Home KRYESORE 1973/Revolta në kampin e Spaçit

1973/Revolta në kampin e Spaçit

Nga Kastriot Dervishi

Më 21 maj 1973 nisi revolta e Spaçit, si solidaritet i të burgosurve ndaj shokut të tyre Pal Zefi. Në vijim do gjeni dëshminë në hetuesi të Zefit në lidhje me këtë ngjarje. Po ashtu për ilustrim, mund të shihni vendin ku punonin të burgosurit, galerinë e minierës, vendin aq pak të njohur për publikun vendas apo të huaj, sepse vëmendja në të shumtën e rasteve përqendrohet te fjetinat e jo te galeritë famëkeqe të Spaçit.

Pjesë nga hetuesia e datës 22 maj 1973 ndaj Pal Zefit

Pyetje: Akuzoheni se duke marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit keni kryer krimin e sabotimit, të agjitacionit e propagandës për kundër pushtetit popullor dhe se keni goditur personat zyrtarë përfaqësues të pushtetit në kryerjen e detyrës. Na jepni shpjegime për akuzat që ju bëhen.

Përgjigje: Akuzat që më bëhen, i kuptova, por nga këto akuza pranoj vetëm akuzën e goditjes së personave të pushtetit se kam goditur dy nënoficerë dhe oficerin operativ të repartit nr.303 Spaç të cilëve emrat nuk ua di. Gjithashtu pranoj se kam agjituar e propaganduar për kundër pushtetit popullor vazhdimisht në kamp, në mes të të dënuarve. Kështu unë kam folur vazhdimisht në kampin e Spaçit me të madhe si në kapanon e jashtë në prani të dhjetëra të dënuarve përkundër pushtetit, për arsye se unë këtë pushtet nuk e dua. Këtë pushtet nuk e dua se ai më ka dënuar në mënyrë të padrejtë e më mban në burg, më ka dënuar me privim të lirisë dhe nuk më ka futur në regjim burgu, por më ka çuar në kamp duke bërë punë të detyruar. Për këtë arsye, unë kam refuzuar vazhdimisht me dalë në punë për të punuar në minierë. Në muajin janar kam ardhur në Spaç dhe këtu gjeta edhe vëllanë tim Gjokë Zefi, i cili është dënuar bashkë me mua me 8 vjet heqje lirie. Si erdha këtu më futën në punë në minierë minator dhe në muajin shkurt unë bashkë me vëllanë vendosëm mos me punue dhe kërkuam të na dërgojnë në burgun e Burrelit, por komanda nuk na dërgoi në Burrel. Kemi qëndruar 3 muaj pa punë dhe më 20 mars vëllanë e hoqën nga Spaçi dhe e dërguan në Ballsh duke na ndarë nga njëri-tjetri, gjë që ishte një provokim i madh i komandës.

Më 20 prill, komanda, duke përdorur forcën më ka futur në birucë e më ka izoluar një muaj kohë. Gjatë kësaj kohe më kanë torturuar duke më dhënë ushqim me mungesa dhe të helmuar me doza të vogla me qëllim për të më dobësuar organizmin, gjë e cila më revoltonte më shumë ndaj pushtetit. Si mbarova dënimin disiplinisht, më 20 maj i kërkova rojës së brendshme të më nxirrte nga biruca. Mirëpo roja më tha që nuk do më nxirrnin e aty kisha për të vdekur.

Të nesërmen të mëngjes, roja i brendshëm kur erdhi të më heqë batanijet si zakonisht, harroi hapur derën e birucës, nuk e mbylli me kyç, duke e lënë vetëm me shul nga jashtë. Unë nëpërmjet hekurave dola nga biruca rreth orës 5.30 të datës 21.5.1973, gjeta një shufër hekuri dhe hipa mbi tarracën e banjave. Roja i brendshëm më pa dhe më tha të hyja në birucë. Unë i thashë se gjallë nuk hyja në birucë. Pas pak kohe, në kamp hyri oficeri operativ me 5-6 policë. Më bëri thirrje të hyja në birucë.

I thashë të mos afroheshin se do i godisja. Në këtë moment më është afruar i dënuari Mehdi Noku për të më kapur, por e godita me shufër në krah. Më është afruar edhe një polic, por edhe këtë e kam goditur në krah. Më kanë kapur policët e tjerë dhe më shtrinë në tokë. Në këtë moment disa të dënuar të tjerë që ndodheshin 10 metra larg tarracës të cilët po përgatiteshin të shkonin në punë, sulmuan policët duke më dalë në mbrojtje duke më hequr nga krahët e policëve. Si jam çuar në këmbë, kam goditur operativin e kampit me një shpullë në fytyrë dhe pastaj jemi shpërndarë. Unë kam shkuar në kapanon dhe s’kam shkuar në birucë.

Bashkëlidhur:

1-Foto e galerisë së kampit të Spaçit.
2-Dera e hekurit e birucës ku qëndroi Pal Zefi.
3-Faksimile e hetuesisë.

(Fotot nuk publikohen për herë të parë)

Nessun testo alternativo automatico disponibile.

Share: