Pak a shumë palët bien dakord për atë që ka ndodhur gjatë negociatave të së martës. Edhe socialistët, edhe demokratët, edhe diplomatët e tregojnë po njësoj kronologjinë e ngjarjes, përpos faktit se ndahen lidhur me zgjidhjen që duhej dhënë.
Çfarë u propozua në tryezë?
Me të mbërritur në Tiranë dy eurodeputetët David McAllister dhe Knut Fleckstein u takuan me të gjitha palët. Meqë çelësi për pengimin e zgjidhjes gjendej tek Basha, ata biseduan plot një orë e gjysëm me të, pasi kishin folur më parë edhe me përfaqësuesit e shumicës. I tyri qe edhe propozimi për një takim të fundit të të gjitha palëve ne Pallatin e Kongreseve. Meqënëse Lulzim Basha nuk pranoi të ulej në tavolinë pa pasur më parë qeverinë teknike, bisedimet u zhvilluan në dy mjedise të ndryshme të Pallatit të Kongreseve. Rama dhe Meta qëndronin në një ambient me Knut Fleckenstein, ndërsa Basha me David McAllister.
Propozimi që iu dha njëkohësisht të dyja palëve ishte: Zgjedhje në 16 korrik, pasi më vonë nuk e pranojnë afatet kushtetuese. Qeveri me Edi Ramën, por me ministritë kyçe të drejtuara nga ministra teknikë, të pranuar nga opozita. Kjo masë propozohej që të bëhej me një ligj që parashikonte zbatimin edhe në zgjedhjet e shumë viteve më pas, në mënyrë që të mos interpretohej politikisht si një sanksion për qeverinë Rama. Po si një kompromis i përhershëm u paraqit edhe propozimi tjetër, që kreu i KQZ-së t’i takonte gjithmonë opozitës. Në draft parashikoheshin gjithashtu edhe disa ndryshime në Kodin Zgjedhor sipas propozimeve të OSBE- ODHIRit.
Si reagoi Rama?
Megjithëse ishte betuar se nuk mund të ketë kurrë ndryshim të datës kushtetuese të zgjedhjeve, kryeministri i tha menjëherë Po propozimit të bashkëbiseduesit të tij Knut Fleckstein. Ai mësohet të ketë bërë vetëm një batutë të stilit të tij: “Shumë vapë për të bërë fushatë në korrik”. Burime nga kryeministria, që nuk janë të vërtetuar plotësisht, thonë se Rama ka vënë edhe një kusht: “I pranoj këto lëshime, nëse Basha zotohet të votojë vettingun”. Po ashtu, nuk dihet sa i vërtetë është edhe reagimi i ndërkombëtarëve, që përhapin këshilltarët e Ramës: “Vettingu është edhe kushti ynë”.
Nuk dihet nëse vettingu ka qenë vërtet një pjesë e bisedimeve apo atë e nxori më vonë kryeministri, së pari për të justifikuar propagandën elektorale që po bën këto ditë dhe së dyti, për të treguar se ai nuk qe dorëzuar pa kushte. Por gjithsesi Rama i vuri një theks të veçantë në propagandën e tij këtij detaji. Ai qe i vetmi, që kryeministri komentoi pas takimit. Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Rama përmend sërish Vettingun, për të cilin s’ka asnjë kompromis.
“Miq! Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”.
Dhe ndërkohë që i tha Po eurodeputetit Rama me Metën vazhduan të qëndrojnë në zyrën e tyre të bisedimeve.
Si reagoi Basha?
Po në të njëjtën kohë, po i njëti draft i dy eurodeputetëve, ku me siguri kishin vënë dorë edhe ambasadorët në Tiranë, iu vu para syve edhe Lulzim Bashës. Megjithëse aty kishte lëshime të mëdha në favor të tij, ai e refuzoi atë (lexo shkrimin poshte). Më pas Basha do t’iu thoshte njerëzve pranë tij, se të njëjtin propozim e kishte marrë rreth një javë më parë nga ndërmjetës të dërguar nga Rama. Pra sipas kreut demokrat, ky nuk ishte një lëshim, por më shumë një draft i hartuar sipas mundësisë që kishte kryeministri, për të bërë kompromis. Zyrtarisht Basha i tha David McAllister se ai nuk mund të pranonte zgjedhje para shtatorit (si afati më i shkurtër) dhe se ato nuk mund të zhvilloheshin kurrë me Ramën kryeministër.
Basha u largua shumë shpejt nga Pallati i Kongreseve dhe ky qe sinjali i parë se negociimi kishte dështuar. Si për ta forcuar edhe më shumë simbolin e këtij dështimi, ai as nuk pranoi të vazhdonte bisedimet në një tavolinë me Ramën dhe Metën.
Natyrisht ashtu sikurse u pa edhe në kamera, Basha nuk doli i qetë nga ky takim. Ai qe aq i hutuar sa iku pa i folur gazetarëve, pastaj e pa se kish harruar, u kthye dhe tha se negociatat vazhdojnë. Në fakt ai i kishte varrosur ato dhe këtë lajm shkoi ta diskutojë menjëherë disa metra më tutje në zyrën e Sali Berishës në ABA Centër. Vetëm në mbrëmje Basha komunikoi në çadër se Rama nuk largohet me dialog.
Si reagoi Meta?
Meta ka qenë pak aktiv gjatë fundit të negociatave. Ai nuk është ndjerë mirë, kur Rama i ka thënë menjëherë Po draftit të ndërkombëtarëve dhe është vënë edhe më shumë në siklet, kur është njoftuar se Basha e ka lënë Pallatin e Kongreseve duke përplasur derën. Në fakt propozimet e dy eurodeputetëve i ngjanin shumë propozimit të Metës për qeveri besimi. Pra me Ramën kryeministër, me disa ministra kyç të pranuar nga opozita dhe me shtyrje të datës së zgjedhjeve. Por fakti se as ky propozim nuk u pranua, e vinte kreun e LSI-së në pozitë të vështirë. Ai tani duhet të bënte atë që do ta bëjë më rrallë; Të mbajë anë mes Ramës dhe Bashës. Ose duhej të zhgënjente Ramën, i cili kishte pranuar ato që në thelb kishte kërkuar Meta, ose duhet të tradhëtonte Bashën, të cilit i kish premtuar se nuk hynte në zgjedhje moniste pa opozitën.
Prandaj Meta doli nga takimi i bërë dhe në fytyrë, gjë të cilën e fiksuan edhe kamerat.
Si reaguan dy eurodeputetët?
David McAllister dhe Knut Fleckstein zbarkuan në Tiranë duke menduar se do t’i ofronin opozitës shumë më tepër sesa kaq. Fjalët e përhapura qenë, se ata do ti thonin Bashës ose hyr në zgjedhje, ose do të kesh sanksione. Madje socialistët shkonin deri atje, sa pretendonin se nëse Basha nuk do të bindet, PD-ja do të përjashtohet nga Partitë Popullore dhe disa persona të saj do të përfshihen në një listë të zezë.
Këtë parandjenjë të keqe, se dy eurodeputetët nuk do ishin në favor të saj e kishte edhe opozita. Një ditë para ardhjes së tyre, Aldo Bumçi, si i dërguari i Bashës deklaroi në emisionin “Opinion” se ata nuk ishin negociatorë që i kishte kërkuar PD. Pra me një fjalë, që opozita nuk qe e detyruar t’i pranonte rekomandimet e tyre.
Por në fakt, të martën pasdite ndodhi e kundërta. Lëshimet për PD u bënë në një formë të paimagjinueshme më parë. Ministra të pranuar prej saj, kontroll mbi policinë, shtyrje e zgjedhjeve në mes të korrikut, kreun e KQZ për opozitën.
Me këto “dhurata” David McAllister dhe Knut Fleckstein menduan se do ta thyenin Bashën. Prandaj fillimisht ata shpallën se do të mbanin një konferencë shtypi në mbrëmjen e vonë.
Por kur kreu demokrat u përplasi derën, duke thënë “JO” ata e ndryshuan axhendën. U kënaqën vetëm nje një njoftim për shtyp ku theksohej dështimi:
“Për anën e shumicës kishte marrëveshje mbi pikat e parashikuara për sa kohë që Vetingu do të votohej në parlament.
Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një Kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Që ata mbetën të zhgënjyer e tregoi edhe fakti se David McAllister qe aq i hutuar në fund të takimit, sa ngatërroi edhe makinën ku duhet të hynte. Qe e njëjta makinë që do i dërgonte të dy eurodeputetët përsëri për në Rinas të mërkurën në mëngjes. Ata kishin zbritur aty një ditë më parë me shpresën se do të arrinin një kompromis. Por edhe njëherë famija i marrëveshjes, lindi i vdekur. (Lapsi.al)