Home KRYESORE “Shullazi”/ Edhe Haki Çako dëshmon në Prokurori pas Saimir Tahirit

“Shullazi”/ Edhe Haki Çako dëshmon në Prokurori pas Saimir Tahirit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, është dëshmitari i radhës i thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarime në hetimin ndaj Emiljano Shullazit.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmuan dje se kreut të Policisë i është kërkuar të paraqitet për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen e kërcënimit të rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule, në Prill të vitit 2016, shkruan gazeta Panorama.

Të njëjtat burime të konfirmuara nga hetimi kanë thënë se vendimi për thirrjen e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, në cilësinë e deklaruesit, është marrë pas administrimit të deklarimeve të Saimir Tahirit dhe Ervin Hodajt.

Ish-ministri i Brendshëm u mor në pyetje të premten nga dy prokurorët e çështjes për rreth 30 minuta. Ai ka dëshmuar në Prokurori se kishte marrë dijeni për kërcënimin e profesorëve, të cilët sipas Tahirit nuk kanë përmendur emra në lidhje me autorët e kanosjes që ndodhi në fushatën për zgjedhjet në universitete.

Tahiri ka thënë se pasi është njohur me rastin, ka porositur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako për të ndjekur çështjen, duke kërkuar nga Policia zbardhjen e ngjarjes. Burimet nga hetimi thonë se pikërisht për këtë pjesë të deklarimit të Tahirit, është vendosur të thirret për t’u marrë në pyetje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako.

Share: