Home KRYESORE Facebook shpëton nga burgu 2 persona, arrestuar prej 7 muajsh

Facebook shpëton nga burgu 2 persona, arrestuar prej 7 muajsh

Rrjeti social Facebook, krahas lehtësive që ofron për të komunikuar me miq, të afërm dhe të njohur rishtas, në shumë raste ka shërbyer dhe si “gjyqtar” për të dhënë drejtësi në konflikte penale.

I tillë është rasti i ndodhur në Tiranë, ku Facebook ka shpëtuar nga burgu dy persona, të arrestuar për veprën penale të “Përndjekjes”, e kryer në bashkëpunim.

Një triller i denjë për telenovela ka ndodhur në vitin 2016, në fshatin Daias të kryeqytetit.

20–vjeçarja S.R ka kallëzuar në polici kunatin (burrin e motrës), për përndjekje të vazhdueshme dhe për mesazhe kërcënuese të dërguara nga ana e tij nëpërmjet Facebook.

E përlotur dhe në gjendje ankthi, ajo ka rrëfyer para oficerëve të policisë të Komisariatit Nr.1 dhe prokurorit të çështjes se kunati B.SH, për shkak se ajo nuk ka pranuar të martohet me nipin e tij, i shkruante se do e ndante nga i fejuari dhe do i priste kokën.

Ajo, në tre faqe material të procesverbalit të kallëzimit, ka deklaruar se përmbajtjen e këtyre mesazheve ia ka nisur edhe disa miqve të saj në Facebook. Këto mesazhe niseshin nga adresa me emër D.H dhe në fund të tyre shkruhej B.SH.

Të njëjtin version ka mbajtur dhe i fejuari T.E, që ka deklaruar se B.SH i dërgonte mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe fyese në adresën e Facebook të fejuarës së tij, S.R.

Komisariati i Nr. 1, Tiranë

Gjatë rimarrjes në pyetje, 20 – vjeçarja deklaroi se pasi ka bërë kallëzimin në Komisariatin e Policisë, B.SH është vënë në dijeni të këtij kallëzimi. Ai ka vazhduar t’i dërgojë mesazhe kërcënuese, si dhe ka vendosur një person, i cili i ndiqte nga pas atë dhe të fejuarin e saj, T.E.

Dy orë para të së njëjtës ditë, B.SH u kishte dërguar mesazh në Facebook me këtë përmbajtje: “Unë e di që do të bëj 4 vite burg, por pasi të dal do e shikoni që do ta bëj “S” lapidar”. Personin që e ndjek nga pas u identifikua si T.D nga kallëzuesja. Bazuar mbi provat dhe faktet që kishte paraqitur 20-vjeçarja, shtetasi B.Sh dhe T.D u arrestuan dhe qëndruan në burg.

Por, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Ylli Pjetërnikaj, për të hequr çdo dyshim të arsyeshëm, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i është drejtuar kompanisë Facebook, ku ka vendosur marrjen e të dhënave kompjuterike.

Kjo kërkesë është bërë mbi bazën e Konventës së Budapestit, për krimin kibernetik. Një praktikë e tillë gjyqësore është risi për vendin tonë, që ende nuk është e aplikueshme gjerësisht.

7 muaj më vonë, nga përgjigja e ardhur nga kompania Facebook rezulton se, adresa me emrin D. H është regjistruar nga numri i telefonit /06842…..,/ që është numri i telefonit të kallëzueses. Gjithashtu rezulton se, i pandehuri B.SH, në kohën e hapjes së llogarisë në Facebook në emër të D.H ka qenë në Itali, ndërkohë IP e hapjes është në Shqipëri, gjatë gjithë kohës.

Pra në përfundim rezultoi që ishte e “dëmtuara” S. R, e cila kishte stisur situatën dhe kishte bërë kallëzim të rremë ndaj B.SH.

Prokurori Ylli Pjetërnikaj kërkoi tërheqjen e akuzës, për t’i shpallur të pafajshëm të pandehurit B.SH dhe T.D dhe lënien e tyre të lirë. Në të njëjtën kohë u vendos fillimi i procedimit penal dhe urdhri i ndalimit të 20 – vjeçares S.R, për akuzën e “Kallëzimit të rremë”.

Deri në momentin që u zbulua se historia ishte e sajuar, familjet e kunatit dhe akuzueses ishin prishur dhe shpesh herë ishin të tensionuara, duke arritur dhe në kërcënime mes tyre.

Gjykata e Tiranës

Por si rezulton e vërteta dhe çfarë ndodhi më pas?

Pasi u ndalua, 20-vjeçarja pranoi të bashkëpunonte me prokurorinë. Ajo pranoi se i kishte marrë borxh në vitin 2014 një shumë parash prej 5000 eurosh kunatit, pa dijeninë e prindërve, me afat 1 vjeçar kthimi.

Duke mos pasur mundësi që t’i kthente paratë, pasi i kishte prishur me shoqërinë dhe për blerjen e sendeve të çmueshme, ajo pranoi para organit të akuzës se e kishte stisur të gjithë historinë, me qëllimin e vetëm që kunati mos të kërkonte më paratë.

Sapo zbuloi të vërtetën, T.E, i fejuari i vajzës, vendosi të ndahet nga jo në mënyrë të menjëherëshme. Nga ana tjetër, familja e 20 – vjeçarese  braktisi atë për disa muaj, ndërsa i kërkoi ndjesë kunatit dhe mikut të tij për akuzat e padrejta dhe dëmin e shkaktuar.

Procesi gjyqësor ndaj S.R vijon ende në Gjykatën e Tiranës, në pritje të një vendimi përfundimtar dënimi. /Tv Klan/

Share: