Nga Azem Parllaku
Vendimi i shpejtë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të goditur një baze ajrore siriane në Shayrat, është dëshmi e rikthimit të Amerikës si protagoniste në Lindjen e Mesme, e tashmë asgjë nuk do të jetë si më parë. Trump, sapo ka lëshuar një sinjal të fortë: Amerika nga e cila shumëkush ka përfituar, nuk është ajo e epokës Obama. Raketat kundër bazës ajrore siriane janë një paralajmërim, mesazhi tani është i qartë, muzika ka ndryshuar, dhe të gjithë, Kina, Rusia dhe Irani, janë të paralajmëruar.
Të martën e kaluar, diktatori sirian Bashar al-Assad kreu një sulm me armë kimike, kundër civilëve të pafajshëm. Duke përdor një gaz vdekjeprurës, Assadi shkaktoi vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. “Edhe vogëlushë të mrekullueshëm u vranë mizorisht në këtë sulm barbar. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë nga një tmerr i tillë. Këtë mbrëmje urdhërova një sulm ushtarak kundër një baze ajrore në Siri, prej ku nisi sulmi kimik.
Eshtë në interesin jetik të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të parandalojë dhe mos lejojë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”, tha presidenti Trump. Presidenti Vladimir Putin, një aleat i patundur i Presidentit sirian Bashar al-Assad, dënoi sulmet amerikane, duke thënë se ata thyen ligjin ndërkombëtar dhe kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet SHBA-Rusi. Sipas memorandumit, të nënshkruar në shtator të 2015-ës, pasi Rusia nisi një ofensivë ajrore mbi Siri, Moska dhe SHBA-ja duhet të shkëmbenin informacione në lidhje me fluturimet për të shmangur incidentet në qiell.
Në Moskë, u thirr atasheu ushtarak i Ambasadës së SHBA-ve, ku zyrtarisht i është prezantuar se pala ruse më 8 prill, do të pezullojë përmbushjen e detyrimeve të saj sipas Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Pentagonit, e cila garantonte parandalimin e incidenteve dhe sigurinë e fluturimeve të aeroplanëve në operacionet në Siri. Me këtë hap të Rusisë, përfundon linja e komunikimeve për Sirinë, mes Moskës dhe Pentagonit. Në orët në vijim, Rusia ka intensifikuar përgjigjen e saj ndaj sulmit ajror të SHBA-ve, mbi Siri, duke dërguar një anije luftarake në Mesdheun lindor, për t’u përballur me flotën e Marinës amerikane, nga ku u lëshuan raketat mbi Siri.
Fregata “Admiral Grigorovich” e Putinit, la portin e Sevastopolit, në Krime, për t’u vendosur përballë dy anijeve shkatërruese amerikane, “USS Porter” dhe “USS Ross”, nga ku nisi sulmi ajror amerikan. Ministria e Jashtme ruse e quajti një “qasje të papërgjegjshme”, sulmin amerikan mbi Siri, e si rrjedhojë e tensionit në rritje, Rusia ka pezulluar komunikimin me SHBA-të, nga një linjë telefonike e specializuar ushtarake, e projektuar për të parandaluar konfliktin midis dy superfuqive, pas sulmeve ajrore ne Siri.
Kjo linjë telefonike, e quajtur “deconfliction line”, ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, ka qenë thelbësore në kohën e tensioneve. Në këtë linjë, një kolonel amerikan rusishtfolës, mban kontakte me homologët rusë në Siri dhe pikërisht nëpërmjet kësaj linje, SHBA njoftoi Rusinë për sulmet e pashmangshme të së premtes në mëngjes mbi Siri. Kjo linjë telefonike shërben edhe si një kanal i sigurimit të fluturimeve. Tutje ndarjeve politike të sotme Mesdheu përfaqësohet nga tri bashkësi kulturore, tri qytetërime të gjalla e të stërmëdha, tri mënyra themelore të menduari dhe të besuari. Universi i parë është ai i Perëndimit, ndryshe Krishterimi, fjalë e vjetër tepër e mbarsur me domethënie. Universi i dytë është Islami, edhe ky një tjetër gjigand.
Dy, këto universe “armiq plotësues”. Por çfarë armiqsh, çfarë rivalësh! Atë që bën njëri, e bën edhe tjetri. Krishterimi shpiku dhe përjetoi kryqëzatat, Islami shpiku dhe përjetoi xhihadin, luftën e shenjtë. Universi i tretë, i cili nuk e zbulon kokën menjëherë është ai ortodoks, poli rrezatues i të cilit është Moska. Mesdheu veçanërisht përgjatë viteve të fundit është kaq i trazuar, aspak ai i kohës së dikurshme të udhtimeve, e shkëmbimeve të dhuratave, i letërkëmbimeve diplomatike dhe princeshave që i martonin me mbretër të huaj, si garanci për mardhëniet e reja ndërkombëtare. Nga brigjet e Mesdheut, atij që konsiderohet si “i jashtmi” nisi lundrimi për të zbarkuar në brigjet e deteve të brendshme të Europës, kriza e refugjatëve dhe emigrantëve nga Siria dhe Afrika e Veriut.
Një krizë kjo, që lindi pas të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, e cila rezultoi si një dështim, pasi shoqëritë aty nuk ishin të gatshme për ndryshim, teksa arsyeja tjetër është se forca më gjithëpërfshirëse e rajonit është Islami, e rrjedha e ngjarjeve e ka rritur “besimin”, se Islami nuk është në gjendje të bashkëjetojë me demokracinë. Historia na dëshmon se, rruga drejt demokracisë është shpesh e dhunshme dhe e gjatë. Pasojat më të këqija të “Pranverës Arabe”, në Libi fillimisht dhe tashmë në Siri, janë të dhimbshme deri në ekstrem.Siria u bë teatër i luftës së përgjakshme midis sekteve të besimit islam, e u zhyt në një luftë civile tmerrësisht të egër.
Në Siri dy sektet e besimit islam, njëri i quajtur Suni me rreth 70% të popullësisë, ndërsa tjetri i quajtur Shiat me 30% të popullësisë, u vendosën përballë me pretendimin se; Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad, i përket dhe favorizon sektin e pakicës Shiat, e persekuton sektin tjetër të besimit. Një përballje kjo që, çoi në luftë të përgjakshme, e më vonë lindjen e ISIS, i cili i përket sektit të shumicës Suni, kishte si qëllim luftën pa kompromis kundër sektit tjetër islam të besimit në Siri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vunë në krye të koalicionit në luftën ndaj ekstremistëve të shtetit islamik. Ish-presidenti amerikan Barack Obama, ka thënë se qëllimi i sulmeve ajrore kundër ISIS në Siri dhe Irak, është shkatërrimi plotësisht i tij.
Kjo fushatë gjithësesi duhej ndërmarrë, mbasi që nga fillimi i konfliktit të brendshëm në Siri, janë vrarë më shumë se 250 mijë njerëz, më shumë se 1 milion të tjerë janë plagosur, ndërkohë që 4 milion të tjerë janë larguar jashtë shtetit, e 11 milion banorë kanë lënë shtëpitë. Rusia, sigurisht ka kohë që, është kthyer në ritmin e saj historik dhe rivendosjes së perandorisë së humbur. Rusia gjithmonë do të jetë shumë e rëndësishme dhe një “kërcënim” për rendin e ri botëror, ndaj dhe u tregua e gatshme të reagojë ndaj trubullirave rreth kufijve të saj, e luftrave në Lindjen e Mesme.
Propozimi i dikurshëm rus, që mund të kthente paqen në Siri, duke e lënë në pushtet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Anglia, Turqia dhe aleatët e Gjirit Arab, thonë që, Assad kurrësesi nuk duhet të qëndrojë në pushtet, tanshmë nuk ka vlerë. Vendimi i presidentit, Trump, duke përplasur grushtin në tryezë për lëshimin e 59 raketave të tipit tomahawk, është mesazhi i mirë, i cili kishte kohë që, mungonte.