Nga Azem Parllaku
Autokracia si një sistem politik në të cilin një individ i vetëm e ka në dorë pushtetin, e autokratizmi si ideologji sundimi, nuk sjellin vetëm degradimin e demokracisë, por edhe të të gjitha institucioneve që, ajo demokraci krijon, qofshin shtetërore apo ato të shoqërisë civile. Si formë pushteti, në të cilin një individ ka pushtet të pakufizuar, është sinonim i diktaturës, si ajo e perandorëve romakë, e Hitlerit, e Stalinit, e Enver Hoxhës, e Kim Jong-unit të Koresë së Veriut, etj.
Autoktacia kjo dëshmi e mungesës së demokracisë dhe legjitimitetit, po përjetohet dukshëm në Ballkan, si një tendencë nga disa liderë, të cilët mjeshtërisht e manipulojnë taborin e tyre, ndërkohë që, shfrytëzojnë lidhjet dhe mbulesën politike e diplomatike të ofruar nga burokratë të BE-së dhe SHBA-së, për të sulmuar kundërshtarët e brendshëm. Shpresa se vendet e Ballkanit si: Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, sakaq edhe Turqia do të integrohen në Bashkimin Europian, është zbehur fatkeqësisht. Episodi i tejzgjatur i reformave, është dëshmia sesi elitat politike nuk janë të afta, apo nuk dëshirojnë të zgjidhin mospajtimet brenda tyre në mënyrë demokratike dhe të sigurojnë progresin dhe qetësinë e rajonit. Ndërsa kohët e fundit janë shtuar zërat kritikë sa i përket rolit të diplomatëve kryesisht atyre amerikanë dhe atyre europianë, të cilët nuk reagojnë fuqishëm ndaj korrupsionit, që ka pllakosur qeveritë e këtyre vendeve, teksa gjithashtu e kanë nënvlerësuar ose injoruar ngritjen kacavjerrëse të udhëheqësve autokratë.
Prania e intolerancës, nacionalizmit patologjik dhe ksenofobisë, kultura e pazhvilluar demokratike-politike, mungesa e kompromiseve, janë disa nga problemet serioze politike nën lustrën e qetësisë. Qasja e demokratizimit institucional ka rezultuar e vështirë dhe në një masë të madhe e papërmbushur pikërisht, si pasojë e mungesës së vullnetit politik që është bërë faktor frenues, për realizimin e reformave dhe të proçeseve demokratike aq të domosdoshme, që e shndërrojnë Ballkanin Perëndimor në një hapësirë demokratike me ekonomi e kulturë dinamike dhe në një vend të sigurtë dhe me prosperitet. Mekanizmi më i kontestuar dhe më i përfolur i demokracisë institucionale siç janë zgjedhjet, e zhysin rajonin në kriza, edhe pse liderët e rajonit paralajmërohen nga ndërkombëtarët rreth kërcënimeve të ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit, kriminalitetit dhe autokratëve të rëndomtë dhe oligarkëve, të cilët vijnë në pushtet duke promovuar interesat e tyre. Zgjedhjet e lira janë një nga atributet kryesore të një regjimi demokratik, dhe shprehja e vullnetit të lirë dhe e votës së lirë të popullit përbën një nga themelet e demokracisë. Jeta politike në Ballkan rrotullohet rreth liderëve dhe partive politike. Jashtë këtij binomi zor se merr pushtet apo dëgjohet nga pushtetarët ndonjë individ, grup interesi apo shoqëri civile, aq më tepër kur interesat e këtyre të fundit nuk përputhen me interesat e klasës politike.
Ky realitet dukshëm ka ndikuar që, qytetarët t’i humbin shpresat, ndërkohë që liderët politik u janë kthyer shablloneve dhe modeleve të vjetra të sjelljs në politikë. Dhe nëse deri para disa vitesh në Ballkan kishte institucione demokratike por jo edhe demokraci, sot nuk i kemi më as njërën e as tjetrën. Pra në këtë kohë nuk është vështirë të gjenden parti të bazuara në koncepte autokratike liderët e të cilave bëjnë çmos, jo vetëm për kufizimin por edhe për zhdukjen e demokracisë. Ata janë të trajnuar mirë që t’u thonë diplomatëve perëndimorë atë që ata duan të dëgjojnë, ndërkohë shkelin hapur parimet demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet e tyre.
Teksa senatori amerikan John McCain mbërriti në Beograd të hënën për t’u takuar me liderët serbë, një nga mediat më me ndikim të Amerikës, New York Times, u shpreh ashpër për triumfin e kryeministrit Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke thënë se, Serbia i është afruar autokracisë. Konsolidimi i pushtetit nga ana e Vuçiçit në Serbi vjen në një kohë të rritjes së shqetësimeve rreth autoritarizmit në Europën Lindore, si në Hungari dhe Poloni veçanërisht, dhe në Turqi, ku pritet që me 16 prill të mbahet një referendum për të rritur fuqitë e presidentit turk Erdogan.
Zgjedhja e Vuçiçit si President i Serbisë, ndërsa është votuar dy herë si kryeministër, është ogur i keq për demokracinë serbe, pasi Vuçiç akuzohet se, ka cunguar rëndë lirinë e shtypit dhe ka margjinalizuar opozitën politike. Qytetarët e Turqisë këtë të dielë, do të dalin në referendumin e shtatë që nga themelimi i republikës, dhe do të votojë për pakon e ndryshimeve kushtetuese, ku një nga pikat më të rëndësishme të pakos së ndryshimeve kushtetuese është futja e sistemit presidencial, i cili përfshin reduktimin e numrit të ministrive.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, akuzohet se, e ka degraduar demokracinë parlamentare dhe po e imiton gjithnjë e më shumë pushtetin mesjetar të sulltanëve. Prej një pajtuesi e reformatori ai është shndërruar në ngatërrestar të rrezikshëm. Erdogan në vitet e para të qeverisjes së tij konsiderohej si reformator. Por kur e pa se elektorati qëndronte me besnikëri pas tij, filloi të qeverisë me stil autoritar. Shtypi filloi të kontrollohej gjithnjë e më shumë, më shumë se 60 opinionistë humbën vendin e punës dhe televizioni shtetëror u vu nën kontrollin personal të kryeministrit. Erdogani po e transformon Turqinë në një vend të stilit të Putinit, me një udhëheqje konservatore islame. Edhe liderë të tjerë si Nikola Gruevski i Maqedonisë, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Milorad Dodik i Bosnjës po shohin gjithnjë e më shumë nga Moska për urdhra marshimi, ndihmë financiare dhe justifikim ideologjik për transformimet e tyre autoritare. Lideri boshnjak në Bosnje, Bakir Izetbegoviç sheh nga Ankaraja dhe shtetet e Gjirit, kryesisht për të njëjtat arsye. Establishmenti politik në Tiranë dhe Prishtinë pretendon se, gëzojnë mbështetjen e patronëve të fuqishëm perëndimorë, ndërsa joshet shumë nga penetrimi gjithnjë e më i madh turk, pse jo dhe kinez. Por politikëbërësit e SHBA-së dhe BE-së duhet të pyesin veten nëse oligarkët, autokratët e Tiranës dhe Prishtinës që thonë se janë pro-perëndimor, a janë më të mirë se, Erdogani, Vuçiçi, Gruevski, etj dhe të dobishëm për interesat afatgjata të Perëndimit në rajon. Një nga fatkeqësitë më të mëdha që la komunizmi në Shqipëri, nuk është vetëm se prodhoi një diktator si Enver Hoxha, por se la modelin udhëheqës të tij për t’u imituar nga udhëheqësit, të cilët erdhën në pushtet. Nga ky prizëm duhet analizuar e psikologjisur lehtësinë e tyre aq kategorike për të djegur shtetin për interesa personale. Kur priten zgjedhjet në Shqipëri, ka gjasë të mos ketë as formalisht zgjedhje, dhe “i pari” ta ketë dorën të lirë dhe të mos bezdiset as me farsën formale të organizimit të zgjedhjeve. Kjo tregon shkallën e lartë të degradimit moral, që ka prodhuar sjellja e autokratëve shqiptarë edhe në kohën e demokracisë apo të pseudodemokracisë. Në Shqipëri ku ka liri të medias, por jo media të lirë, ku ka Organizatat joqeveritare, por që financohen me fondet publike, si media dhe OJQ-të anatemohen se, po i shërbejnë pushtetit autokratik si rrypa transmisioni. Brukseli është i shqetësuar vetëm për pamjen e jashtme dhe dukjen banale të stabilitetit. Përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, Shkup dhe Beograd flasin në terma të asaj që duhet të jetë, por shpërfillin çfarë po ndodh në terren dhe se si situata politike në rajon tashmë ka ndryshuar. Nëse ideja e demokracisë është të kemi një të ardhme në Ballkan, kjo do të varet nga aftësia e qytetarëve të thjeshtë, si ata që dalin rregullisht rrugëve për t’u përballur dhe kur është e nevojshme për të hequr liderët që nuk japin llogari. Etja e pushtetit të autokratëve është e pakufishme dhe autokratët e sotëm të Ballkanit kanë të njëjtën prirje dhe autosugjestion, se ata janë po aq providencialë sa ç’ishin edhe janë modelet e tyre.