Nga Alfred Lela
Nuk e di pse motivi lasgushian ‘mora shoqezën përkrah, matmë rrugën ca nga ca’, më shoqëron, teksa çapitemi nën rrezet e forta të diellit të mesditës, përreth ABA Center, në krahun e Pallatit të Kongreseve, para Rognerit, për tu hedhur në krahun tjetër, në trotuarin anash Kryesisë së Kuvendit.
I bëmë vend vetes në një ‘ishull’ ku ngjeshja e njerëzve të mos na pengonte të ishim në protestë, por njëheri të vrojtonim skenën dhe prapaskenën.
Kamerat e televizioneve ishin pozicionuar lart mbi kokat e njerëzve; në lartësinë e skenës së vendosur në ‘kurriz’ të Çadrës. Skena ishte një kompozim spartan: Platforma, fonia në të dy anët, dhe mbrapa shkaba e madhe e flamurit kombëtar. Para kësaj shkabe filluan të ngjiteshin me radhë folësit. Secili fliste mendjen e vet, dhe nëpërmjet brengës së vet jehonte në shqetësimin e përbashkët.
E para, një grua në moshë, iu mbajt skenës dhe turmës me lehtësinë e një të sprovuare me agorat. Të tjerët vijnë me radhë, pedagogë, studentë, të rinj e të reja, aktivistë, të pushuar nga puna. Njerëz. Shqiptarë.
Jeta vazhdon edhe poshtë skenës. Një grua alivanoset diku në hapësirën mes Gjykatës Kushtetuese dhe dy Kullave. Shoqja (ajo me të cilën matmë rrugën) largohet për të dhënë një ndihmë; më saktë, për t’iu përgjigjur instinktit më të thellë brenda gruas: dhembshurisë. Sa mirë, më tha kur u kthye, që kish qëlluar afër Halim Kosova i cili i dha ndihmën e parë gruas.
Por, edhe ajo e kish bërë të vetën: duke marrë në telefon Urgjencën. (A thua ta kenë ndaluar demokratët edhe atë ambulancë?!).
Dy gra të tjera, askund afër alivanisë, janë vendosur mu në buzë të turmës; sikur me trupat e lënë të lirë në kufijtë e ngjarjes, duan të japin shenjën e të qenit brenda dhe jashtë; edhe këtej, edhe andej. Trupat e tyre nuk rezonojnë njëlloj me turmën, megjithatë.
Majlinda Bregu, me syze dielli, e veshur me kujdesin që të imponon një ditë publike me kamera e blice, nuk i reziston gjatë buzës së turmës. Jep e merr me gruan që e shoqëron, rrotullohet, disa herë ajo e disa herë koka e saj, dhe zhvendoset. E lë buzën e turmës për të ndërtuar, nga jashtë, një raport tjetër me të: atë të soditëses.
Jozefina Topalli është në po atë istëm njerëzor. Nuk bën pushim duke takuar njerëz, të cilët e përqafojnë dhe bëjnë selfie me të. Edhe ajo i largohet buzës së turmës, por duke bërë brenda, jo jashtë. Instinkti i turmës e mbështjell trupin e saj.
Trupat e tyre (jo fizikë, por politikë) janë dëshmi e pranisë së shtresave, në Partinë Demokratike që udhëhiqet nga Lulzim Basha.
Ai ngjitet në skenë dhe turma, e gjitha, në qendër dhe në buzë, reagon. Emri ‘Basha, Basha’ gjëmon në Bulevard, ngjitet lart dhe sikur bie poshtë në duar që përplasen apo ngrihen lart me dy gishta, duke çarë ajrin me V-në e fitores.
Turma e bën, gjithmonë, zgjedhjen e vet. Cilido qoftë marzhi i gabimit në atë zgjedhje, çka mbetet hyn në histori si ‘vendim i popullit’.
Basha falenderon shqiptarët e majtë që nuk iu bashkuan dot protestës, por edhe Policinë e Shtetit, së cilës i garanton ‘jopërplasjen’. Trupi i turmës shkundet dhe gjëmimi i gjoksesve shndërrohet në duartrokitje miratuese. Lart mbi taracën e Kryeministrisë, mbërthyer me antiplumbë, snajpera e dylbi, policët specialë buzëqeshin.
Me buzë në gaz po thonë ‘e dimë se kjo ishte një ‘training day”, dhe se kërcënimi i asnjë dhune nuk pritej. Ky popull poshtë tyre zgjatet, jo nga ndërtesa ku qëndrojnë deri te Ministria e Brendshme, por nga 18 shkurti e këtej.
Demonstrativ, por i paqtë. Rezistent dhe europian.
Edhe Basha flet për paqen dhe qetësinë në zemra, të cilën ua kërkoi kur i ftoi në shesh, dhe ua lut edhe tani që do të kthehen në ‘qytetet dhe fshatrat e tyre’.
Nuk e thotë, por si një kureshtje, në fjalët e tij duket sikur ngre krye premtimi se do të mblidhen sërish në këtë shesh. Nuk e thotë, por spikama e 18 qershorit është në atë të mosthënë.
A mund të kish datë tjetër më të mirë? Populli që zgjedh duhet të takohet me atë që voton. Me paqe në zemër, por duke e bërë luftën me anë të pranisë. Sot, e deri në fund.
Fjalitë e Bashës fillojnë e tendosen dhe bëhen më të shkurtra. Eshtë shenja se ai po kërkon fjalët dhe tingujt, që mbylljen të mos e bëjë të duket si ikje, por si thirrje për një tjetër takim.
Turma e kupon dhe shtendoset. Si një liqen të cilit i kanë hapur digën vrundujt e njerëzve derdhen shtigjeve të hapura nga intuita.
Si mbaroi kështu, pa dhunë? Si nuk na lanë ‘këta demokratët’ që të rrotulloheshim në jargët e zeza të një stigme që e kemi prodhuar për ta në dy dekada? Me kujdesin e Ramizit dhe vrerin e Nexhmijes.
Pyesin velinat e pushtetit dhe bëjnë gati sondazhin e ri: A do të ketë dhunë në protestat e 100 viteve të ardhshme?