Pasi doli lista me partitë që ishin regjistruar në zgjedhje ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e Partisë Agrare Ambientaliste, edhe pse partitë opozita kanë bojkotuar zgjedhjet.
Fillimisht u fol se kjo ishte një hile që KQZ-ja i bëri PAA-së, por vjen edhe reagimi i saj.
KQZ thotë se nuk është në kompetencën e saj të interpretojë kriza politike dhe se Partia Agrare mund të mos marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk dëshiron.
REAGIMI
Deri ditën e djeshme 10 prill 2017, mbi 40 parti politike kanë paraqitur kërkesë pranë KQZ për tu regjistruar për Zgjedhjet e datës 18 qershor 2017.
KQZ, pasi verifikoi dokumentacionin dhe konstatoi se, kërkesat e paraqitura nga partiteë respektive ishin në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenin 64 të Kodit Zgjedhor te Republikës së Shqipërisë, vendosi të pranojë kërkesat tyre për tu rregjistruar si subjekte zgjedhore.
Më pas, disa parti politike i bënë me dije KQZ-së nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje, nëse nuk arrihej një marrëveshje mes tyre dhe partive të mazhorancës aktuale.
Sa më lart, është një situatë politike që nuk parashikohet nga Kodi Zgjedhor dhe nuk mund të menaxhohet as në kuadrin e diskrecionit që mund të lejojë interpretimi i një neni të Kodit. Sipas këtij të fundit, nuk parashikohet në asnjë rast si kompetencë e KQZ çrregjistrimi i partive politike.
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se të gjitha partitë e rregjistruara do të listohen në fletën e votimit, pasi neni 63, pika 1 e Kodit Zgjedhor parashikon se subjekte zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje janë (vetëm) partitë politike të cilat depozitojnë listën e kandidatëve për organin për të cilin zhvillohen zgjedhjet e rradhës. Pas miratimit nga KQZ të listave shumemërore të kandidatëve, emri i partive politike do të shënohet në fletën e votimit, sipas përcaktimeve të nenit 98 të Kodit Zgjedhor./Express/