Home KRYESORE Tabaku: Në Shqipëri 40% e GDP vjen nga droga, 8 milione rrënjë...

Tabaku: Në Shqipëri 40% e GDP vjen nga droga, 8 milione rrënjë kanabis të kultivuara

Deputetja demokrate Jorida Tabaku i është referuar edhe një herë raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raportit të Europol, lidhur me problematikën e kultivimit të drogës në Shqipëri. Përmes një postimi në faqen e saj në FB, deputetja Tabaku ka ripërsëritur shqetësimin e opozitës mbi ekonominë shqiptare, që tashmë nuk mbështetet më në prodhimet vendase, por në kultivimin e drogës, që përbën 40% të GDP-së. Duke iu referuar agjencive ligjzbatuese, Tabaku pohon se për vitin 2016 në Shqipëri janë kultivuar 8mln rrënjë cannabis sativa në peshën 3.2mln kg. Vlera e saj në tregun shqiptar është rreth 200€/kg. Në tregun Italian shitet në vlerën 600 deri në 700€/kg.

Postimi i plotë i Tabakut : Ekonomia e drogës 40% e GDP!

Raporti DASH dhe EUROPOL noterizuan një nga fatkeqësitë më të mëdha që Rilindja po u lë shqiptarëve, kanabizimin e vendit dhe shndërrimin e tij në burimin kryesor të drogës në Europë si dhe transformimin e vendit në një terren të përshtatshëm për krimin e organizuar. Ajo që lexohet midis rreshtave të këtyre dy raporteve por edhe pohimeve të kreut të Antimafias italiane lidhet me shqetësimin e ngritur prej kohësh si nga unë ashtu edhe nga deputetë të tjerë të opozitës; ekonomia jonë duket se bazën e saj kryesore po e zhvendos nga një ekonomi e shëndetshme bazuar në prodhimin e produkteve dhe shërbimeve të zakonshme në një ekonomi hashashi dhe për pasojë duke prodhuar një krizë si kjo që kemi sot.

Investimi personal I qeverisë, pa të cilën nuk mund të mendohej një shtrirje dhe përhapje kaq e madhe e drogës, ka rezultuar në zëvendësimin e parcelave me të mbjellat e agrumeve, drithërave dhe fruta-perimeve në parcela droge. Shërbimet e shpërndarjes dhe eksportit të produkteve të tilla janë zëvendësuar me korrierë droge që kapen në brigjet e Italisë apo në kufi me Greqinë. Qeveria emëron persona që drejton këtë trafik droge në poste kyçe dhe i mbron ndërkohë që sipas INSTAT industria është në krizë prodhimi për të nëntin tremujor me radhë. Bujqësia vazhdon të jetë thembra e Akilit sepse rilindja është e fokusuar jo në mbështetjen e saj por hashashizimin e vendit.

Arsyeja e vetme se përse Rilindja ka lidhur veten por fatkeqësisht edhe shqiptarët me këtë plagë të rëndë që po na rrënon ekonomikisht dhe si shoqëri, lidhet me atavizmin e saj ndaj pushtetit. Kryeministri dhe gjithë banda që drejton me të janë të preokupuar për të prodhuar një skemë si e si të mundohen të keq-qeverisin sesa të qeverisin. Blerja e votës si dhe manipulimi i dhunshëm i saj janë skenarët që ato duan të përdorin karshi qytetarëve dhe opozitës në ditën e zgjidhjeve. CNN, BBC e shumë media të tjera prestigjoze kanë ngritur këtë shqetësim me përmasa tashmë europiane. Sipas agjensive ligjzbatuese, për vitin 2016 në Shqipëri janë kultivuar 8mln rrënjë cannabis sativa në peshën 3.2mln kg. Vlera e saj në tregun shqiptar është rreth 200€/kg. Në tregun Italian shitet në vlerën 600 deri në 700€/kg.
Vlera e që vjen nga prodhimi, shitja me pakicë në tregun e brendshëm dhe trafikimi në tregun ndërkombëtar përbën 40% e GDP.

Përballë këtyre dy problemeve, opozita por mbi të gjitha qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar. Jo për t’i dhënë pushtet të pamerituar opozitës, por për të mbajtur në këmbë parimet e një demokracie të brishtë për të cilën duhet punuar që ta forcojmë. Duhet qëndruar së bashku, për t’i dhënë fund maskaradës dhe një shteti të përlyer deri në nivelet më të larta nga individë me rekorde kriminale. Duhet qëndruar të bashkuar, për të sjellë në jetë një republikë institucionale që respekton dinjitetin e individit nga më i thjeshti e deri tek ministri apo deputeti.

Raporti i DASH dhe EUROPOL, janë një alarm i vazhdueshëm të cilit duhet t’i vendosim vëmendjen e duhur përpara se droga dhe të inkriminuarit të rrethojnë edhe atë pak hapësirë publike apo private përpara nesh. Ne sot duhej të flisnim për një model të ri ekonomik, si të shfrytëzojmë burime të pashfrytëzuara, duhej të flisnim për një zhvillim rajonal të integruar për të sjellë investimet e huaja e për të nxitur ekonominë, të gjitha këto pjesë e planit të Partisë Demokratike për të gjallëruar ekonominë. Sot Shqipëria meriton më shumë se sa të futet në listën e zezë të vendeve që janë pjesë e trafikut të drogës, të ekonomisë kriminale. Sot Shqipëria meriton më shumë!

Share: