Në prezantimin e strategjisë së re të luftës kundër drogës, kryeministri Edi Rama pranoi se edhe ushtria do të jetë në terren me strukturat e saj në parandalimin e kanabisit.
“Në shërbim të këtij operacioni policia e shtetit do të ketë shërbimet inteligjente, përfshirë edhe shërbimet inteligjente të ushtrisë” tha Rama që me këtë deklaratë pranoi propozimin për të cilin u tha se shkarkoi Ylli Manjanin.
Propozimi i ish Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani u bë në janar, pikërisht kur diskutohej strategjia që prezantoi sot Rama. Manjani tha atëherë se situata e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të tij, cënonte sigurinë kombëtare, ndaj veç policisë duhet të dilte në terren edhe ushtria. Deklarata i kushtoi postin Ylli Manjanit, megjithëse në njoftimin zyrtar të qeverisë nuk u përmend asnjë shkak.
“Në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së bashkëqeverisjes dhe të koordinimit sa më të mirë të punës me Kuvendin, aktorët e tjerë shoqërore e grupet e interesit, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kam gjykuar të nevojshëm lirimin e Ministrit Manjani dhe zëvendësimin e tij me Ministrin Vasili” ishte njoftimi zyrtar i shkarkimit./lapsi.al