Home KRYESORE “Përplasja” Fatos Lubonja – Ismail Kadare

“Përplasja” Fatos Lubonja – Ismail Kadare

Më shumë sesa një përpjekje për të zbardhur ndërshmërisht anët e errëta të së shhkuarës, përplasja e fundit mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe publicistit Fatos Lubonja që ka mbytur shtypin në ditët e fundit i ngjanë një larje hesapesh në favor të së ardhmes. E gjithë historia fillon dicka më pak se një vit më parë kur gazetari Dashnor Kaloçi botoi në shtëpinë e UET librin “Kadare në pallatin e ëdrrave” një përmbledhje me dokumentat se si shkrimtari më i madh i periudhës komuniste përgjohej nga autoritetet e kohës. Por ndoshta rastësisht, ndoshta me pak malinjitet, në këtë libër ishte përfshirë edhe pyetja e Fatos Lubonjës gjatë periudhës së tij të hetuesisë përpara se të dënohej me 17 vite burg.

Nga njëra anë, përfshirja e Lubonjës, i cili mund të quhet pa frikë si kritiku më i madh i Kadaresë këto 25 vjet, ishte një “scoop” i pamohueshëm i autorit të librit. E kush nuk do donte të dinte se çfatë ka thënë në birucat e diktaturës, ai që është sot kritiku i pakompromis i kryeshkrimtarit të asaj periudhe?

Por ajo që të bënte të dyshoje ishte fakti se ky dokument, ato pak fjalë që Lubonja kish thënë në hetuesi për Kadarenë, u pompuan aq shumë sa morën famë më shumë sesa vetë libri i sapodalë. Lubonja akuzohej se kishte dashur t’i bënte dëm nga burgu shkrimtarit, duke deklaruar se babai i tij Todi Lubonja tashmë i shpallur armik i Enver Hoxhës e çmonte dhe e vlerësonte Kadarenë. “Ay, babaj, tim, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika…Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda”.

Për kaq citohej Lubonja.

Por ndaj tij fillo një proces se kish dashur ti bënte dëm Ismailit nga burgu. Ish i dënuari, sot një nga zërat më autoritarë të mediave shqiptare vendosi të ndërhyjë. Ai e denoncoi të gjithë këtë si një manipulim. Ai iu përmbajt linjës së tij të vjetër që ka ngjallur shumë diskutime, se në vend që të quhej si persekutuar kadare duhet të shihej si i privilegjuar nga rregjimi komunist. Ai theksoi se Kadaraja është i fiksuar me manipulimin e së shkuarës së tij dhe se pjesë e këtij manipulimi këtë radhë ishin bërë edhe Dashnor Kaloçi dhe Henri Cili.

Kaq u desh që mëritë e vjetra të rindizeshin. Në treg dolën dokumenta të tjera që pretendonin se Lubonja gjatë hetuesisë në burg kishte rënduar edhe pozitat e babait të tij. Madje faqet e shtypit u hapën edhe për fosile të hetuesisë së kohës së komunizmit si Qemal Lame që i jepte të drejtën vetes të fliste si kritik letrar. Ai pohonte se Kadareja ka qenë i përndjekur dhe se Lubonja e kishte gabim.

Pikërisht në këtë atmosferë u rikthye në lojë Henri Cili, njeriu që ka veshur prej disa kohësh kostumin e kamikazit kundër të gjithë kritikëve të Ramës. Ai gjeti formën e një letre që për shumkënd ishte e rakorduar paraprakisht për ti kërkuar Ismail Kadaresë hapjen e dosjes së vet.

Sipas Cilit vetëm Kadare është i autorizuar nga ligji shqiptar që të kërkojë dosjen e tij dhe të zbulojë se si ka dashur ta spiunojë Lubonja. Situata është qesharake. Nga kjo fabul Henri nxjerr konkluzionin se Lubonja e ka sulmuar për 25 vjet Kadarenë ngaqë ka kompleksin e asaj që ka bërë në hetuesi. Por grotesku nuk mbaron këtu. Në letrën që ai i dërkon Ismailit flitet më shumë për rolin që ka Lubonja në shoqërinë e sotme, vihet në dyshim roli i tij i intelektualit publik, hidhen hije dyshimi për sinqeritetin e qëndrimeve të tij. Pra në mënyrë qesharake në këtë letër që duket sikur është bërë për të krehur sedrën e Kadaresë, duket se i shërbehet dikujt tjetër. Arij që Cili po i kërkon leje për doktoratura dhe licensa universitetesh të reja. Mjafton ta shikosh edhe njëherë tekstin, aty më shumë sesa meraku për të zbardhur historitë e së shkuarës duket se synohet zhvlerësimi i qëndrimeve që Lubonja ka për të tashmen. Aty më shumë sesa nevoja për transparencë, bie në sy sharlatanizmi i shërbëtorëve të sotëm.

Dhe e bukra është se në këtë kurth për ti shërbyer pushtetit të radhës ka rënë me padurimin e atij që e ka rëmbyer inati edhe Ismaili. Ai i ka kthyer menjëherë përgjigje Cilit duke pranuar se Lubonja ka dashur ta dëmtonte që prej burgut (lexoje poshte letren e plote). Kadare shkruan duke iu referuar dokumenteve të hetuesisë: “E zezë mbi të bardhë deklarohet prej Fatos Lubonjës se i ati, Todi Lubonja, ai që ka shkaktuar çoroditjen politike të të birit, ndikohej shumë nga ky shkrimtar.

Askush nuk mund të hiqet si naiv e të mos pranojë se jemi përpara një denoncimi të mirëfilltë politik, aq më tepër që ngjarja po ndodh në sfondin e zbulimit të “një grupi armiqësor në kulturë”.

E duke thënë këtë Kadareja shton se ai nuk do t’ia falë kurrë Lubonjës jo këtë “dobësi” të kohës së burgut, por qëndrimet kundër tij që ai ka mbajtur pas rënies së komunizmit.

Po a janë fjalët e Lubonjës “një denoncim i mirfilltë politik” siç e quajnë Kadare dhe Cili?

Vetë i interesuari në një intervistë që ka dhënë të mërkurën e ka hedhur poshtë këtë: “Përgjigjja ime është kjo: një keqardhje e madhe se si vazhdon kultura e manipulimit dhe e krijimit të heronjve. Ismail Kadareja në rrjedhën e tij për të transformuar jetën e tij, për të krijuar një Kadare tjetër, një Kadare fallso siç e quaj unë është simboli i kësaj. Ai punon vazhdimisht me këtë formë manipulimi. Eshtë qesharake ideja se unë e paskam denoncuar politikisht, pasi paskam lënë të kuptohet se Kadareja është ai që paska influencuar Todi Lubonjën, pra se e paska bërë ai armik Todi Lubonjën. Ka një fakt që e hedh poshtë këtë supozim, po të kishte qenë kaq i rrezikshëm Kadareja do ta kishte marrë e do ta kishte futur Enver Hoxha atë të parin brenda si kryetarin e grupit.

Këtë as unë se kam thënë dhe as e vërtetë nuk është. Unë kam thënë thjesht që im atë kishte simpati për Kadarenë dhe Dritëro Agollin sepse i konsideronte më me kurajo artistike në krahasim me të tjerët që vuanin nga skematizmi”.

Kaq është historia që Lubonja e sheh thjeshtë si një fortunë në gotë të nxitur nga dëshira për hakmarrje e Ismailit. E shkrimtarit që këtë radhë me sa duket për të larë hesapet e veta ka çuar ujë në mullirin e Henri Cilit që prej kohësh spo lë fushatë pa nisur kundër kritikëve të Edi Ramës. (Lapsi.al)

Share: