Home KRYESORE Carlo Bolino për Çilin: Është një akrobat i gatshëm për tu kthyer...

Carlo Bolino për Çilin: Është një akrobat i gatshëm për tu kthyer me Berishën!

Nga Carlo Bolino

Henri, akrobati gati për t’u rikthyer me Berishën në ëndrrat e çdo akrobati, si dhe të çdo iluzionisti, bën pjesë realizimi i një show unik, të papërsëritshëm, universal.

Philippe Petit, ekuilibrist i famshëm francez, ëndërroi të ecte mbi një tel të shtrirë mes Kullave Binjake dhe, pas mijëra studimeve, e realizoi. David Coperfield, ndoshta iluzionisti më i famshëm i botës, ëndërronte të zhdukte Statujën e Lirisë dhe, pas vitesh kërkimesh, më në fund e bëri.

Në mënyrë më modeste, Henri Çili, që është një akrobat i vërtetë ideologjik (në kuptimin që, me shkathtësi të madhe, kërcen nga e djathta në të majtë duke ndjekur ata që qeverisin) kishte ëndrrën, të pamundur në dukje, të mbështeste në të njëjtën kohë Edi Ramën dhe Sali Berishën dhe më në fund ja arriti.

Më një artikull të botuar në “house organ”-in e tij, Çili tentoi goditjen e tij magjike për t’u mbrojtur nga hakmarrja që ja premtoi publikisht Sali Berisha menjëherë me t’u kthyer PD në qeveri. Ja çfarë tha Berisha: “Asnjë universitet publik, asnjë, përveç njërit privat, nuk merr përsipër të shkelë rregullin e depolitizimit, po është një universitet, i cili është bërë si Instituti i Studimeve Marksiste të Nexhmije Hoxhës. Ky është universiteti ‘Kristaq Rama’! Tani unë dua t’i them Rektor-Presidentit të tij: Zotëri, liritë, për të cilat keni luftuar, të njohin të anëtarësohesh në Partinë Socialiste, të bëhesh nënkryetar i saj, të marrësh çdo funksion dhe kjo është liria jote. Por, të shndërrosh universitetin, në kundërshtim me ligjet, në strofull të organeve të krimit shtetëror, do të ketë pasoja të rënda dhe i para- lajmëroj, iu bëj thirrje studentëve t’i tregojnë vendin këtij sharlatani, t’u tregojnë vendin atyre që, për xhepat, për korrupsionin, kërcëno- jnë diplomat tuaja, për t’u bërë të pavlefshme në aktin e parë të fitores së demokracisë”.

Edhe pse nuk citohet asnjëherë, Henri Çili menjëherë e njohu veten tek fjalët e “doktorit” dhe vendosi të marrë kundërmasat. Historia është e njohur: në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, Henri Çili (duke iu besuar sondazheve të PD-së që e nxirrnin atë fituese) bëri ftesë publike për të votuar për Sali Berishën.

Por, ama, Berisha humbi dhe kështu, pas disa muajsh, Çili vendosi se i leverdiste të braktiste kauzën e PD-së, për t’u bashkuar me atë të Partisë Socialiste.

Por tani, që Berisha i bën të ditur se kur një ditë të kthehet në qeveri PD do të anulojë diplomat dhe do të hakmerret ndaj Universitetit UET, tashmë të përkufizuar si “Instituti i Studimeve Marksiste të Nexhmije Hoxhës”, Çili i betohet Berishës se, në të vërtetë, ende e dashuron.

Domethënë, ish-gazetari, që pretendon të udhëhiqet nga liberalizmi më ekstrem, edhe pse ka një biznes të mbështetur masivisht nga financimet e bankave dhe favoret e politikës, pranon se deri në vitin 2013 e kishte mbështetur Sali Berishën, me të cilin kishin ide dhe vizione të njëjta dhe se sot do të ishte i gatshëm për ta votuar sërish, në rast se do të kandidonte për kryeministër, edhe pse kjo nuk e ndalon që “në koherencë të plotë” të mbështetë edhe qeverinë aktuale, “për të mbetur dinamik dhe realist”.

Ja çfarë shkruan akrobati i UET-së: “Me ju z. Berisha kam ndarë në biseda personale ide dhe vizione shumë të avancuara, avan- gardë për kohën dhe mentalitetin shqiptar Si i tillë, në vitin 2013 e kam votuar publikisht dhe kam kërkuar mbështetje publikisht për Sali Berishën për nevojën e një mandati të tretë, historik dhe të fundit të tij. Dhe të njëjtën gjë do ta bëja përsëri, nëse Sali Berisha do të ishte kryetar i opozitës; do të votoja përsëri Sali Berishën, nëse do të rikthehej kundrejt Edi Ramës. Kjo koherencë, bashkë me koherencën e ideve liberale, të cilat militoj në jetën publike prej gati dy dekadash dhe të cilat nuk i kam ndryshuar asnjëherë për asnjë subjekt, për asnjë temë, për asnjë arsye, edhe kur koniunkturën e kam pasur kundër meje.

Por kjo nuk më pengon fare të jem realist dhe dinamik për situatën aktuale ishte në pushtet Sali Berisha, ishte me Sali Berishën (universitetin e tij e themeloi më 2006, një vit pas rikthimit të Partisë Demokratike në pushtet).

Tani që është Edi Rama, u kthye të mbështetë Ramën, por njofton se, me t’u rikthyer Ber- isha, do të jetë sërish me të. Ai nuk e di ç’do të thotë të jesh në anën e opozitës dhe të mbrosh një biznes duke patur një qeveri të tërë kundër, vetëm për të respektuar vlerën e bindjeve të veta.

Në të kundërt, vetëm që të mbrojë biznesin e tij nga një kthim i mundshëm në qeveri i PD-së, “liberali” Henri Çili betohet dhe premton besnikëri për Sali Berishën qysh tani, pavarësisht se ai ishte njeriu që frymëzoi, nëpërmjet përdorimit stalinist të SHIK-ut të Bashkim Gazidedes dhe policisë së Agim Shehut, represionin fizik të çdo forme të opozitës; ishte manovratori politik që në Shqipëri çmontoi deri në themel çdo formë të Shtetit të së drejtës, duke e çuar vendin nga një ekonomi shtetërore e centralizuar, në një ekonomi anarkike të centralizuar; që eliminoi drejtësinë, duke i transformuar gjykatat në paradhoma të zyrës së tij politike; babai i firmave piramidale mashtruese; lideri politik që vendosi të hapë repartet ushtarake për të armatosur popullin kundër popullit dhe sot mburret me një gjë të tillë; babai i Gërdecit dhe masakrës së 21 janarit, të dy këto shembuj dramatikë të një Shteti të nënshtruar në shërbim të pushtetit politik dhe ekonomik të një familjeje të vetme, në dëm të të gjithë popullatës.

Asgjë nga politika e Sali Berishës nuk ka qenë frymëzuar nga liberalizmi i vërtetë dhe ndoshta e vetmja koherencë në përmendjen që u bën Çili mësimeve të Milton Friedmanit, është se edhe ekonomisti amerikan ishte në të vërtetë një etatist i bindur, por nuk refuzoi të ndihmonte kriminelin kilian Pinoçet në krijimin e ekon- omisë së tij të re në kushtet e një diktature totale.

E vërteta është, në realitet, shumë më e thjeshtë dhe është qesharake përpjekja e Çilit për ta maskuar pas citateve të mëdha me të cilat mbush artikullin e tij. Henri Çili, ashtu si shumë parveny që u bënë të pasur shpejt e shpejt dhe pa merita këto 20 vjetët e fundit, vazhdon të ketë si referencë të vetme ‘’Zotin Para’’’, në emër të të cilit është i gatshëm të tradhtojë njerëz dhe ideale.

E bën këtë edhe sot, duke njoftuar se do të kthehej të votonte Sali Berishën pavarësisht nga fakti që vetë Sali Berisha (ai po, që është koherent me idetë e tij) kërcënon t’ia mbyllë universitetin e tij privat vetëm për hakmarrje politike. Ky është liberalizmi politik i Berishës, të cilin Henri Çili është i gatshëm ta mbrojë.

Në të vërtetë, kjo quhet oportunizëm, e njëjta gjë që sot shtyn Çilin dhe shumë biznesmenë dhe “intelektualë” të tjerë si ai që, pasi kanë qendruar për vite me rradhë në oborrin e Berishës, tani vihen në rresht duke buzëqeshur prapa derës së Edi Ramës, gati ta braktisin edhe një herë, sapo Edi Rama të mos jetë më kryetar i qeverisë. Është dobësia e shumë qeveritarëve, që oportunistë të tillë si Çili dinë shumë mirë ta shfrytëzojnë, e më pas t’i lënë vetëm kur do të kishin me të vërtetë nevojë për mbështetje.

Pikërisht ashtu si Henri Çili e braktisi sot Sali Berishën, edhe pse duke kujtuar me një nostalgji të dukshme ditët kur e ndanin bashkë pushtetin.

Po pse i kushtoj kaq shumë vend dhe vëmendje një njeriu si Naimi? Pasi ai sot përfaqëson, për fat të keq, një pjesë të “inteligjencës” së re shqiptare, e cila, në vend që të ushqejë opinionin publik me ideale të mëdha dhe ambicie të shëndetshme, vijon të riprodhojë modelin e të njëjtëve sipërmarrës, që bëhen të pasur duke i shërbyer njeriut të pushtetshëm të rradhës. Henri Naim Çili nuk është ndërtues rrugësh apo shtëpish (për të cilët askush nuk çuditet kur ndërrojnë pozicion, si flamuri, në çdo ndryshim të qeverisë) por, duke qenë botues dhe pronar universiteti, në rradhë të parë është ndërtues idesh dhe kulture.

Të tmerron ideja që shembulli i tij mund të jetë shkollë për të rinjtë, që përbëjnë klasën e ardhshme drejtuese të vendit, të cilëve u mëson një model servilizmi të vjetër dhe mediokër, që nuk ka asgjë të përbashkët me ëndrrat e Drejtësisë, Barazisë dhe Moderni- tetit, me të cilat do të duhej të ushqeheshin të gjithë ata që ëndërrojnë të hyjnë në Evropën e së ardhmes.

Share: