Home KRYESORE Artur Zheji: Mirupafshim apo Lamtumirë Doktor Berisha?

Artur Zheji: Mirupafshim apo Lamtumirë Doktor Berisha?

Nga Artur Zheji

Me sa duket Berisha, ndryshe nga shumë parashikime dritëshkurtëra, ka bërë një hap të madh pas. Do të jetë sigurisht në Kuvendin e Shqipërisë, por vendi që ka në listën e Tiranës, është fare modest, madje për tu keqardhur, kur lexon emrat e atyre që e paraprijnë…

Duket pra se Berisha, ka vendosur të largohet drejt një jete më të qetë dhe më të vetmuar, ndoshta do t’i kushtohet filozofisë apo ndoshta do të kundrojë si një prind, rrugëtimin e partisë së themeluar nga ai dhe sot, të komanduar nga të tjerë.

Ndoshta e ka kapur sindroma relasuese dhe inteligjente e Fatos Nanos, apo edhe e Ramiz Alisë më parë, ajo e largimit të butë e të mëndafshtë, përpara se ta lexojë padurimin për “largimin e tij” në sytë dhe në zërat lajkatar të pjellave të tija të shumta politike.

Me krenarinë e tij të pathyeshme, shkak dhe motiv, për shumë gabime e mëkate, në qasjet dhe qeverisjet e tija, por sidoqoftë një krenari e kudondodhur në qëndrimet e tija publike dhe jo vetëm, ndoshta Berisha, i ka thënë një “mjaft!”, karierës së tij, si lider dhe si kryetar hije, i PD.

Deri para pak ditës në Çadër, ai e kërcënoi disa herë seriozisht Ramën, që të hapte rrugë, në një mënyrë ose tjetër dhe ishte padyshim edhe ai, sëbashku me ndërkombëtarët, që realizoi Marrëveshjen e Mesnatës, Rama-Basha. Një marrëveshje kjo, e fituar, edhe falë peshës së tij dhe frikës reale që ngjall kërcënimi i tij politik dhe jo vetëm, që vetëm ai ta bëjë dhe të jetë i besueshëm.

Por Berisha është mjek dhe erudit dhe e di, që kundër Kohës, është e vështirë të luftohet, ndonëse ai, e bëri edhe këtë luftë anti-kohë, një copë herë të gjatë. Ndryshe nuk ka se si shpegohet që la në mëshirën e fatit, edhe një skuadër të fundit besnikësh të tij, si Topalli, Imami apo të tjerë.

Ashtu si “Mbreti Lir”, i rraskapitur nga luftrat e përgjakshme politike, ai duket se e ka deleguar përfundimisht pushtetin e tij dhe ka besuar verbërisht te Marrëveshja e mesnatës, Basha-Rama, disa klauzola të së cilës, askush nuk i di dhe janë të mbyllura me 5 palë çelësa, në kafkën e Bashës dhe në kafkën e Ramës.

O Zot! Ka dhe nga ata që besojnë se edhe kjo është pjesë e lojës. Këta mednojnë se Berisha, ka vendosur të presë me durim. Që PD, do të humbë zgjedhjet në Qershor dhe pastaj Berisha do të ngrihet e do të flaës. Do të flaës si një Ndëshkues i madh dhe si një kardiolog-politikan, do të bëjë një transplant spektakolar, të zemrës së PD.

Në të vërtetë, në PD janë të habitur me listat e Bashës, por ka edhe shumë hipokrizi në këtë habitje. Ka gjithashtu edhe shumë interesa të prekura, që e bëjnë revoltën e tyre, më pak interesante dhe akoma jo aq të besueshme.

Në situatën që ndodhet sot elektoralisht PD, vetëm përllogaritja e një marrëveshjeje post elektorale me Ps, mund ta ruajë Bashën kryetar të PD, pyetja shtrohet se përse Berisha, ka vendosur t’i besojë Ramës për këtë?

Ndoshta mbështetur në urrejtjen patologjike që Rama ka ndaj Metës dhe Lsi? Urrejtje të cilën PD e shfrytëzoi njëherë më sukses në vitin 2008? Urrejtje e cila është akoma e ndezur dhe është në gjëndje të bashkojë Ramën besnikërisht me Bashën?

Apo ndoshta të gjitha këto janë vetëm përsiatje, sigurisht të detyrueshme për tu shkruar sipas rregullave të një analize të besueshme?

Dhe pra, gjithmonë ndoshta, Doktori ka vendosur të merret me veten dhe me familjen e tij, sepse është lodhur duke u marrë me të tjerët?

Ndërkohë që hauzi politik, është rimbushur me plot peshkaqenj të rinj, të cilët, për të Fortin e politikës shqiptare, Berishën pra, i ngjajnë si ca peshq të kuq akuariumi… Mjafton të fusë dorën në akuariumin me peshq të kuq që shtiren si peshkaqenë dhe…
Ndoshta! Po ndërkohë: By, by, Doktor Berisha! /360grade.al/

Share: