Home KRYESORE Kauza e 40* partive nuk duhet të vonohet

Kauza e 40* partive nuk duhet të vonohet

Nga Gaqo Apostoli*

Mbi gjithshka Shqipëria, me Zgjedhje të Lira e të Ndershme

1. Establishmenti PS/LSI/PD pengon amendamentet e Kodit Zgjedhor

Mos shqyrtimi i projekt amendamenteve të Tryezës së 40* partive parlamentare dhe jo parlamentare, “Për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, nga Establishmenti sundues PS/LSI/PD, është një shkelje e hapur e së drejtës kushtetuese të deputetëve për të ndërmarrë inisiativa ligjvënëse. Dhunimi i kësaj nisme ligjore të depozituar në Parlament afro 9 muaj më parë, nga deputetët përfaqësues të Tryezës, deri më sot, e ka eleminuar mundësinë për reformim të Kodit Zgjedhor aktual, duke u hequr shansin shqiptarëve për të shpëtuar nga grabitja e votës, nga manipulimi dhe kontestimi i zgjedhjeve. Nisma ligjore, ku përfshihen edhe amendamente mbi rekomandimet prioritare të raporteve të OSBE/ODIHR, mbi zgjedhjet në vitet 2013 dhe 2015, në vetvete përbën një produkt historik të bashkëpunimit të këtyre partive të Majta e të Djathta, që për herë të parë u përfshinë në një Kauzë për sipërmarrje të përbashkëta politike. Dhuna politike dhe legjislative e ushtruar nga Establishmenti, që historikisht sundon Shqipërinë, e përfshiu atë vetë në rrethin vicioz të krizës elektorale dhe, sigurisht, edhe të Reformës në Drejtësi. Përfshirja e tij në këtë krizë të përgjithshme, politike, elektorale, ekonomike, sociale, e ka burimin në frikën e tij të brëndshme ndaj dy reformave madhore, për mbajtjen/marrjen e pushteteve me çdo kusht.

2. Kriza e Establishmentit PS/LSI/PD

Kjo krizë shfaqet, sa në bojkotimin e pakuptimtë të parlamentit nga opozita, aq edhe në reduktimin e protestës së saj, nga një protestë masive në një “qëndresë” politike të fokusuar kryesisht në çadrën e madhe, të ngritur sipas modelit të precedentit “Protesta Rama 2010”. Sidoqoftë, prania e përfaqësuesve të shtresave të tjera shoqërore të varfra dhe në nevojë, deri dhe i grevisteve të urisë nga Zharrëza, të nisur përmes një marshimi biblik, në pamje të reduktuar, mund të ndryshojë e të zhvillojë më tej rrjedhën dhe drejtimin e zhvillimeve të kësaj krize të Establishmentit, pavarësisht se komponenti i maxhorancës së tij përpiqet të ruajë një qetësi false. Ftesa e Bashës dhe Letra e Dukës drejtuar Ilir Metës për t’ju bashkuar protestës së drejtuar nga PD, sa taktike aq edhe kompromentuese për të shkuar drejt një qeverie teknike, patën jetë të shkurtër dhe përfunduan në një darkë “me litar në fyt” të aleancës Rama – Meta.

Në këtë situatë politike dhe prag elektorale, që sa vjen e ndërlikohet, edhe deklaratat thuajse të njëanëshme të institucioneve të Brukselit, përmes Zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të BE Federica Mogherinit, si edhe të Raporterit për Shqipërinë, Knut Flackenstein në takimet e Tiranës, për të furur në parlament opozitën vetëm për miratimin e ligjeve të Vetingut/Reformës në Drejtësi, lanë një shije disi të pështirë. Në këto deklarata harrohet Reforma Zgjedhore dhe, sidomos, rekomandimet prioritare të raporteve të hartuara nga OSBE/ODIHR. Minimalisht, këta eksponentë të lartë të BE duhet të kërkonin zbatimin me të njëjtën konsekuencë, si të Reformës në Drejtësi, ashtu edhe të Reformës Zgjedhore, për më tepër që, kjo e dyta përbën një emergjencë prioritare, sepse 18 Qershori 2017 po ulurin me dhimbje nga krizat e dështimit.

Në këtë kuptim, deklaratat e njëanshme të zëdhënëses së Federica Mogherinit dhe të Knut Flackenstein, apo edhe të Komisionerit Han, përfshirë këtu edhe avokatinë që Flackenstain i bëri billionerit Soros përmes ironisë së tij ndaj Berishës dhe përgjigjen halucinante “hazër xhevap” të këtij të fundit, ku në një moment të parë, i kujtojnë publikut të gjërë thënien e vjetër “Stambolli digjet, Kurva krihet”. Eksponentët e lartë të BE “harruan”, të sugjeronin që të dyja reformat duhet të zhvillohen me të njëjtin prioritet dhe konsekuencë, konform rekomandimeve prioritare të tyre, sepse, ajo që i pengon këto reforma, është vetëm mungesa e plotë e vullnetit të Establishmentit autokratik të trinomit politik PS/LSI/PD.

Deklarata e fundit e Bashës, një “shashkë” e kushtëzuar, se PD do të futet në Parlament për të votuar Reformën në Drejtësi, vetëm nëse do të miratohen propozimet e saj që 7 ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën, si dhe deklarata “bombë” e Shefit të Misionit të OSBE, Bernd Borchard, për ekzistencën në qarkullimin të 2 miliard Euro që mund të kriminalizojnë zgjedhjet e ardhshme, kanë shtuar dozat e krizës së përgjithshme të Establishmentit PS/LSI/PD, duke tronditur dhe çoroditur me themel edhe shoqërinë e varfër shqiptare.

Gjithsesi, që situata të mos agravohet dhe të degjenerojë, duhet që deputetët e opozitës të kthehen në parlament, duke riaktivizuar me efiçencë komisionet e posaçme të reformës zgjedhore dhe të reformës në drejtësi. Ndërkohë, të paktën për seriozitet politik dhe qytetar, protesta mund e duhet të vazhdojë duke argumentuar me qartësi dhe besueshmëri kërkesat e saj, duke rritur e zgjeruar pjesëmarrjen. Është detyrë imediate e komponentit maxhoritar të Establishmentit, që ta vlerësojë seriozisht këtë protestë të komponentit opozitar të tij, duke bashkëpunuar me efiçiencë në komisionet e posacme, duke rritur nivelin e fleksibilitetit politik dhe legjislativ. Në situata të ndera politike dhe elektorale, fryma dhe shfaqjet e megalomanisë, ironisë e prepotencës është e rrezikshme, sepse e fryjnë artificialisht krizën, duke i çuar lëvizjet drejt një degjenerimi shkatërrues, që rrezikon ta rrokullisë Shqipërinë, e cila, si Sizifi, duhet ta fillojë nga e para.

3. Mbi gjithshka Shqipëria, me Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme

Në një kamp tjetër politik, nën zhurmën e deklaratave të bujshme që vinë nga Tirana dhe nga Brukseli, “nga Toka dhe nga Qielli”, vazhdon pandërprerë veprimtaria e Tryezës së 40* partive parlamentare dhe jo parlamentare, e cila, analizon në dinamikë bashkëpunimin e derisotëm. Shpallja e Kauzës së tyre finale do të ndikonte më drejtpërdrejtë në besueshmërinë e proçesit të reformës zgjedhore, për zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarde, bazuar në rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR. Është jetik zbatimi i këtyre rekomandimeve të neglizhuara deri në përdhosje nga Establishmenti PS/LSI/PD, të harruara edhe nga Personalitetet dhe Institucionet Europiane, që vetë i shkruan dhe frymëzuan rekomandimet, të gjithë pranuara nga politika shqiptare, nga institucione dhe organizma të tjera.

Veprimtaria e përbashkët e politikanëve të Tryezës së 40* partive, të Majtë e të Djathtë, për amendamentet e projektligjit, ka krijuar një frymë politike cilësisht të re. Ky kontribut i veçantë transmetohet i tillë drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin e opinionit publik, për të mbështetur këtë mision të ri në politikën shqiptare, të bashkimit të 40* partive mbi kauzën e shënjtë të paprekshmërisë së votës së qytetarit. Partitë janë bashkuar në bindjen se korrupsioni dhe polarizimi i tejskajshëm ekonomik i shoqërisë, kriminalizimi i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kanë burim statukuo-në e krijuar dhe të mbrojtur nga Establishmenti autokratik, për procese zgjedhore pa standarte, të cilat prodhojnë pareshtur rezultate elektorale të deformuara, të manipuluara e të kontestuara, për rrjedhojë, parlament me shkallë të lartë inkriminimi, qeverisje të korruptuara dhe, sistem drejtësie me koefiçient tepër të ulët besueshmërie.

Ka më se 16 muaj që politika dhe shoqëria shqiptare, janë informuar mbi ekzistencën dhe veprimtarinë e Tryezës së 40 Partive. Tashmë pritet vendimi i çdo partie për të hedhur hapin final drejt transformimit të Tryezës në një koalicion të madh, një Poli të Ri Politik dhe Elektoral, Kauza e të cilit nuk duhet vonuar, por duhet të vendoset në përballje me Establishmentin PS/LSI/PD, që tërë këto vite ka prodhuar me shumicë Korrupsion, Kriminalitet dhe Kanabis (K/K/K). Prandaj,

• Nisur nga konsideratat për situatën politike, sociale, ekonomike dhe elektorale të vëndit, nga kalvari i mundimshëm që përjeton Shoqëria për shkak të pushtetit legjislativ, qeverisës, gjyqësor, si produkte të proçeseve zgjedhore pa standarte demokratike;
• Bazuar në vlerësimet e kësaj situate që ndodhet në prag të një degjenerimi katastrofik, e cila kërkon zhvillimin në një stad të ri të Parlamentarizmit e Pluralizmit, përtej Establishmentit Autokratik të maxhorancave që ndajnë periodikisht pushtetin dhe, që tashmë është konsumuar plotësisht;
• Në tërë shoqërinë shqiptare është krijuar ndjesia e fortë se kjo situatë parashtron nevojën sublime të krijimit të alternativave të reja, duke realizuar kohezion të fuqishëm, që eleminon praktikat klanore e korruptive dhe përshpejton reforma shumëdimensionale për zhvillimin e vendit integrimin e tij në BE.

Kauza për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, që motivoi partitë nga i gjithë spektri politik për të bashkëpunuar mbi 16 muaj në një Tryezë politike, sot është Kauza Madhore e tërë Shoqërisë Shqiptare, është një Kauzë fituese, e cila mjafton që të ndërmerret dhe të luftohet denjësisht për të. Është momenti që 40 partitë e Tryezës të rreshtohen në këtë Kauzë Madhore elektorale që përmbush kërkesat e të gjithë mbështetësve dhe të shtresave të zhgënjyera të shoqërisë, një Kauzë që duhet të bëhet lejtmotiv, për t’u prirë zgjedhësve shqiptarë, nën moton:

“Mbi gjithshka Shqipëria, me Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme”.

Shenim: 40* – Indeksi (*) tregon se ne finale numri 40 mund te varioje ne diapazonin nga 35 ne 50, ne varesi te vendimit te tyre final per pjesemarrjen ne koalicionin “Kauza 40*”.

Share: