Qeveria shqiptare ka një plan të ri për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, gjatë tre viteve të ardhshme, si objektivi më i madh gjeostrategjik dhe politik i vendit tonë.
Dokumenti, prej më shumë se një mijë faqesh, jo vetëm bën një bilanc të zhvillimeve dhe progresit të deritanishëm në të gjitha fushat, por përcakton edhe hapat që do të merren gjatë viteve 2017-2020, periudhë në të cilën Shqipëria pritet të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar ne BE.
Nismat dhe lëvizjet që do të ndërmerren bazohen në kërkesat e pasqyruara në progres-raportin e fundit të institucioneve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ku një ndër kushtet kryesore është krijimi i një historiku solid të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve të zyrtarëve në nivele të larta për korrupsion.
Në këtë kuadër, qeveria, nëpërmjet dokumentit i premton Brukselit disa hapa konkrete në këtë drejtim. “Lufta kundër korrupsionit është prioritet kyç për qeverinë e Shqipërisë. Drejtimet kryesore të politikës kundër-korrupsionit përfshijnë një seri veprimesh për parandalimin e fenomenit, forcimin e institucioneve, monitorimin e përgjithshëm edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe dënimin administrativ dhe penal të zyrtarëve të korruptuar.
Zbatimi i strategjisë kundër-korrupsionit, të miratuar në vitin 2015, do të kontribuojë në reduktimin e qëndrueshëm të fenomenit të korrupsionit”, thuhet në dokument. Raporti parashikon disa objektiva strategjikë, ku përfshihen rritja e numrit të operacioneve kundër korrupsionit ku përdoren teknika speciale të hetimit dhe rritja e bashkëpunimit dhe zhvillimit të takimeve dhe analizave me Njësitë e Përbashkëta Hetimore.
Goditja e pasurive
Qeveria shqiptare ka pritshmëri të mëdha tek roli i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit Kontrollit të Pasurive, si një institucion kyç për luftën kundër korrupsionit. Në planin për integrimin, në kuadër të kushtit të luftës ndaj korrupsionit, qeveria premton forcimin e ILDKP, për goditjen e zyrtarëve të dyshuar për korrupsionin, nëpërmjet goditjes së pasurive.
“Prioritetet e ILDKPKI lidhen me përmirësime ligjore në vijim të rekomandimeve të ndryshme (GRECO, projekti ACFA etj) për zbatimin më të mirë të kuadrit ligjor për konfliktin e interesit dhe deklarimet e pasurive të zyrtarëve. Gjithashtu, ILDKPKI ka si prioritet dixhitalizimin e procesit të deklarimit të pasurive (deklarimin online) për të mundësuar rritjen e efikasitetit si dhe publikimin brenda afateve kohore të përcaktuara të deklaratave të interesave private pa kërkesë.
Më tej, synohet rritja e kapaciteteve të ILDKPKI për zbulimin, trajtimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit rast pas rasti si dhe bashkëpunimi më i ngushtë me institucionet e tjera për shkëmbimin e informacionit për rastet e konfliktit të interesave, sidomos në fusha me risk për korrupsion”, thuhet në dokument.
Politikat kundër korrupsionit
Sipas planit të ri, politikat kundër korrupsionit synojnë reduktimin e korrupsionit në mënyrë progresive, duke rritur integritetin e institucioneve dhe promovimin e qeverisjes përmes përmirësimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve, zbatimit të ligjit dhe transparencës. “Pavarësisht të gjitha masave të marra për të reduktuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën dhe hetimet, korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen i përhapur gjerësisht.
Qeveria synon rritjen e kapaciteteve të institucioneve për kontrollin dhe inspektimin e brendshëm, vlerësimin e riskut për korrupsion në institucionet e administratës shtetërore si dhe atë të hapësirave për korrupsion në hartimin e legjislacionit”, thuhet në planin e ri të integrimit.
Reforma në drejtësi
Qeveria identifikon reformën në drejtësi si objektivin më madhor në kuadër të ndëshkimit të korrupsionit. “Objektiv madhor në kuadër të ndëshkimit të korrupsionit është edhe reforma në drejtësi e cila pritet të ndërmarrë ndryshime ligjore në fushën e ndëshkimit të korrupsionit, në vlerësimin e gjyqtarëve, parandalimin e korrupsionit në gjyqësor, si dhe në hetimin e korrupsionit. Për sa i përket veprimeve edukuese dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë në lidhje me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit parashikohen një seri masash për të forcuar rolin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit si dhe në rritjen e pjesëmarrjes e bashkëpunimit të publikut në luftën kundër korrupsionit. Aktualisht po zbatohen dhe është planifikuar një plan masash edukuese në formatin e një fushatë kombëtare të ndërgjegjësimit për rastet korruptive dhe prezantimi i mjeteve inovative për denoncimin e korrupsionit”, thuhet në dokumentin voluminoz.
Plani i ri
Qeveria shqiptare ka një plan të ri për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, gjatë tre viteve të ardhshme, me anë të të cilit i premton Brukselit luftë reale kundër korrupsionit në këmbim të statusit.
Objektiv madhor
Objektiv madhor në kuadër të ndëshkimit të korrupsionit është edhe reforma në drejtësi e cila pritet të ndërmarrë ndryshime ligjore për ndëshkimin e korrupsionit, vlerësimin e gjyqtarëve, parandalimin e korrupsionit në gjyqësor, si dhe në hetimin e korrupsionit.
Hapat kundër korrupsionit
Rritja e numrit të operacioneve ku përdoren teknika speciale të hetimit; Rritja e hetimeve proaktive dhe rritja e kapaciteteve të strukturave të organeve ligjzbatuese; Përdorimi dhe menaxhimi më i mirë i informacionit për hetimin e korrupsionit; Forcimi i kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta me agjencitë e zbatimit të ligjit të përfshira në luftën kundër korrupsionit; Garantimi i qëndrueshmërisë të oficerëve të policisë gjyqësore (OPGj) dhe zyrtarëve të organeve ligjzbatuese; Rritja e bashkëpunimit dhe zhvillimit të takimeve dhe analizave me Njësitë e Përbashkëta Hetimore(NJPH); Raportimi, arritjet në luftën kundër korrupsionit Përpos objektivave, qeveria bën edhe një bilanc të arritjeve në luftën kundër korrupsionit. “Si rezultat, për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit janë prezantuar disa ndryshime legjislative. Ndryshimet në vitin 2014 në Kodin e Procedurës Penale dhe ndryshimet në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji anti-mafie) klasifikuan korrupsionin e zyrtarëve të lartë si një vepër të rëndë penale.
Në krahasim me procedurat e mëparshme penale për rastet e korrupsionit, ndryshime të tilla forcuan regjimin e ndjekjes së çështjeve të korrupsionit aktiv dhe pasiv të zyrtarëve të lartë të shtetit duke emëruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda si autoritetet kompetente për ndjekjen penale dhe gjykimin. Nga ana tjetër, ndryshimet e ligjit anti-mafia zgjerojnë fushëveprimin e ligjit të këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, ligji i ri “Për të drejtën e informimit”garanton transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve në raport me publikun. Ky ligj i jep kompetenca të plota Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për monitorimin e zbatimit të tij nga institucionet publike.
“Nga autoritetet publike janë caktuar 198 koordinatorë për të drejtën e informimit dhe 108 prej tyre kanë miratuar dhe bërë publik Programin e Transparencës, përfshirë institucionet qendrore, ato të pavarura, gjyqësori dhe prokuroritë, pushteti vendorë, shoqëritë tregtare, etj.
Për më tepër, ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” parashikon rregullat procedurale që duhen zbatuar për pjesëmarrjen e publikut në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse nga organet publike me synim nxitjen e transparencës, të përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve publike”, vijon raporti./360grade.al