Teksa mungonin edhe 10 minuta nga nisja e protestës së opozitës, e cila ka vendosur të bllokojë rrugën, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur tek Sheshi Shqiponja, ku ishte planifikuar të niste bllokimi i qarkullimit të mjeteve për tu shtrirë në të gjithë vendin.
Basha për momentin nuk ka folur për mediat, teksa Flamur Noka, Deputet i PD, ish ministër i qeverisë Berisha, u shpreh se kjo protestë do të jetë modeli sa i takon qetësisë dhe rendit.
“Ne jemi ndryshe. Kur protestonte Rama bllokohej i gjithë vendi dhe dhuna ishte kryefjalë, ne jemi ndryshe jemi paqësorë në këtë protestë. E Kemi dëshmuar në 65 ditë protestë tek çadra dhe do e konfirmojmë edhe sot”, tha Noka në fjalën e tij. Noka është pozicionuar tek rreth rrotulimi tek shkolla teknologjike.