Home KRYESORE Ç’kemi parë e mësuar nga kjo kriza jonë e tanishme politike. Nga...

Ç’kemi parë e mësuar nga kjo kriza jonë e tanishme politike. Nga Armir SHKURTI

Turbullo – kthjello! – porosiste Mao Ce Duni, me këtë proverb frymëzuar nga urtësia e lashtë kineze. Në kënetën tonë, ku veç këngës së zhabave s’luan gjë, mësohesh dhe nuk e vret mendjen. Por “çadra” e tundi paksa. Dhe ç’doli mbi ujë?

– E sigurtë që Shqipëria është një provincë servile, pa sovranitet, e qeverisur nga satrapë vendas.

Mjafton të shohim se gjatë kënetimit, autoritetet e huaja më të larta që japin porosi e urdhëra janë në nivelin e ambasadorit!

– Shqipëria dhe shqiptarët janë bërë kurban për interesa të të tjerëve.

Që të mos zemërohen serbët, maqedonasit, grekët, rusët etj politikanët tanë kanë qenë tejet bujarë me interesat e vendit, duke i dhënë lirë ose falur “për hir të integrimit në BE”

 

– Një satrapi servile dhe e nënshtruar nuk mund ta çojë ndërmend lirinë, palé demokracinë.

Stabiliteti! Kjo është detyra që u kanë dhënë satrapëve tanë. Gjithë ndëmjetësit e negociatorët që kanë ardhur këto kohë kanë qenë të shqetësuar për vettingun, reformat, stabilitetin. A keni dëgjuar ndonjërin prej tyre të alarmohet për liritë e shqiptarëve? Po pèr gjendjen e demokracisë? Edhe pse protesta e opozitës është për votën e lirë dhe se precedenti tregon se të gjitha zgjedhjet në tranzicion kanë qenë me probleme, negociatorë dhe emisarët nga bota nuk vërejnë probleme!

– “Ndërkombëtarët” mbështesin fuqishëm pushtetin, kushdo dhe sido qoftë ai, pasi është pushteti ai që zbaton urdhërat, projektet dhe qëllimet e tyre.

Pèrvoja edhe e vendeve të tjera vasale na mëson se pushtete dhe udhëheqës të ndihmuar nga fuqi të mëdha për interesa të këtyre të fundit, janë kthyer jorrallë në tiranë e diktatorë të popullit të tyre, pa u trazuar nga “shefat”

– Vëmë ré gjithashtu se “liria nuk dhurohet po fitohet” qëndron edhe në shekullin XXI.

Këmbëngulja, vendosmëria, qëndresa, guximi kanë kthyer sytë e BE dhe SHBA në Tiranë dhe i kanë vënë në lëvizje mekanizmat e Fuqive të Mëdha, të cilat janë furnizuar bollshëm vetëm nga pushteti.  Po të mos qe bojkotuar Kuvendi e axhenda e të huajve të shkonte vaj, as që kish për ta vënë në refené njeri opozitën.

– Protesta e tanishme është akuzë e rëndë për PD – në që nuk i priu zemërimit popullor të paktën në 2 vitet e fundit.

Zëra “konfidencialë” ta thonin “si shok”  se nuk del njeri. “dëgjo mua! Harroje se të vijnë në miting! Plus që ne si PD jemi copë – copë” . Ja mo ku i keni! Në 18 shkurt u bë det Tirana me njerëz. Në 13 maj, pas 3 muajsh sfilitje në çadër, demokratët nuk e,lanë në baltë çështjen. Det ishte edhe të shtunën.

– Ka ardhur koha për parti mirëfilli të djathta me objektiv atdheun dhe kombin.

Forcat e tranzicionit tashmë janë të konsoliduara si fasadë demokratike që fsheh rolin e tyre të vërtetë: atë të satrapit, administrator i provincës për interesa të “ndërkombëtarëve”. Për “kombëtarët” s’ka ende një forcë serioze dhe me integritet, që të pèrgaqësojë ideologjinë kombëtare dhe të vendosë Shqipërinë para të gjithave. Edhe ca që e kanë të trashëguar që nga lufta e dytë në emër, sot janë nëpër koalicione thjesht për të marrë ndonjë votë më shumë e më pas ndonjë vend pune.

– Ka ardhur koha për të vendosur një marrëdhënie të re me BE.

Nëse nuk i plotësojmë kushtet pèr t’u pèrfshirë në këtë konfederatë, është më e shëndetshme t’i ngrimë negociatat, na ngremë vendin tonë në standartet europiane , pse jo amerikane, dhe pastaj shohim. Le të mos harrojmë se aspirata e vitit 1990 ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Do të thotë me atë nivel ekonomik, lirie dhe demokracie si Perëndimi. Meqë jemi te Perëndimi. Shqiptarët janë populli më proamerikan në këtë kontinent, nëmos në botën mbarë. Nuk do të qe keq që në vend të “orientimit tonë euro-atlantik” ta shprehnim qartë: NE ZGJEDIM AMERIKËN!

Share: