën e gjithë humbur të jetës me vdekjen, kisha përshtypjen mistike apo fëmijërore se babai im, ndoshta ishte i “pavdekshëm”. Më pëlqente ta besoja këtë, ndonëse tronditjen e parë, thyese të këtij miti, e mora, kur pak muaj përpara Petros, humba Besën, nanën time të paepur.
Në moshën që jam unë sot, Petro, bënte të paktën çdo fundjavë 40-50 kilometra ecje, pa pushim. Nuk refuzonte me hundën mbledhur asnjë ushqim, por mund të agjëronte si besimtar, edhe disa ditë pa ngrënë. Dhe nuk ankohej kurrë. As edhe njëherë! As edhe në Fund!
Të gjitha këto cilësi, të marrëdhënies së tij të mrekullueshme që Petrushka, (edhe kështu i thërrisnim në familje përkëdhelësisht) kishte me trupin e tij, e bënin atë të pangjashëm me të tjerë.
Do kisha shumë për të shkruar për Babanë që më iku dhe më la “jetim”, pavarësisht se në moshën time “jetimët” janë kaq të shumtë, saqë nuk thirren më të tillë…
Por duart ngecin dhe sillen si të ngrira. Ndoshta sepse janë tejet të përbaltura nga balta që të detyron të përpunosh, e përditshmja dhe gazetaria që përshkruan epopenë, skuthllëqet dhe bëmat e palavdishme por zhurmëmëdha, të horrave tanë udhëheqës.
Më del para sysh, galeria e personazheve, që janë ushqyer shpirtërisht dhe intelektualisht në divanin e tij, shumë pak prej të cilëve mirënjohës, ndonëse gatuajnë edhe sot në magjen e të përditshmes, miell nga mielli i tij.
Sepse kush e njihte autoironinë para viteve ’90 në Shqipëri?
Askush!
Kush i njihte parabolat, metaforat, kalamburet, nënshtresat e fjalëve, tre a më shumë kuptimësinë e fjalëve, të lëshuara me një goditje të vetme?
Askush ose 2 apo 3 veta gjithësej!
Ishte dhe është një lloj arti i madh, të dish të flasësh dhe dhe jo të gërmëzosh, përmes fjalës.
Të dish të shprehësh çdo ngjyrë, cdo nerv, çdo dridhje apo puhizë ajri, që krijon edhe krahëpërplasja e një krahu dallëndysheje dhe që mund të shpërthejë uragane, në oqeanin e thellë të shpirtave të ndjeshëm… të qënieve që kanë shpirt sigurisht…
Dhe në ato uragane, me shkas krahëpërplasjen, që për miliona të tjerë është e padukshme, e pandjeshme dhe e kurrëndodhur, por që për të Zgjedhurin, janë në të vërtetë rizgjime të brendshme, nga të cilat fillojnë Udhëtime dhe Fillesa Veprash, që e tejlkalojnë jetën njerëzore… kalitet një cilësi e re, e rrallë dhe e pranishme vetëm në kombet e mëdha…
Ky dhe ishte një nga pasionet e mëdha të Babait tim, të krijuarit e Kombit tonë, të pangjizur ende.
Përmes kalitjes mendore dhe nxënies së diturive të thella, nga ca pak djem e vajza me dhunti të rralla dhe me dashuri të patradhëtuar, në kohë dhe hapësirë për Dheun tonë…
I gatuar me Biblën, njohës i Kuranit, qëmtues i Budizmit, recitues në gjermanisht i Gëtes që përkthente, rusisht folës me Dostojevskin që shqipëronte apo i vëllazëruar me Servantesin, me Don Kishotin dhe Sançon e të cilit bashkëudhonte pa rreshtur bisedave, por edhe udhëtimeve të vërteta që ndërthurreshin me ato imagjinaret … I rritur me Petrarkën dhe Virgjilin, adhurimin më të madh e kishte për Lao Tze, lindur 600 vjet para Krishtit në Henan…
Petro pra, apo “Bushi”, e kultivonte dhe e shpërndante bujarisht, Dijen e tij, të vetmen pasuri që kishte, për këdo që i trokiste në derë.
Dhe sot mund të them, se shumica shkonte aty për të vjedhur!
Dhe ja thoja Petros, “vijnë e të vjedhin o Bush! Të vjedhin dhe nuk e kthejnë më kokën pas!”
“Le të vjedhin! Libri dhe Dija vidhen, nuk mësohen! Edhe unë e kam vjedhur nga librat dhe nga njerëzit e mençur që kam takuar në jetë… Dituria është farë, biri im, nuk haet dhe nuk pihet, herët a vonë ajo mbillet! Dhe kështu e realizion misionin e saj!”
Shumë nga peronazhet që qarkullojnë me njëfarë emri sot në Shqipëri, kanë kaluar mjaft seanca nga “divani psikanalitik dhe diturifalës i Petros”.
“Unë besoj se do të vijë shpejt dita që shqipëtarët, do të punojnë më së shumti si mësonjës të Gjuhës Shqipe, që herët a vonë, do të jetë shumë e kërkuar nëpër Botë” më thoshte ai.
Dhe uroj që kjo Profeci të bëhet jetë e vërtetë…
Mirëupafshim “Bush”, librat e tu kërkohen dhe lexohen.
Janë të thellë dhe të humnershëm dhe kërkojnë notarë të mirë dhe këta të mirët janë pak.
Por aní, le të jenë pak, pishtarmbajtësit, pak kanë qenë gjithmonë!…/360grade.al