Home KRYESORE Strehëza e bardhë në kryeministri nuk do të digjet

Strehëza e bardhë në kryeministri nuk do të digjet

Nga Lorenc Vangjeli

Një nga akthet e paraprotestës së 18 shkurtit të opozitës ishte fati i strehëzës së bardhë në hyrjen e kryeministrisë. Demokratët, edhe pse të vendosur të protestonin në paqe, dukej se kishin vendosur ta dëmtonin atë. Më shumë si një simbol dhe një fyerje ndaj kryeministrit që e ka shumë për zemër atë. Si të gjitha gjërat e vyera – siç ndodh me muzeumet në rast lufte, për shembull – ajo u mbulua me një skelë dhe pëlhurë të trashë për t’u mbrojtur. Nga e premtja, strehëza është shumë më shumë e mbrojtur: ajo ka mbrojtje politike. Sepse tashmë ka një dritë në fund të tunelit. Atëherë kur shumëkush mund të vinte bast për kursin shumë të rrezikshëm të përplasjes në të cilën kishte hyrë pozita dhe opozita, pikërisht atëherë kur pritej më pak, e premtja paradite rezervoi dy surpriza. Maxhoranca bëri një ftesë për dialog dhe opozita e pranoi atë menjëherë. Në dy javë të gjata kur dukej se frerët e lojës i kishin marrë radikalët dhe binin daullet e luftës, epilogu po duket shumë befasues. Ju dha paqes një shans tjetër sepse është tërësisht e kuptueshme që asgjë tjetër përveç paqes politike dhe sociale në këtë vend, nuk do të ishte e pranueshme. E kundërta do të ishte jo vetëm e rrezikshme, jo vetëm e paparashikueshme, por me një kosto që herët a vonë do të paguhej fillimisht nga vetë radikalët.

Në dy javë maxhoranca ka pasur një qëndrim të qetë ndaj asaj që ndodhte në Bulevardin kryesor të Tiranës. Me fare pak përjashtime të rralla, kjo qetësi e saj, së paku në sipërfaqe, ishte edhe shkak që i buronte nga taktika e sotme dhe tradita e djeshme, edhe pasojë që ishte rrjedhojë e qetësisë së vetë protestës. Pak përjashtime, pak thumba dhe pak ironi, nuk shërbejnë për t’i dhënë kësaj qetësie një pamje tjetër. Deklarata e kryebashkiakut Veliaj në fillim të protestës për trafikun që pengohej në bulevard ishte më shumë batutë sesa ngacmim real. Veliaj tha atë që do të duhej të thoshte si kryetar i bashkisë së Tiranës, por jo atë që mendon si politikan, që pikërisht në atë vend, qëndroi dhe vetë me uri për bindje e qëllime politike.

Ministrat Tahiri, Beqja e Ahmetaj, gjithashtu të lidhur me protestën e dikurshme, të veshur atëherë me tuta si grevistë apo aktivistë të ish-opozitës, e lidhën protestën e opozitës me reformën në drejtësi, por pa përdorur tone maksimaliste kundër saj.

“Protesta bëhet sepse opozita i trembet si djalli temjanit reformës në drejtësi”, ka thënë Rama, por pa demonizuar vërtet dhe egër opozitën, siç e ka bërë shumë shpesh.

“…nuk mendoj se dialogu është i pa mundur edhe jashtë parlamentit. Aq më tepër kur rastis që kryetari i opozitës nuk është anëtar i parlamentit. Kryesorja është vullneti për dialog…”, ka thënë Meta. Edhe njëri, edhe tjetri gati një javë më parë.

Një protestë “bis” me çadra të shoqërisë civile që mblidhnin firma për një peticion, u bë lajm jo për atë që ndodhi në të vërtetë, por sepse politikanët kryesorë socialistë shkuan gjithashtu ta firmosin.

Përballë shumicës, opozita në aksionin e saj ishte shumë më shumëngjyrëshe. Nga thirrjet për luftë e deri në detaje teknike për programin e nesërm të qeverisjes së saj të mundshme. Nën çadër u kosnumuan ditë pas dite dy beteja paralele. Një bëtejë e vogël dhe një betejë e madhe. Prej ditësh tashmë askush nuk e merr me humor kryetarin e Partisë Demokratike. Duke folur disa herë në ditë në shesh, duke tërhequr vëmendjen maksimale të mediave, duke artikuluar shumë më mirë se kushdo tjetër brenda të njëjtës çadër, Basha bëri diferencën me të vetën dhe sot është kryetari real i PD-së. Ai mundi të afrohet në popullaritet edhe me vetë Doktorin, i cili shpesh mungonte në çadrën në të cilën brohoritej njëlloj: edhe për të, edhe për pasardhësin e tij.

Me çadrën në shesh, Basha mundi të rikuperojë mangësinë e tij për mungesën në parlament. Ky zbor ishte beteja e tij e parë dhe e vërtetë vetjake dhe politike. Ishte një parafushatë zgjedhore, një fiskulturë për opozitën e cila do të hyjë në garë për pak muaj. Pavarësisht teprimeve, pavarësisht ekzagjerimeve, pavarësisht të pavërtetave dhe piruetave, Basha mundi ta shndërrojë protestën në një vaksinë për demokracinë – zgjedhjet e ardhshme – dhe në një porcion adrenaline për vetë shoqërinë shqiptare, me nerv të fjetur proteste. Nëse, edhe vaksina, edhe adrenalina do të funksionojnë, ato do të jenë aleate në bëtejën e madhe, atë për standartet zgjedhore, në të cilat, Basha do të donte të kishte gisht e pjesë. Madje nuk do të ishte keq që gisht dhe pjesë në të këtë të premte të ketë edhe vizita në Tiranë e Mogherinit, përfaqësueses së BE-së dhe sinjalit të ambasadorit Lu në një darke informale me gazetarë që foli edhe për dobinë e synimeve të opozitës, por jo të mjeteve për realizimin e tyre. Madje edhe duke nënvizuar rolin me rëndësi kritike të Metës në reformën në drejtësi dje dhe rolin e mundshëm kritik të tij sot.

Nga e premtja në mëngjez, politika shqiptare, pak për shkak të emancipimit të saj, pak për shkak të profesionalizmit dhe shumë për shkak të interesit, mundi të hyjë në real politikë. Sepse llogariti se çfarë do të ndodhte nëse do të vazhdohej në një kurs të vazhdueshëm përplasjeje. Që me krizën e fortë të kohës dhe me faktin që në Shqipëri janë duke ndryshuar të gjithë pushtetet në të njëjtën kohë: për pak ditë ndryshon legjislativi, si pasojë ndryshon ekzekutivi; reforma në drejtësi premton shkundjen e pushtetit gjyqësor. Për pak ditë gjithashtu Shqipëria do të ketë një president të ri dhe e fundit, media si asnjëherë tjetër më parë është nën mallkim e akuzë. Nga Rama që e quan një pjesë të saj media të kazanit dhe Basha që e quan pothuaj në bllok atë media të shitur. Por edhe njëri, edhe tjetri, janë nga mëngjezi në darkë protagonistë të saj.

Pa të premten dhe mesazhin e saj – uljen për diskutim dhe kompromis – Shqipëria rrezikonte seriozsht kaosin. Kaosin social dhe kushtetues. Çdo pushtet i zgjedhur në këtë hark disa mujor, rrezikonte legjitimitetin moral edhe nëse do të kishte legjitimitet numerik. E premtja shpëtoi fytyrën e politikës lokale dhe strehëzën e saj.

Share: