Home KRYESORE Partitë e vogla plot ankesa, por sërish bashkë në zgjedhjet e 18...

Partitë e vogla plot ankesa, por sërish bashkë në zgjedhjet e 18 qershorit

Koalicioni zgjedhor i Partisë Socialiste është ende i paformalizuar, kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga regjistrimi i tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të 2013­s dhe zgjedhjet vendore të 2015-­s, kur partitë e koalicionit të majtë u mblodhën disa herë derisa nënshkruan marrëveshjet individuale të tyre të bashkëpunimit me PS-­në, për zgjedhjet e 18 qershorit nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Sekretari për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet me Koalicionin, Musa Ulqini, ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me partitë e vogla aleate të Partisë Socialiste për të konfirmuar prezencën e tyre në koalicionin zgjedhor me PS­-në në zgjedhjet e 18 qershorit.

Disa kryetarë partish të majta thanë dje për “Panorama” se ata janë kontaktuar nga Ulqini, nga i cili kanë marrë garancinë se do të jenë përsëri bashkë në koalicion. Madje, disa prej tyre kanë kërkuar dhe takime me Kryeministrin Rama, si të pakënaqur nga zbatimi i marrëveshjes së 2013-­s me Partinë Socialiste.

Mësohet se Kryeministri Rama i ka pritur ata në zyrën e tij, ku ka dëgjuar prej tyre ankesa për mospërfaqësimin e tyre në administratën shtetërore sipas marrëveshjes. Disa nga kryetarët e partive aleate kanë kërkuar punësim të anëtarëve të tyre, kërkesë që, sipas tyre, është marrë seriozisht nga kreu i qeverisë. Në këtë mënyrë, Kryeministri Rama u ka marrë atyre konfirmimin se këto parti do të mbeten në koalicionin e majtë pa marrë ndonjë premtim tjetër bashkëpunimi elektoral.

Mësohet se kreu i PSD-­së, Skënder Gjinushi, pjesë e këtij koalicioni, po tenton që të jetë pjesë e listës së deputetëve të PS-­së në qarkun e Tiranës, ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë me aleatët e tij tradicionalë, si Paskal Milo, Petro Koçi, Spartak Ngjela, Ervin Mete, Gjergj Koja. etj.

Të gjitha këto takime mësohet se janë zhvilluar para mbledhjes së kryesisë së LSI-­së, kur Ilir Meta doli me propozimin e tërheqjes së ministrave dhe zëvendësministrave të tij në qeveri, për t’i dhënë një mundësi opozitës që të gjejë zgjidhjen e krizës dhe kthimin e saj në Parlament.

Pas këtyre deklaratave, takimet individuale të kryetarëve të partive aleate me Kryeministrin Rama janë ndërprerë, ndërsa në kontakt me ta ka qenë vetëm sekretari për Marrëdhëniet me Koalicionin./lapsi.al

Share: