Nga Andi Bushati
Lulzim Basha ka vendosur t’i thotë të gjithëve “JO”. Ai ka refuzuar një poropozim të negociatorëve ndërkombëtarë që në thelb dukej konsensual dhe i arsyeshëm. Ai ka hedhur poshtë edhe “lëshimin” e zgjedhjeve në mes të korrikut dhe atë të disa ministrave teknikë të vendosur me bekimin e opozitës, në një qeveri të drejtuar gjithmonë nga Edi Rama.
Madje sikur dy “JO”-të e tij të forta të mos mjaftonin ai ka refuzuar edhe foton kartolinë të një takimi të përbashkët, sipas ftesës së David McAllister dhe Knut Fleckstein, për të diskutuar në tryezë teknikalitetet.
Po të kqyren këto qëndrime mund të nxirren disa konkluzione paraprake.
Së pari Basha ka arritur aq shumë gjëra sa asnjë demokrat do t’i kishte imagjinuar përpara ngritjes së çadrës në 18 shkurt. Ai jo vetëm ia doli t’i përmbysë Edi Ramës çerekun e qeverisë, por pati në drorë të zhdukte sot edhe po aq ministra të tjerë. Ai e ka bërë Ramën të tërhiqet me turp nga deklarata e tij se data kushtetuese e zgjedhjeve nuk ka shanc të ndryshojë.
Megjithëatë ai pretendon se ato që ka fituar janë ende të pamjaftueshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbi këtë parim ka përplasur derën.
Por, sado i guximshëm dhe vetmohues të duket ky akt, ai ka rrezik të tubojë në një aleancë anti Bashë të gjithë faktorët që janë në këtë lojë.
Rama do të gjejë një argument më shumë për të thënë se megjithëse ai bëri maksimumin e lëshimeve, ata që i tremben vettingut duan me çdo kusht të sabotojnë zgjedhjet.
Ilir Meta do të gjejë të gjitha justifikimet për të fshirë nga fjalori shprehjen “nuk shkoj në zgjedhje pa opozitën”, duke pretenduar se edhe kushti për qeveri besimi dhe ai për shtyrje të 18 qershorit u plotësua.
Ndërkombëtarët që pas deklaratave tejet të ashpra të shefit të diplomacisë gjermane, Gabriel dhe pas qëndrimit të përbashkët Hahn – Mogherini, kërkuan t’i japin edhe një shanc të fundit PD, rrezikojnë t’i heqin vizën.
Zërat disidentë në PD, pas kësaj klime mund të shpërthejnë dhe të dalin hapur kundër Bashès.
Por, megjithëse është i ndërgjegjshëm për të gjitha këto, lideri i PD-së ka thënë sërish “JO”, i bindur se ka vënë në ruletin e kësaj loje të gjitha fishat e tij.
Ai tani po rrezikon të humbasë gjithçka, me shpresën minimale se mund t’i fitojë të gjitha. Dhe të gjitha përmblidhen tek “koka” e Ramës. Basha pretendon se me këtë kryeministër të molepsur me paratë e koncesioneve, me dhunën e kriminelëve dhe me imoralitetin e mediave të mëdha, është e pamundur të shkohet në zgjedhje.
Por, ka gjasë që kjo të jetë vetëm ana propagandistike e qëndrimit të tij.
Pasi ndoshta Basha po kërkon shumë më tepër se kaq.
Ai po synon t’a tërheqë zvarrë Edi Ramën.
Ai po mëton t’a shkatërrojë rivalin e tij duke i lënë vetëm dy rrugë. Ose t’a detyrojë të tërhiqet i turpëruar si trafikant, ose ta yshtë të marshojë i vetëm drejt zgjedhjeve si diktator.
Dhe për të kapur këtë sfidë pothuajse të paharritshme, Basha apo bën një hara-kiri të fortë. Ai po i përplas derën çdo lloj propozimi tjetër, duke vënë kokën e tij në një rulet- gijotinë. (Lapsi.al)