Shefi i Shërbimit Federal Informativ të Gjermanisë (BND), Bruno Kahl-i shprehet mosbesues ndaj akuzave të autoriteteve turke në adresë të mbështetësve të klerikut turk, Fethullah Gylenit, si organizatorë të grushtit të shtetit të vitit të kaluar. Sipas tij, institucioni i drejtuar prej tij dhe autoritetet gjermane nuk kanë besuar asnjëherë se pas kësaj tentative qëndronte Gylen dhe mbështetësit e tij.
Kryetari i Shërbimit Federal Informativ (BND), Bruno Kahl në intervistën e tij për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Rusi dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet e fundit mes Turqisë dhe vendeve të Bashkimit Europian. Kahl-i tha se “pavarësisht raporteve të tensionuara mes dy vendeve, shërbimet e inteligjencës kanë komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm dhe me vendet që nuk ndajnë të njëjtat vlera dhe parime me perëndimin. “Qoftë dhe për shkak të pozicionit strategjik të Turqisë, nuk mund të mbyllim kanalet e komunikimit”, – u shpreh Kahl.
“Nuk na bindën dot për çështjen Gylen”
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve turke për të bindur homologët gjermanë se pas tentativës së grushtit të shtetit qëndron pikërisht lëvizja “Gylen”, Kahl-i thotë “kanë tentuar mënyra të ndryshme për të na bindur, por deri më tani nuk na kanë ofruar asnjë provë konkrete për këtë.” Shefi i shërbimeve të intelegjencës gjermane thotë se tentativa e grushtit të shtetit nuk është orkestruar nga vetë qeveria. “Vala e pastrimeve të nisura nga qeveria kanë filluar që para tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut, ndaj dhe tentativa e grushtit të shtetit ishte një përpjekje e këtyre segmenteve për t’i shpëtuar valës së spastrimeve. Por, ishte shumë vonë dhe në fund edhe ata gjenden jashtë radhëve”, – tha ai.
Por, sipas tij, pavarësisht faktit që tentativa e grushtit të shtetit nuk është orkestruar nga vetë qeveria, kjo e fundit dhe Presidenti i Turqisë, e kanë përdorur atë si justifikim për planet e tyre. Pyetjes së “Der Spiegel”-it, nëse lëvizja Gylen është një lëvizje terroriste, siç akuzohet nga autoritetet turke” Kahl –i iu përgjigj se “Lëvizja e Gylenit është një lëvizje e shoqërisë civile që i kushton rëndësi vlerave të fesë dhe arsimit. Për vite me rradhë kjo lëvizje ka investuar në shkolla dhe arsim dhe institucionet arsimore të drejtuara nga kjo lëvizje janë ngritur kudo dhe më mbështetjen e vetë Erdoganit”, – u shpreh ai.
Sipas tij, lëvizja Gylen nuk mund të konsiderohet “sekt” fetar, pavarësisht se ky term përdoret dhe në vendet europiane. Lëvizja Gylen, deklaroi Kahl-i, është një lëvizje që duhet vlerësuar dhe që duhet marrë në konsideratë.
Roli i Turqisë në luftën kundër ISIS-it
Shefi i Shërbimit Informativ Gjerman, u ndal dhe tek lufta kundër ISIS,-it, por nuk pranoi të bënte asnjë koment në lidhje me ndikimin që mund të kishte përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë në të. “Parë në prespektivën e vlerave dhe shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, situata në Turqi nuk është dhe aq shpresëdhënëse. Megjithatë, bashkëpunimi i të dy vendeve në fushën e sigurisë është tejet i rëndësishëm”, -tha ai.