Me ne fund nje studim serioz per financat e partive politike. Duket se LSI është partia me të ardhurat më të mëdha në Shqipëri, për vitin 2016 dhe kete lajm e jep politologu Afrim Krasniqi, referuar një studimi të kryer nga Instituti i Studimeve Politike.
“Të ardhurat e LSI janë rreth 1 milion lekë (të reja) më shumë se PS dhe rreth 30 milion lekë (të reja) më shumë se PD.“ – thuhet ne studim dhe ku përkatësisht rezulton se LSI ka të ardhura në shifrën e 87 198 884 lekë (të reja), PS 86 613 502 lekë (të reja), ndërsa PD 57 179 867 lekë (të reja).
Vetë Krasniqi konstant ne kete qendrim shkruan se partitë mbeten shkelëse konsensuale të Kushtetutës ne pikën e deklarimit të burimeve të financimit dhe shpenzimet e tyre.
“Te dhenat per vitin 2016: partia më me shumë të ardhura është LSI, dhe jo dy partitë e mëdha, PS e PD. Të ardhurat e LSI janë rreth 1 milion (të reja) më shumë se PS dhe rreth 30 milion (të reja) më shumë se PD. Shpjegimi? Partitë në qeveri, për shkak të aseteve e përfitimeve informale të pushtetit, kanë gjithnjë më shumë të ardhura sesa partitë në opozitë. Partitë e modelit klientelist kanë strukturë funksionale financimi sipas vendit të punës që kanë marrë anëtarët dhe sipas hierarkisë në vendet e punës.”- shkruan sot Krasniqi.