Home KRYESORE Drini i takim-ndarjeve

Drini i takim-ndarjeve

Nga Azem Parllaku

Gjalica, Koretniku, e Pashtriku janë dashuruar përjetësisht me shtatin dhe fytyrën e tyre, ndërsa Drini i Bardhe është martuar deri në vdekje me rrjedhën në këmbët e këtyre tre maleve. Kjo rrjedhë e cila merr udhë në Istog (Kosovë) vjen dhe shtrohet në të njejtën bujtinë, ku ka mbërritur simotra e saj, ajo e Drinit të Zi, lodhur nga udha e gjatë që nga Ohëri deri këtu.

Ka gjasë dhe hëna të jetë dashuruar marrëzisht me fytyrën e saj të pasqyryar në ketë rrjedhë, e Dielli të ketë ngrohur fort, duke mos i shpëtuar këtij fati magjepës. Përtej këtij përshkrimi metaforik, kjo rrjedhë e moçme sa s’mban mend, nuk është gjë tjetër veçse dëshmi kaherë e kamot e çasteve kyçe të ekzistencës njerëzore.

Ajo njëherësh bashkon dhe ndanë. Ndanë dhe bashkon bajrakun, katundin, fisin, familjen, dashurinë. Një pelegrinazh gjatë kësaj rrjedhe të kujton, se gjyshet në këto anë kurrë nuk kanë pasur nevojë të trillojnë rrëfime ireale, për të vënë në gjumë pasardhësit e tyre të mitur, sepse u ka mjaftuar të rrëfejnë për të kaluarën e të tashmen, përgjatë e përbri kësaj rrjedhe përplot me ndarje e bashkim. Fatet njerëzore dhe takim-ndarjet që kanë mbetur të shënuara ne thellësinë e të kaluares, janë kaq mbreslënëse, ku lotët margaritarë dhe lazdritë i kanë dhenë frymë vargut lirik te këtyre anëve.

Me vendburime gjeografikisht larg nga këtu, dy rrjedhat e Drinit vijnë e bashkohen në një teater ku gjuha është e njejta si ajo në vargun e Azem Shkrelit, ashtu dhe në kritikën e Ali Aliut, si e vargut të lirikave të dashurisë të shkruara mjeshtërisht nga Lasgushi, ashtu sikurse dhe ajo e kritikut Qosja.

E njejta gjuhë si e Agim Spahiut, Havzi Nelës, e Anton Pashkut. Në ketë ansambël shihen bashkë plisi i Dukagjinit, Hasit, Dibrës, e Lumës, shalli i bardhë i Rugovës e tirqet e Shkupit. Në ketë luginë u kuvendën e luftuan bashkë Luma, Hasi, Dibra e Dukagjini, këtu ninullat kanë të njejtët personazhe, këtu vajtojcat sintonohen në kujën mortore, këtu nuset nusërojnë njelloj, e burrat këtu kalërojnë kalin e bardhë. Kjo luginë përtej nocionit gjeografik, apo kontekstit historik, është një copë brinje, një pjesë aorte në krahërorin dhe trungun shqiptar, pa të cilat ai nuk do të mundë të ishte dhe të jetë. Kjo është lugina që më shumë se na ndan, na bashkon.

Share: