Home KRYESORE Gaqo Apostoli shkruan pasi del nga spitali: Ne saj tuaj nuk ika...

Gaqo Apostoli shkruan pasi del nga spitali: Ne saj tuaj nuk ika larg!

Nga Gaqo Apostoli

Të dashur Miqtë e Mi,

Ju kërkojë ndjesë për shqetësimet që Ju shkaktova këto ditë, por i mbyllur në dhomën e spitalit, në praninë, në të shumtën e rasteve, vetëm të njerëzve më të afërt të familjes dhe të personelit ekzigjent mjekësor, si edhe me një mesnatë të heshtur, pas mureve të xhamta të së cilës, në dhomën ngjitur me dhomën time zhvillohej në qetësi lufta mes Jetës dhe Vdekjes së pacientëve të tjerë, nuk durova dot të rrija larg Jush dhe ndërhyva në qetësinë tuaj, përmes dy tre rreshtave që përcillnin këngët e mia që kam kënduar, për Vehte dhe për Ju.

Me siguri, kjo më ndihmoi që t’i shpëtoja ikjes larg. Më shpëtoi ky komunikim me të gjithë dhe me seicilin prej Jush përmes sinjalesh, fjalëve, fjalive dhe frazave të ngrohta nga zemra dhe shpirti, që niseshin nga afër dhe larg, nga tërë kontinentet, shpëtova, sepse “nuk pata kohë” të merresha me armikun e Jetës, por u mora vetëm me Jetën, komunikova vetëm me Ju, se për mua jeni vetë Jeta.

Dje në buzë mbrëmje, pasi më dhanë për herë të dytë dozën e gjakut dhe të plazmës, “kam gjak të rrallë, 0-, dola nga spitali dhe ndjeva se në tërë qënien time, në dejet e mia rridhte gjaku Juaj, ndjeja se zemra ime ishte lidhur me zemrën e seicilit prej jush sipas parimit të njohur në fizikë, parimit të enëve komunikuese. Dhe, i tronditur ende nga ajo që më ndodhi, i drobitur nga procedurat e transfuzionit të gjakut për rritjen e homoglobinës dhe të lëngjeve të tjera ushqyese, mendoja se po të ndodhte kështu në cdo komunitet njerëzor dhe në tërë shoqërinë njerëzore. Atëhere, i përgjigjesha vetvetes, në cdo komunitet njerëzor, në tërë shoqërinë njerëzore do të mbizotëronte Dashuria dhe Paqja. Në fakt, këtë kam kohë që e vrojtoj, e studjoj dhe dalëngadalë e rrënjos në vetvete, por vetëm dje e besova plotësisht, në tërë qelizat e trupit dhe në tërë hapësirat e shpirtit tim.

Sot ndjehem shumë më mirë dhe i lehtësuar tërësisht, sidomos në shpirt. Gjithsesi nuk po guxoj të dal nga shtëpia, sepse më duket sikur më monitorojnë në distancë Profesorët, Mjekët dhe Infermierët e Spitalit të Kirurgjisë të QSUT përmes porosive të shumta për të ruajtur tashmë vetveten në veprimtaritë shumëdimensionale të jetës, që nga ato fizike dhe fiziologjike, ato që lidhen me veprimtari clodhëse, argëtuese, intelektuale, si edhe të tjera që shoqërohen me pasoja emocionale, mendore dhe shpirtërore…

Dola për pak kohë në ballkonin e apartamentit dhe vrojtova paraditen diellore që shkëlqente dhe zhurmonte nga makinat që herë herë edhe ulurinin. Në fushat e kompleksit sportiv “Dinamo” vogëlushët stërviteshin në fushat e futbollit, të ndjekur nga prindër, gjyshër dhe moshatarë të tyre, që shohin me kureshtje apo bëjnë tifo. Aty ndizen dhe shuhen ëndra yjore për t’u bërë Mesi apo Ronaldo, ndërsa unë filozofoja fare kot duke ju sugjeruar në heshtje kalamajve e prindërve të tyre që ata duhet të ndjekin shëmbullin e Ronaldos, sepse ai është produkt i punës së Njeriut në Tokë, ndërsa Mesi është punë e Zotit dhe, si i tillë, ai është zgjedhje nga Qielli, ndaj është i paarritshëm.

Papritur, po rikthehem në realitetin e kësaj dite të vecantë, që shënon pragun astronomik të pranverës, 21 Mars, dita që fillon të ngrohë tërë pjesën tonë të planetit, ku fillojnë të shpërthejnë lulet dhe ngjyrat, ditë që u jep shpresë miliarda njerëzve që jetojnë në këtë pjesë të planetit, është Dita Ndërkombëtare e Poezisë, kur në Tiranë u lind im bir, Arieli, që edhe pse është kaq larg, në brigjet e Paqësorit, ma shumfishon lumturinë e kësaj dite… Këto rreshta po i shkruaj nën tingujt dhe mrekullinë e zërit të Celine Dion-it në këngën “I’m Alive”, gjatë një koncerti të saj në Las Vegas…Dhe për të treguar se vërtet I’m Alive, do të doja ta shpërtheja Zemrën time nga një cmënduri gëzimi në miliarda copra që të shpërndahen në qiellin e tërë kontinenteve nga më erdhën mesazhet tuaja jetësjellëse.

Këtë do të përpiqem ta transmetoj përmes një kënge të rinisë sime të gjimnazit, kur kam qënë djalosh 16-17 vjecar, qemalstafs i cmendur pas muzikës…”Cuore Matto”. Arieli e pëlqente shumë kur ishte i vogël, por tani shijet me siguri i kanë ndryshuar. Por “Cuore Matto” nuk ndryshon, Një Zemër e Cmëndur e kënduar nga një djalë i cmëndur…është “ever green”.

Share: