Home KRYESORE Rreth 200 protestues maqedonas cojne në zgrip ekzistencës si shtet unik te...

Rreth 200 protestues maqedonas cojne në zgrip ekzistencës si shtet unik te Maqedonise

Nga Capajev Gjokutaj

Mbrëmë, një turmë me përkrahës të Gruevskit hyri me dhunë në parlamentin maqedon dhe plagosi tre deputetë. Fotoja e Zoran Zajevit, me fytyrë të përgjakur bëri xhiron e botës.

Nuk ishin më shumë se 200 protestues, njofton BBC. Gjithsesi ia dolën mbanë të përcjellin imazhin e një Maqedonie etnikisht të përçarë, në zgrip të ekzistencës si shtet unik.

200 militantë të çartur zhurmuan dëshirat dhe aspiratat e rreth 1 milionë e 700 mijë votuesve maqedonas e shqiptarë. Shumica dërmuese e këtyre duan bashkëjetesë e paqe, rend e qetësi, punë dhe prosperitet, për vete dhe për fëmijët e tyre.

Partitë e mëdha, kudo qofshin, nuk e kanë vështirë të nxjerrin në shesh dyqint, dy mijë apo dyzetmijë protestues. Nuk e kanë vështirë të krijojnë rrëmujë e përleshje të çastit dhe të ndikojnë sa dokudo ndarjen e pushtetit.

Pushteti ndahet, por imazhi i paqendueshmërisë vazhdon gjatë. Biznesi trembet, investimet e huaja largohen, vendet e punës pakësohen, konsumi bie, gjithçka nis e asfiksohet.

Harxhet si gjithnjë i paguan fukarai që, bashkë me fëmijët zvarriset nga një krizë tek tjetra.

Politikanët që nxisin muharrebe të tilla, në rastin më të keq, gjallojnë në opozitë, presin radhën të vijnë në pushtet dhe, ndërkohë vazhdojnë jetën e luksit, tresin një pjesë të pasurive që kanë bërë me paret e korrupsionit.

Kudo e kurdoherë populli thirret vetëm për të paguar harxhet e pushtetit.

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Share: