Home KRYESORE Krijohet Grupi i Miqësisë Itali –Kosovë në Parlamentin Italian

Krijohet Grupi i Miqësisë Itali –Kosovë në Parlamentin Italian

Tani e tutje Kosova do të ketë një derë të hapur edhe në të dyja dhomat e Parlamentit Italian. Të martën, me 7 mars, për herë të parë u formua Grupi i Miqësisë për Kosovën, grup në të cilin janë përfshirë deri tani 45 senatorë dhe deputetë. Kryetar i grupit u emërua senatori Gianpiero Dalla Zuanna, Profesor i Demografisë në Universitetin e Padovas.

Ceremonia e krijimit të grupit miqësor Itali – Kosovë u zhvillua në Pallatin Madama, e cila është selia e Senatit të Republikës Italiane. E ftuar në këtë ceremoni ishte edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali Alma Lama, e cila edhe inicioi krijimin e këtij grupi të miqësisë në parlamentin italian.

Senatori Dalla Zuanna, theksoi rolin që grupi parlamentar i miqësisë mund do të luajë në intensifikimin e bashkëpunimit në mes Italisë dhe Kosovës, duke shërbyer si një urë miqësie ndërmjet Parlamentit Italian dhe Parlamentit të Kosovës. Ai shprehi vullnetin për angazhimin e grupit në promovimin, përforcimin dhe vlerësimin e njohurive të ndërsjella në mes të dy vendeve, për të nxitur miqësinë dhe solidaritetin; promovimin e shkëmbimeve kulturore, shkencore dhe artistike në mes Italisë dhe Kosovës përmes marrëveshjeve me institucionet, promovimin e bashkëpunimit ekonomik si edhe ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve përmes misioneve diplomatike të Italisë dhe Kosovës.

Ndërsa ambasadorja Lama, në fjalën e saj, falënderoi senatorët dhe deputetët që i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës për themelimin e Grupit të Miqësisë. Në veçanti ajo i falënderoi senatorët Dalla Zuanna dhe Di Biagio për angazhimin e tyre për ngritjen e këtij grupi. Ambasadorja Lama tha se Italia dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira në nivel politik dhe diplomatik dhe se Italia është duke kontribuar në sigurinë e Kosovës dhe vazhdon ta mbështesë atë në të gjitha proceset politike.

‘Ne jemi një shtet i ri që ka nevojë për të mësuar nga përvoja juaj e gjatë, jo vetëm në jetën parlamentare, por edhe në lidhje me trajtimin e çështjeve themelore të shtetit. Ne kemi nevojë për mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, sepse rruga nuk është aq e lehtë për një vend që ka mbijetuar një luftë, me të gjitha problemet që ajo sjell”, tha ndër të tjera ambasadorja Lama

Përsa i përket raporteve me Serbinë, Ambasadorja Lama kërkoi nga Grupi që të angazhohet edhe për kushtëzimin e Serbisë nga ana e BE-së që të njohë Kosovën. Një objektiv tjetër i Grupit të Miqesisë që u propozua nga Ambasadorja Lama ishte për një rol më aktiv të Italisë përsa i përket procesit të njohjeve nga vendet e botës, vecanërisht atyre afrikane. ‘

Në fund Ambasadorja Lama ftoi Grupin i Miqësisë që të vizitojnë Kosovën në të ardhmen e afert.

kosove itali grupi

Share: