Home KRYESORE Qeveria teknike/ Zbardhet takimi me dyer të mbyllura i Bashës me aleatët,...

Qeveria teknike/ Zbardhet takimi me dyer të mbyllura i Bashës me aleatët, ja gjithë propozimet

Zbardhen detajet nga takimi i liderit të opozitës me aleatët dhe propozimet e krerëve të partive opozitare në tryezën me dyer të mbyllura.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, thirri në një tjetër mbledhje aleatët e opozitës për të diskutuar në lidhje me ofertën për dialog nga Kryeministri Rama dhe propozimin e kreut të LSI-së për një qeveri besimi.

Takimi i Bashës erdhi pasi nga çadra njoftoi se maxhoranca po përgatitej për një dialog fasadë dhe për një ofertë për t’i dhënë poste të larta si garanci për zgjedhjet e ardhshme opozitës.

Njësoj siç deklaroi nga çadra me protestuesit edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu i PDsë mësohet të ketë deklaruar se është i vendosur të mos pranojë asnjë ofertë politike nga maxhoranca përveç krijimit të një qeverie teknike pa Ramën Kryeministër.

Burime të besueshme për “Panorama” nga tryeza me dyer të mbyllura e opozitës kanë bërë me dije se gjatë takimit, disa prej aleatëve kanë ofruar edhe alternativa se si mund të funksionojë një qeveri teknike.

Aleatët kanë propozuar ide mbi postet për të cilat opozita duhet të marrë garanci për të qenë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas burimeve, garancinë kryesore opozita e kërkon nga Policia e Shtetit, duke synuar që Ministria e Brendshme të drejtohet nga një profil teknik.

Gjatë takimit të Bashës me aleatët është diskutuar edhe në lidhje me kryeministrin që do të duhet ta drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet parlamentare, por pa propozime mbi emra konkretë. Në një qëndrim të unifikuar, pjesa më e madhe e aleatëve kanë kërkuar që kryeministri i ri që do të udhëheqë qeverinë teknike, të jetë një figurë jopolitike dhe i ardhur nga fusha akademike.

Të njëjtin propozim aleatët e koalicionit opozitar e kanë bërë edhe në lidhje me përfaqësuesit e tjerë që do të jenë pjesë e kabinetit të kësaj qeverie, që do të kërkohet të jetë me mbështetje të gjerë politike.

KUSHTET

Gjatë takimit, kreut të opozitës Basha i është kërkuar që në rast se do të zhvillohet një takim me përfaqësi të gjerë politike, pjesë e takimit të jenë edhe disa prej aleatëve të koalicionit opozitar.

Disa prej aleatëve në mbledhje kanë ngritur dyshime mbi besueshmërinë e qëndrimeve të mbajtura nga kreu i LSI-së Meta, duke kërkuar garanci të forta për opozitën në zgjedhjet e ardhshme. Përmes një deklarate të përbashkët dy ditë më parë, koalicioni opozitar doli me një qëndrim të unifikuar në lidhje me krijimin e qeverisë teknike.

“Koalicioni opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për:

1. Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2. Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3. Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4. Zbatimin e Reformës në Drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”, thuhet në deklaratën e përbashkët të koalicionit opozitar.

Share: