Për shkak të njoftimeve të përditshme të sekuestrimeve të sasive të mëdha të hashashit, duket se lajm do të jetë dita kur nuk do raportohet për drogë.
Për të parandaluar fenomenin e kultivimit të kanabisit, qeveria ka shtruar në tavolinë strategjinë antidrogë, një plan kombëtar ky që sipas kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda duhet të fokusohet tek hetimet proaktive. Sandër Simoni këmbëngul në një aktivizim më të fortë të institucioneve për të arrestuar trafikantët e vërtetë.
“Në mënyrë që hetimi apo gjykimi i çështjeve, apo politikat ndëshkimore të mos shkojnë drejt personave që kanë kontakt rastësor me drogën, apo tek kultivuesit e transportuesit, por tek personat që merren me organizimin e një aktiviteti të tillë kriminal”, deklaron Simoni.
Që prej hapjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda 13 vjet më parë, kryegjyqtari Simoni ka gjykuar dhjetëra çështje droge. Por, sipas tij, tashmë hashashi nuk është një çështje individësh të thjeshtë, por një histori e krimit të organizuar.
“Përderisa ne kemi tashmë grupe të strukturuara të cilat hetoen për fenomenin e kultivimit të hashashit, apo për fenomenin e trafikimit të lëndës narkotike, pra importimit apo transportimit, do të thotë që ky është një fenomen që na shfaqet në formën e krimit të organizuar”, nënvizon Simoni.
Vetëm në tre muaj, Krimet e Rënda kanë arrestuar si të implikuar në grupe kriminale për kanabisin 70 persona, ndërkohë që dosjet për trafik hashashi vijojnë të mbajnë vendin e parë në kalendarin e gjykatës./TCH