Home KRYESORE Koment i mbështetur nga shënime me vlerë të njerëzve të shquar të...

Koment i mbështetur nga shënime me vlerë të njerëzve të shquar të kombit shqiptar

Nga Kasem Seferi

Shqipëria ka pasur vetëm njëherë burrë shteti, vlerat dhe karakteri i të cilit janë vlerësuar e çmuar ashtu siç ai e ka merituar. Në kuptimin e plotë të fjalës, mbetet vetëm Gjergj Katrioti Skënderbeu.

Burrat/liderët e tjerë të shtetit shqiptar, që nga Pavarësia e Shqipërisë më 1912 e deri më sot, më ngjajnë si trashëgimtarë mbretërish që e kanë mendjen vetëm si e si t’i shijojnë përfitimet e fituara me mundin dhe sakrificat e bashkëkombësve të tyre.

Të qenit një lider demokratik, ka qenë dhe ende mbetet vetëm etiketë partie, ose mjet për të ardhur në pushtet njësoj si në vendet e sunduar në mënyrë autokratike, ku edhe vetëm mendimi për ide ndryshe nga mendimet dhe veprimet e liderit, shkakton konflikte dhe ngre lart lloj – lloj rreziqesh.

Kësisoj, çdo lider e ka parë veten të mbërthyer andrallash e kërcënimesh. Këto kanë qenë dhe mbeten rreziqet për liderët shqiptarë, të cilët nuk i kanë marrë në sy me vullnet të plotë, për arsye se nuk e kanë pasur guximin dhe kurajën më të lartë për ta shpallur demokracinë e tyre të brendshme, në kohën pasi ata kanë kapur majën e ambicieve të pushtetit.

Për të ruajtur kolltukun, edhe pse në fillim të karierës së tyre politike kanë përqafuar filozofinë demokratike, si mjet për të kapur pushtetin, rrallë qëlloi (për shembull, si Fatos Nano) që të shfaqin frymën e tyre liberal – demokrate deri në atë pikë, sa të rrezikonin t’i humbin të gjitha privilegjet dhe përfitimet që burojnë nga pushteti.

Gjithashtu, nuk janë hasur ende në gjendjen e tanishme politikanë që, duke mos e kundërshtuar aspak opozitën, të ndjejnë njëfarë kënaqësie nga opozita, madje, ta nxisin atë, për të ndezur me të vërtetë dhe me gjithë mend, debatin dhe kritikën e saj.

Është vërtetuar se çdo lider shqiptar ka menduar dhe mendon vetëm për një gjë: të lidhë pas vetes element që duke shkelur të gjitha traditat, si dhe duke prishur të gjitha rregullat morale të popullit, i kanë lënë të lirë ata të bëjnë ç’të duan, mjafton që t’u japin liderëve prova besnikërie dhe përkushtimi që, për rrjedhojë, gjithnjë, ka sjellë lloj – lloj shpërdorimesh, korrupsion dhe çorganizim, në dëm të vendit dhe të shqiptarëve.

Në historinë e Shqipërisë, pas shpalljes së Pavarësisë, liderët politikë vetëm duke lejuar korrupsionin ia kanë dalë t’i mbajnë ministrat nën fre.

Këta 26 vjet që prej vitit 1991, tregojnë dhe vërtetojnë se gjendja e tanishme është jo vetëm pasojë e mungesës së kultivimit të pjekurisë shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe politike të popullit shqiptar por, në radhë të parë, e zvetënimit moral të plotikanëve, që me sjelljen e dhe veprimet e tyre të pandërgjegjëshme, ia kanë rënduar aq shumë jetën qytetarit, sa vështirë që ai të besojë se ky vend bëhet.

Nga radhët e shtresës së mesme të periudhës së Mbretit Zog i Parë kur dolën, pothuajse, të gjithë nëpunësit shtetërorë, të gjithë mësuesit dhe oficerët, me pak përjashtime, u asgjësuan nga regjimi komunist fizikisht dhe ekonomikisht, duke bërë të mundur që trashëgimtarët e tyre, të keqtrajtuar në shumë të njohura tashmë, të mos ishin në gjendje të zinin vendin e tyre në epokën e demokracisë.
.
Ideja se çdo popull arrin të kuptojë dhe të miratojë vetëm ato ndjenja dhe ato veprime që qëndrojnë afër idealeve të tij, nga liderët u kuptua se do të kishte qenë e marrë dhe alogjike, për arsye se mund të ndryshosh vërtet shumë gjëra, por vetëm me një kusht nëse u flet qytetarëve shqiptarë me gjuhën që ata kuptojnë dhe në qoftë se vepron me mjete që ata njohin.

Kush më mirë se liderët komunistë i mësuan, i vunë në jetë dhe e lane këzë trashëgim në këtë demokraci të brishtë?!

Edukata që kanë marrë qytetarët shqiptarë në pothuajse 50 vjet që nga viti 1944 e këtej, ka bërë që në marrëdhëniet me liderin të përpunojnë një qëndrim të veçantë, që nuk mund ta ndryshosh në një kohë të shkurtër.

Lideri tipik politik shqiptar nuk shquhet për një tolerancë të madhe. Të jesh lider liberal në vështrimin më të mirë, duhet të kesh një qëndrim polizik të gjërë që kushdo që të kundërshtojë, ose edhe të të shajë të rrish i qetë, madje, dashamirës.

Kjo do të thotë të urresh të gjitha diktaturat, por sidomos trashëgiminë komuniste.

Të këqijat, qytetarit shqiptar, me një barrë plagësh mbi supe, i kanë ardhur të gjitha nga kjo trashëgimi politike, shoqërore, ekonomike dhe psikologjike, aq e rrezikshme sot.

Me pasuri të ndarë si mos më keq, me ca miliarderë dhe milionerë, shaluar mbi kurrizin e duruar të një qytetari të dërrmuar, pa një klasë politike që të zbusë përplasjet mes tyre, nuk mund të presësh gjë tjetër veçse krizë pas krize.

Në Shqipëri qeverisja i ka konsumuar politikanët duke ua “dhjerrë” shumë shpejt popullaritetin. Të gjithë kanë shpresuar të bëhen të mëdhenj, falë lojës dinake, mbi të gjitha, falë përpjekjeve për të shkërmoqur kundërshtarët politikë brenda dhe jashtë spektrit të grupimit të tyre politik.

Fakti që tregtia dhe kultura janë të orientuara për nga Europa, nuk është i sajuar, për arsye se rrugët e natyrshme të komunikimit të Shqipërisë me botën e jashtme, nyja kërthizore e saj, është Deti Adriatik, që e ndan Shqipërinë nga Gadishulli Apenin.

Në kronikat e “Luce”, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi Shqipërinë, sheh një dallim tejet të madh ndërmjet shqiptarëve të asaj kohe me shqiptarët e kësaj kohe, me të vetmen veçori: politikanët, veçanërisht, liderët politikë kanë mbetur “anadollakë”, edhe pse ndonjë prej tyre e përdor, politikisht, fjalën “anadollak” për kundërshtarët e vet politikë, a thua se ai nuk mban të njëjtën “erë” të keqe.

Të presim, të shohim, të … mendohemi mirë si qytetarë nëse duhet të shkojmë te kutitë e votimit apo jo?

Politika shqiptare e meriton që qytetari shqiptar t’i japë një mësim ndryshe nga ai që na tregon historia politike shqiptare deri më sot.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: