Home KRYESORE Për OJF-të memece dhe qytetarin e mençur

Për OJF-të memece dhe qytetarin e mençur

Nga Jeta Toçila

Jemi mësuar të komentojmë ngjarjet në facebook e të shajmë këdo që na e neverit midenë e ditës, apo edhe të lavdërojmë kur diçka na pëlqen vërtet. Protestojmë ndaj padrejtësive, dhunës, fyerjeve, lëndimeve e neglizhimeve që konstatojmë në media apo na prekin në jetën tone, apo i shohim rrugëve kur kalojmë. Ndodh ti fotografojmë këto momente e ti dokumentojmë në profilet tona.

Në këtë mënyrë ne ngremë zërin, komunikojmë mbi pëlqimet e mospëlqimet ndaj gjithçkaje sipas këndvështrimit tonë. Ndodh të marrim shumë “like” dhe na bëhet qejfi që nuk jemi vetëm në një kauzë. Kuptojmë që nuk qenka e nevojshme të kemi dy nënshtetësi për tu ankuar pa patur frikë se dikush mund të na vërë shkopinj nën rrota.

Realizojmë se ndërkombëtarët nuk mund të gjejnë dot gjithmonë e të riparojnë vrimat se ku na pikon çatia. Kemi kuptuar ndoshta që nuk është e nevojshme të jesh anëtar i ndonjë organizate apo grupimi politik për të folur për veten dhe hallet e të përditshmes.

Meqë ra fjala te organizatat… E dini që ka 517 organizata jofitimprurëse të rregjistruara në Agjensinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile? Gjithashtu mbi dhjetra apo qindra shoqata për mbrojtjen dhe këshillimin e grave të dhunuara si dhe në fushën e të drejtave në vendin tonë.

Këto janë të liçensuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale (edhe nëse janë fantazma) dhe kanë kontrata bashkëpunimi me shumë institucione për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Për to vihen në dispozicion miliona euro fonde.

Opinioni publik dëgjon për ekzistencën e tyre vetëm kur media i kushton ndonjë minutazh në lajme ose emisione ndonjë drejtuesi VIP të ndonjë organizate. Janë disa syresh të njohur, të cilët ftohen rregullisht nëpër emisione, medemek përfaqësojnë të drejtat e kategorive në nevojë.

Por përveç shtëpive e pasurisë vetjake, apo prepotencës që u shtohet nuk kemi parë që shërbimet e shumë prej tyre të kenë ndihmuar realisht njerëzit në nevojë. Janë disa organizata të caktuara që rregullisht fitojnë projekte, jo sepse janë më të mirët në shërbime…

Janë për të vënë duart në kokë tryezat e diskutimeve boshe, konferencat gjasme shkencore apo trajnimet me çertifikata të pavlera që këto vit pas viti organizojnë në justifikim të fondeve. Ndërkohë që ka organizata, me drejtues të përkushtuar që shkruajnë projekte të bukura e në dobi, që mezor përkrahen, pasi zëri i tyre mbytet nga bishat e rregjura në treg. (për sqarim: unë nuk drejtoj asnjë organizatë).

Marrim një shembull fare të thjeshtë të ditëve të fundit. Komentohet shëmtuar një vajzë hapur fare në televizion kombëtar. Asnjë organizatë e ashtuquajtur jofitimprurëse nuk flet për dëmin e shkaktuar në imazhin personal e publik të vajzës apo të denoncojë fenomenin. Ekspozohen fëmijë në takime politikanësh apo përurime godinash, sigurisht pa lejen e prindërve të tyre.

Përsëri Organizatat ose edhe institucionet në mbrojtje të fëmijëve heshtin. Personalitete të njohur të medias e politikës shfaqen publikisht me fjalor rruge duke fyer audiencën e tyre të të gjitha moshave. Përsëri heshtje! Pse nuk flasin OJF-të, (qoftë edhe në rrjete sociale) ??

Fare e thjeshtë… interesi i tyre shkon deri tek thithja e fondeve dhe publiciteti, jo më tej. Jo më kot është bërë e modës në fushën e tregut të punës…”

Nëse nuk të përshtatet call center, hap më mirë një OJF të jesh vetë zot, vetë shkop”. Për më tepër, teorikisht ndaj OJF-ve ushtrohet një lloj vettingu, por edhe ky është katandisuar po aq formal sa vetingu i famshëm, ndërkohë që ato nuk janë më pak të qelbur në afera korruptive.

Prandaj “my facebook friend”…vazhdo të shkruash statuse për çdo gjë që të turbullon shikimin, për gjithçka që nuk është sipas shijeve të tua, edhe për atë diçkanë e vogël që të kalon nëpër mendje. Mos harro që ti ke lindur duke qarë. E qara jote e parë i tha botës që ti Erdhe. Dhe rreth teje më pas u mblodhën të tjerë.

Mos e harro këtë!

Share: